Policia me qarkore urgjente, ndalimi i kontrollit të telefonave dhe mbrojtja e të miturve

Qarkorja parashikon praninë e prindit dhe psikologut gjatë procedurave me të miturit. Zbatim i ligjit edhe për gazin

36
Policia tërheq një protestues

Vetëm dy javë pas përplasjeve mes forcave të policisë dhe protestuesve në kryeqytet, Policia e Tiranës ka nxjerrë një qarkore urgjente me udhëzime për mënyrën se si duhet të veprohet veçanërisht me të miturit, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi.

Në dokumentin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të datës 23 tetor 2026, drejtuar komisariateve të policisë në Tiranë dhe Krujë, kërkohet marrja e masave të menjëhershme për garantimin e sigurisë dhe trajtimin e të miturve në përputhje me Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe aktet e tjera ligjore përkatëse.

Mes masave të përcaktuara në qarkore është identifikimi i qartë i çdo punonjësi policie gjatë shërbimit, përmes numrit të identifikimit, si dhe identifikimi i automjeteve të policisë gjatë çdo operacioni.

Gjithashtu, kërkohet bashkëpunim me Bllokun e Sigurisë për marrjen e masave urgjente në menaxhimin e rasteve që përfshijnë të mitur, me qëllim shmangien e mbipopullimit dhe transferimin e tyre në ambiente të tjera, brenda kapaciteteve ligjore.

Udhëzime

Për çdo të mitur, autoritetet policore udhëzohen të sigurojnë praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut, si dhe të përdorin formularët përkatës për të drejtat e të miturve përpara çdo pyetjeje. 

Gjithashtu, kërkohet mbajtja e një regjistri të veçantë për personat e ndaluar të kësaj moshe.

Qarkorja ndalon kryerjen e kontrolleve të telefonave pa urdhër gjyqësor, si dhe kërkesat për dhënien e fjalëkalimeve të celularëve pa bazë ligjore.

Një tjetër pikë e rëndësishme e dokumentit lidhet me përdorimin e teknologjisë dhe dokumentimin e veprimeve policore. 

Në qarkore kërkohet bashkëpunim me Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit për sigurimin e kamerave dhe vendosjen e tyre në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit, në zyra dhe në çdo mjedis ku kryhen procedura të ndalimit. 

Po ashtu, kërkohet ruajtja e pamjeve filmike deri më 19 tetor 2026, sipas afatit të përcaktuar në dokument.

Aktet ligjore

Në dokument theksohet edhe nevoja që strukturat policore të njihen me aktet ligjore që rregullojnë përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës.

Në përfundim, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon plotësimin e regjistrave të shoqërimit me të gjitha të dhënat e nevojshme dhe zbatimin e saktë të detyrimeve ligjore që lidhen me trajtimin e të miturve.

Qarkorja mban firmën e zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike, kryekomisar Edmond Meshini dhe u drejtohet komisariateve 1,2,3,4,5,6 dhe 7 për zbatim.

Rama i premtoi shpërblim 

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi një shpërblim prej 2,500 eurosh për çdo efektiv policie të angazhuar në përballimin e protestave, duke vlerësuar rezistencën, sakrificën dhe dinjitetin e tyre përballë presionit, një deklaratë që   kalon në kufijtë e propagandës.

Ndërsa nga njëra anë lëvdohet puna dhe rezistenca e efektivëve, pranimi i nevojës për një udhëzim të tillë pas dy javësh përplasje dëshmon se në terren ka pasur shkelje serioze të procedurave ligjore.

Kjo qarkore e vonuar nxjerr në pah hendekun mes retorikës zyrtare të shpërblimit dhe dështimeve strukturore në respektimin e të drejtave të protestuesve, veçanërisht të miturve për të cilët Faktoje ka trajtuar një shkrim të vecantë më herët.

 Mesazhi i Toni Gogut

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu përmes një videoje informuese në rrjetet sociale, sqaron se sipas ligjit shqiptar, përgjegjësia penale nuk fillon në moshën 18 vjeç, siç mund të mendohet, por që në moshën 14 vjeç për krimet dhe 16 vjeç për kundërvajtjet penale.

“Përgjegjësia penale nuk fillon në moshën 18 vjeç. Sipas legjislacionit shqiptar, të miturit mbajnë përgjegjësi penale: nga mosha 14 vjeç për kryerjen e krimeve dhe nga mosha 16 vjeç për kryerjen e kundërvajtjeve penale”, – thuhet në mesazhin e Gogut.

Në të njëjtën video, të njëjtin sqarim e jep edhe Burgela Allgjata, oficere e sigurisë në shkolla.

Ndërkohë, sipas Taulant Ballës, ndryshimet në ligjin për tubimet, që parashikojnë gjoba për protestuesit që nuk i binden autoriteteve, fshehin identitetin apo bllokojnë qarkullimin, do të hyjnë menjëherë në fuqi përmes një akti normativ që pritet të miratohet nga qeveria.

Shoqëria civile dokumenton 180 episode dhune

Më herët, sot, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, avokatë dhe studentë kanë dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, duke kërkuar hetimin e rasteve të pretenduara të dhunës policore gjatë protestave të fundit.

Kallëzimi synon nisjen e hetimeve për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve policorë që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

Sipas materialeve të paraqitura pranë SPAK-ut, në kallëzim janë përfshirë mbi 180 episode të dokumentuara, që lidhen me veprime të pretenduara të paligjshme dhe përdorim të forcës gjatë tubimeve.

Disa ditë më parë, drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Altin Hazizaj, tha për Faktoje se përgjegjësia penale e çdo të mituri është individuale dhe duhet të provohet për secilin person.

Shifra dhe raporti

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, nga nisja e protestave prej 13 tetorit, në kryeqytet janë arrestuar të paktën 300 persona, prej të cilëve 35 janë të mitur të moshës 15 deri në 17 vjeç.

Në qarqet e tjera të vendit janë raportuar më pak se 30 arrestime, ndërsa, sipas të dhënave të disponueshme, nuk ka të mitur mes tyre.

Nga ana tjetër, policia nuk jep të dhëna për numrin e të miturve të shoqëruar në komisariate.

NJë raport për tejkalim të tepruar të forcës ndaj protestuesve nga punonjësit e policisë është ngritur edhe nga Avokati I Popullit.

Gjatë monitorimit u evidentuan edhe 6 të mitur, për të cilët u ngritën shqetësime lidhur me kushtet e mbajtjes dhe kontaktin me familjen e avokatin.