.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashLajmi i rremë për dakordësinë Putin-Zelensky dhe fundin e luftës në Ukrainë

Lajmi i rremë për dakordësinë Putin-Zelensky dhe fundin e luftës në Ukrainë

Raportimet për përfundimin e konfliktit Rusi-Ukrainë, të pabazuara në fakte po qarkullojnë vazhdimisht duke keqinformuar publikun. Nga verifikimi i Faktoje rezultoi se lajmi i datës 16 gusht, publikuar nga Eazy24news, është i pavërtetë. Ai mund të identifikohet lehtësisht pasi çdo fjali në lajm ka fjalë të ndërprera me pikë, një truk që përdoret për të shmangur algoritmin që pikas lajme të rreme.

 

Barbara Halla

 

Më 16 gusht, portali Eazy24news publikoi një artikull ku shkruan se paqja po vjen në Ukrainë, duke pretenduar: “Zelensky Dhe Putin Bien Dakord, Pajtohen Të Tërhiqen Dhe Do Të Ketë Dialog.” Në fakt, ky është një lajm tërësisht i rremë. Ai riciklon njoftime dhe ngjarje të cilat kanë ndodhur në shkurt dhe mars të këtij viti, vetëm pak javë pas nisjes së sulmit.

Së pari, artikulli pretendon se Presidenti Zelesnky ka pranuar ftesën e delegacionit rus për t’u takuar në qytetin Gomel të Bjellorusisë pas një telefonate me presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko. Por, një kërkim i thjeshtë tregon se portali ukranias The Kyiv Independent, ka raportuar mbi organizimin e këtij takim që më 27 shkurt.

Burim: https://twitter.com/_/status/1497929907195756546

 

Në fakt, dallohet se artikulli i portalit shqip Eazy24news ka përdorur pikërisht këtë postim në Twitter të portalit ukrainas si burim, duke e përkthyer atë gati fjalë për fjalë. Për shembull, Eazy24news shkruan me gabime të theksuara drejtshkrimore:

“Ky takim si.pas me.di.a.ve vendase do të je.të pa parakushte dhe do të mbahet pr.anë lu.mi.t Pripiat,” që e gjejmë në anglisht si: “President Volodymyr Zelensky agreed that the Ukrainian delegation would meet with the Russian delegation without preconditions on the Ukrainian-Belarusian border, near the Pripyat River.”

Që prej këtyre datave, diskutime të tjera midis palëve kanë ndodhur në Turqi, por nuk ka pasur njoftime të tjera të besueshme që dëshmojnë se negociatat do të rinisin në Bjellorusi.

Së dyti, edhe titulli i artikullit përbën një interpretim të gabuar dhe të ekzagjeruar të situatës: edhe nëse Putin dhe Zelensky pranojnë të takohen për të mbajtur diskutime mbi një paqe të mundshme, kjo nuk do të thotë se lufta po vjen drejt mbarimit. Përkundrazi, këtë e tregon edhe fakti që jemi tashmë mëse gjashtë muaj nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës dhe lufta vazhdon pa një përfundim në horizont.

Palët u takuan disa herë në Gomel më datë 28 shkurt, 3 mars dhe 7 mars 2022. Gjatë këtyre negociatave, palët pranuan që të hapeshin korridore humanitare për kalimin e sigurt të refugjatëve, por nuk arritën të gjenin një zgjidhje përfundimtare të situatës. Rusia përsëriti kërkesat e saj që Ukraina të njohë zaptimin e Krimesë nga Rusia, si dhe pavarësinë e zonave të Luhanskut dhe Donjetskut, kërkesa të cilat nuk kanë ndryshuar ndër muaj dhe që Ukraina i refuzon në mënyrë kategorike. Zelensky ka reguar disa herë duke thënë se nuk do të heqë dorë nga integriteti territorial i Ukrainës për hir të një paqeje me Rusinë.

Burim: New York Times, “Në prag të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Zelensky betohet se do ta rifitojë Krimenë”

 

Që nga fillimi i luftës, përfaqësues të Ukrainës dhe Rusisë janë takuar shpesh për të diskutuar si mundësinë e paqes, por edhe tema që kanë të bëjnë me korridoret humanitare dhe transportin e grurit që prodhon Ukraina dhe që ushqen një pjesë dërrmuese të globit. Me shumë gjasa takime të tjera do të pasojnë në javët dhe muajt që vijojnë. Ekzistenca e këtyre takimeve mund të jetë shenjë se palët janë në diskutim të vazhdueshëm për aspekte të ndryshme diplomatike dhe të tregtisë ndërkombëtare, por ato nuk dëshmojnë se luftës po i vjen fundi.

 

Burim: Radio Evropa e Lirë

Për më tepër, kohët e fundit si Ukraina dhe Rusia janë shprehur se një marrëveshje nuk do të jetë e mundur për momentin. Reuters raporton se sipas Putinit lufta e Rusisë në Ukrainë sapo ka filluar, dhe negociatat e paqes sa do të vijojnë dhe do të bëhen më të vështira.

Përpos shtrembërimit të fakteve, artikulli në fjalë përmban gabime të shumta gramatikore që në titull ku fjala “paqja” është shkruar “paqeja” apo folja vjen shkruhet “vje”. Çdo fjali në lajm ka fjalë të ndërprera me pikë të cilat përdoren për të shmangur algoritmin që pikas lajme të rreme. Kjo dhe emri i panjohur i panelit, janë disa nga elementet që tregojnë se ky artikull nuk është botuar nga një burim i sigurt.

 

*Në foton kryesore, lajmi i publikuar nga Eazy24news

 *Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img