BallinaTë pambajturaÇfarë ndodhi me premtimin e kryebashkiakut të Vlorës për taksim të barabartë dhe konsultim?

Çfarë ndodhi me premtimin e kryebashkiakut të Vlorës për taksim të barabartë dhe konsultim?

JEROLA ZIAJ

Një vendim i Këshillit Bashkiak Vlorë ka rritur me 8 mijë lekë tarifën e pastrimit për komunitetin e biznesit, pavarësisht hapësirës që kanë për shfrytëzim. Ky vendim, për të cilin grupet e interesit thonë se nuk është konsultuar paraprakisht dhe janë gati ta ndjekin në rrugë ligjore, bie ndesh me premtimin e kryebashkiakut Dritan Leli, para se të merrte mandatin në vitin 2015. Bashkia Vlorë, ka refuzuar të japë një përgjigje për këtë çështje edhe pas kërkesës zyrtare për informacion.

Teksa kërkoi votëbesimin e vlonjatëve për mandatin e tij të parë në krye të bashkisë së Vlorës, në fushatën për zgjedhjet vendore të 2015-s, kandidati Dritan Leli premtoi trajtim të barabartë për mbledhjet e taksave dhe tarifave; Transparencë publike dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjet për qytetin.

Disa nga premtimet e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, para se të merrte mandatin e parë në 2015-n

Faktoje vendosi të verifikojë sa i ka qëndruar kryebashkiaku Leli këtij zotimi, kur është në vitin 6-të në këtë detyrë.

Në muajin nëntor të këtij viti mësuam se Këshillit Bashkiak Vlorë ka vendosur që prej janarit të vitit 2022, bizneset e qytetit të paguajnë më shtrenjtë për taksën e pastrimit të qytetit.

Rendi i ditës për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Vlorë datë 2 dhjetor 2021

 

Drejtoria e Taksave dhe Tarifave vendore, prezantoi projektvendimin për rritjen e tarifës së pastrimit që duhet të paguajnë kategori të ndryshme të biznesit në qytet, i cili parashikon rritjen e tarifës së pastrimit të qytetit (për kategorinë biznes) nga 48 në 70%. Sipas drejtores së Zyrës Vendore të Taksave dhe Tarifave, Anjeza Shiko ky vendim ishte brenda kornizës ligjore.

“Kemi bërë një zonim të bizneseve dhe ato biznese që shfrytëzojnë hapësirë nga 51-100 m2 do të tarifohen me 8000 lekë/ më shumë. Pra, nga 12.000 lekë/ vit do të paguajnë 20.000 lekë.  Ndërsa për bizneset nga që shfrytëzojnë hapësirë nga +100m 2 tarifa nga 17.000 lekë/ vit do të shkojë 25.000 lekë/ vit. Ky ndryshim prek 568 subjekte, kryesisht njësi shërbimi hoteliere, restorante, fast food-e etj…”-tha drejtoresha e taksave dhe tarifave Anjeza Shiko.

Por edhe pse vendimi për ndryshimin e tarifave thuhet se është i bazuar në VKM-në 319, datë 31.05.2018, konstatuam se nuk janë zbatuar një sërë kriteresh.

Së pari, vendimi i Këshillit të Ministrave mbi të cilin është bazuar ky vendim i Këshillit Bashkiak, vlen për përpunimin e mbetjeve në landfilld, i cili në Vlorë është ende në fazën e ndërtimit.

Ne iu drejtuam Bashkisë së Vlorës, në emër të Faktoje me një kërkesë zyrtare për informacion ku kërkuam shpjegime mbi këtë vendimarrje, e cila hyn në fuqi në Janar 2022.

Screenshot i këkresës për informacion drejtuar Bashkisë Vlorë , më 9.12.2021

Deri në publikimin e këtij artikulli dhe kur ka kaluar afati ligjor, bashkia Vlorë nuk ka kthyer përgjigje.

Nga komunikimi me përfaqësues të bizneseve në Vlorë mësuam se vendimi për rritjen e tarifës së pastrimit për këtë komunitet nuk është konsultuar me grupet e interesit.

Adrian Taushani, administrator i një bar/lounge në qytet tha se nuk ka ndryshuar shërbimi e për pasojë nuk mund të rritet tarifa e pastrimit.

“U njohëm me këtë vendim nga media, pasi është një vendimmarrje e pakonsultuar me grupet e biznesit që preken në mënyrë direkte. Ne e konsiderojmë abuzive dhe do të kërkojmë të rishikohet vendimi. “- tha Taushani. Vetë kreu i bashkisë së Vlorës nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar për pretendimet e biznesit, pas miratimit të rrtijes së tarifës së pastrimit unanimisht nga Këshilli Bashkiak Vlorë.

 

Vasil Bedinaj, pronar i një rrjeti biznesesh në qytet tha se do të nisin betejë ligjore për të kundërshtuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Vlorës, që sipas tij cënon biznesin.

“Kishim menduar t’i kërkonim prefektit të Qarkut të mos e njihte si vendim, por tashmë është vonë. Jemi një grup biznesesh që e konsiderojmë të padrejtë këtë vendim i cili na dëmton financiarisht. Jemi të gatshëm të përballemi me kreun e Bashkisë në gjykatë.”- tha Bedinaj.

 

Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që Premtimin e kryetarit të Bashkisë Leli, për trajtim të barabartë për mbledhjet e taksave dhe tarifave, transparencë publike dhe përfshirje të qytetarëve në vendimmarrjet për qytetin ta konsiderojmë “të pambajtur”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img