BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMamaqi zbulon rrengun për portalet, por ka nga ata që duan të gënjehen përsëri

Mamaqi zbulon rrengun për portalet, por ka nga ata që duan të gënjehen përsëri

Gati një javë më parë, aktori dhe producenti Ermal Mamaqi inskenoi një rreng me një faturë të majme për të patur një foto të tij, si një mënyrë për të vendosur në lojë portalet që mund të bien pre e lajmeve të rreme pa kryer më parë asnjë verifikim. Edhe pse loja e tij u bë publike disa orë më pas, portale të ndryshme vazhdojnë të promovojnë online lajmin e rremë.

 

Granit Sokolaj

 

Fotografia e një fature restoranti, një shënim me shkrim dore “foto me Ermalin 6.000 Euro”, dhe denoncimi i një “emigrant” nga SHBA, ka shërbyer për portalin “JOQ Albania” për të publikuar scoopin e rradhës për aktorin dhe producentin Ermal Mamaqi.

Publikimi fillestar në JOQ Albania

Mesazhi i dërguar nga “qytetari”:

“Mirembrema JOQ. Kisha njerezit e mi qe kane ardhe nga Amerika dhe kishin deshire te vinin tek lokali Ermalit. Ne fund kerkuam foto dhe shiko cfare na solli kamarieri. As ne Hollywood nuk ndodhin kto. Edhe pse mund te duket si shaka na faturuan per turp! Me te qeshur me te ngjeshur na kerkuan 6000 euro si pjese e trajnimeve te tij….”

 

Lajmi është shpërndarë menjëherë nga shumë portale shqiptare, të cilat ushqehen çdo ditë nga postimet e njëra-tjetrës apo lajme të peshkuara online, duke u bërë një nga postimet më të debatuara dhe të ndara nga lexuesit në Facebook dhe Instagram.

Publikimi i të njëjtit lajm në portalin Prapaskena.al

Pasi ka shijuar për disa orë tymnajën e shkaktuar prej tij, ishte vetë Ermal Mamaqi që zbuloi nëpërmjet një videomesazhi në faqen e tij personale në Facebook se gjithçka ishtë një rreng, madje mesazhi i dërguar te portali ishte shkruar nga vetë ai.

mesazhin e tij, Mamaqi zbulon se nëpërmjet kësaj loje kishte për qëllim jo vetëm që të bënte një reklamë për restorantin e tij, por sigurisht, edhe që lexuesit, të kuptojnë se “si funksionon Bota e Portaleve. Mediat online. Nuk ka asnjë filtër, nuk ka asnjë standart që të vërtetojë lajmin para se të publikohet…” Ndoshta mësime të tilla duhet të jepen më shpesh jo vetëm për portalet për të qënë më të përgjegjshme për errësirën ku ato notojnë, por edhe për vetë lexuesit që të jenë më vigjilentë dhe të mos nxitojnë për t’i besuar çdo lajmi që qarkullon online.

Por ndërsa viktimat e para të rrengut të fotografisë 6.000 euroshe e kuptuan në kohë lojën dhe reaguan duke e fshirë lajmin e rremë, skandali vazhdon të mbahet në këmbë nga disa portale të tjera që e ripublikuan atë. Një prej këtyre portaleve Prapaskena.al vazhdon të publikojë këtë “skandal” duke gjeneruar qindra shikime dhe ndarje në rrjet edhe një javë pas konfirmimit si një lajm i rremë. Por nëse portalet e para që ranë pre e një loje të aktorit Mamaqi mund të shfajësohen se gabuan për shkak të mungesës së verifikimit të faktit, mbajtja ende aktiv e një lajmi të denoncuar si të rremë nuk ka ndonjë shfajësim të besueshëm dhe e rëndon edhe më shumë kredibilitetin e këtyre portaleve në sytë e lexuesve.

*Foto kryesore marrë nga lajmi i Prapaskena.al

**Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img