Policia “fortifikohet” në 2027-ën, 33.6 miliardë lekë buxhet

9 punonjës policie janë të pezulluar për raste individuale, ndërsa 50 raste janë nën hetim nga AMP si pasojë e protestave

27
Autoboti i policisë në flakë gjatë përplasjes në protestat e fundit. Foto: Atdhe Mulla

Policia e Shtetit pritet të ketë më shumë mbështetje financiare në vitin 2027, me një buxhet prej 33.6 miliardë lekësh, 20% më shumë se një vit më parë. 

Rritja e financimit vjen në një kohë kur përplasjet e fundit mes policisë dhe protestuesve kanë rikthyer debatin mbi pajisjet, metodat e ndërhyrjes dhe përdorimin e forcës nga uniformat blu.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, bëri të ditur se 3.3 miliardë lekë janë parashikuar vetëm për rritjen e pagave të efektivëve, ndërsa fondet e tjera do të shkojnë për modernizimin dhe fuqizimin operacional të policisë.

Në këtë kuadër, 434 milionë lekë janë parashikuar për pajisje speciale, 293 milionë për pajisje të Policisë së Shtetit, 175 milionë për rinovimin e flotës së automjeteve dhe 60 milionë lekë për automjetet speciale. 

Demo theksoi se rritja e financimit duhet të shoqërohet me standarde më të larta profesionale dhe llogaridhënie. 

“Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë nga policia jo vetëm siguri, por edhe sjellje korrekte dhe shërbim profesional. Mbështetja për uniformën dhe llogaridhënia për çdo veprim të saj duhet të ecin së bashku”, deklaroi ministri Demo.

Por diskutimi në Komision u përqendrua edhe te pajisjet e përdorura gjatë protestave të fundit. 

Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri kërkoi shpjegime për autobotet me ujë, dronët dhe gazin lotsjellës, duke pyetur nëse mjetet e shtuara janë blerë me fondet e buxhetit të shtetit apo janë dhuruar nga vende europiane.

Kapri ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e dronëve mbi protestuesit dhe rrezikun që, sipas tij, mund të paraqesin për sigurinë e tyre. 

Ai kërkoi nga ministri të sqarojë bazën ligjore të përdorimit të këtyre pajisjeve dhe mënyrën se si janë siguruar.

Në përgjigjen e tij, Demo nuk dha detaje mbi origjinën apo koston e autobotëve dhe dronëve, por u ndal te ligjshmëria e veprimeve të policisë dhe rastet e hetimit disiplinor.

“Policia e Shtetit përdor të gjithë ata elementë të miratuar dhe vendime që kanë të bëjnë me policinë. Jam i bindur se kjo është ajo çfarë ka ndodhur. Standardi ynë është shumë i thjeshtë, ne sot kemi 9 punonjës policie të pezulluar për raste individuale”, u shpreh Demo.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se 50 raste janë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, duke theksuar se institucionet janë të hapura për hetimin e çdo rasti të përdorimit të tepruar të forcës.

Ndërkohë, sipas Demos, projekti “Smart City”, një nga investimet strategjike për rritjen e sigurisë publike, do të financohet me rreth 2 miliardë lekë financim të huaj dhe 1 miliard lekë për TVSH-në.