“Populli do të dëgjohet çdo vit” premtimi i pambajtur për Këshillimin Kombëtar

Pesë vite më vonë, kryeministri Edi Rama kalon nga Këshillimi Kombëtar tek Referendumi

11

Esmeralda Topi 

Në qershor të vitit 2021, nga Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama premtoi një mënyrë të re komunikimi me qytetarët.

“Dua që populli të mos dëgjohet vetëm një herë në katër vjet, por të dëgjohet të paktën një herë në vit”, premtoi ai, teksa prezantoi Këshillimin Kombëtar si një “institucion të ri kombëtar”.

Nisma u konkretizua në fund të vitit 2021, kur qeveria njoftoi se çdo shtetas shqiptar mbi 18 vjeç, brenda dhe jashtë vendit, do të merrte një pyetësor me 12 pyetje mbi tema që varionin nga legalizimi i kanabisit deri te politikat fiskale, integrimi europian dhe nisma “Ballkani i Hapur”.

Këshillimi Kombëtar u zhvillua nga 19 janari deri më 31 mars 2022. Pyetësorët u shpërndanë nga Posta Shqiptare, u plotësuan online si edhe në tenda të ngritura në 61 bashki. Përpunimi i të dhënave u krye nga INSTAT. Sipas qeverisë, 563,195 qytetarë dhanë mendimin e tyre.

Në konferencën për prezantimin e rezultateve, Rama e cilësoi pjesëmarrjen si “një rezultat përtej të gjitha parashikimeve”. Edhe Eridana Çano, asokohe Drejtore e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje u shpreh se ky ishte “një ushtrim, i cili do të përsëritet në mënyrë vjetore”.

Premtim i harruar

Por nga viti 2022, deri tani në 2026 nuk është zhvilluar një tjetër Këshillim Kombëtar sikurse u premtua. Për të kuptuar nëse ekziston një plan për rikthimin e kësaj nisme, Faktoje iu drejtua Agjencisë për Media dhe Informim. 

“Nuk ka për momentin një koment për datën e mundshme kur do të fillojë Këshillimi Kombëtar” tha MIA për Faktoje. 

Pra, nuk ka një afat apo kalendar konkret për zhvillimin e një pyetësori të dytë.

Nga Këshillimi Kombëtar tek referendumi

Ndërsa pyetësori i Këshillimit Kombëtar nuk u përsërit, Rama ka hedhur së fundmi idenë e organizimit të një referendumi për çështje me rëndësi kombëtare. 

Duke folur në asamblenë e Partisë Socialiste, Rama lajmëroi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese përmes votës popullore, përfshirë edhe reduktimin e numrit të deputetëve. 

“Do t’i thërrasim shqiptarët në referendum”, deklaroi ai, duke e vendosur këtë si një opsion në mungesë të shumicës së nevojshme parlamentare.

Vetëm tre ditë më vonë, u prezantua edhe një projektligj për referendumet, i cili sipas socialistëve synon të krijojë një kornizë ligjore për konsultime më të drejtpërdrejta me qytetarët.

Por këtë zhvillim, Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare e sheh me dyshim. 

“Për ne ky referendum që quan kryeministri është një sondazh me para publike, pasi nuk ka asnjë fuqi vendimmarrëse, por vetëm fuqi konsultuese”, tha ai për Faktoje. 

Xhemollari shton se këto procese mbeten të kontrolluara nga vetë mazhoranca.

“Vetë i mbledh, vetë i pyet, vetë përgjigjet dhe pastaj vetë vendos. Pra nuk kemi mekanizma ku qytetari jep mendimin, dhe partia/qeveria e merr mendimin dhe e përditëson. Ai e ka ndarë mendjen se çfarë do bëjë dhe thotë t’i pyes këta që të bëj atë që kam ndarë unë mendjen”- përfundon Xhemollari nga Qëndresa Qytetare. 

Përfundim 

Këshillimi Kombëtar u prezantua nga qeveria si një proces gjithëpërfshirës, ku çdo shtetas shqiptar mbi 18 vjeç, brenda dhe jashtë vendit, do të ftohej të jepte mendimin e tij për çështje me rëndësi strategjike për vendin. Përmes një pyetësori me 12 pyetje, qytetarëve iu kërkua të shpreheshin për tema të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike, që nisnin nga mbështetja për nënat me shumë fëmijë dhe legalizimi i kanabisit, deri te politikat fiskale, integrimi në Bashkimi Evropian dhe nisma rajonale ‘Ballkani i Hapur’. 

Në kohën e shpalljes së nismës, u raportua se organizimi dhe promovimi i saj do t’u kushtonte taksapaguesve rreth 25 milionë lekë të reja, ku pjesa më e madhe do të përdorej për fushatën promovuese dhe materialet informuese, ndërsa INSTAT do të kryente përpunimin dixhital të përgjigjeve.

Në mungesë të përsëritjes së premtuar, Këshillimi Kombëtar mbeti vetëm një ushtrim dhe jo një proces i përvitshëm konsultimi. Nisur nga informacionet e mbledhura, premtimin e Edi Ramës se “populli do të dëgjohet të paktën një herë në vit” e kategorizojmë të pambajtur.