Komiteti Teknik i Ekspertëve shpalli të hënën e 30 gushtit, vaksinimin e detyruar për disa kategori si: bluzat e bardha, arsimtarët dhe studentët. Ekspertët tregohen skeptikë ndaj këtij vendimi, me argumentin se ai mund t’i lerë vend fenomenit të vaksinimit fiktiv. Megjithatë, vaksinimi i detyruar është një mekanizëm që ka nisur të zbatohet më herët nga vende si Italia, që përveç strukturave të shërbimeve publike, po e ‘shtrin’ imponimin për injektimin e vaksinës edhe në ndërmarrje më të vogla.
“Në vlerësim të përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit publik, komiteti i ekspertëve ka vendosur rekomandimin e vaksinimit të detyruar për grupet më të rrezikuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët.” – u shpreh zëvendësministria e Shëndetësië Mira Rakacolli, njëkohësisht anëtare e Komitetit Kombëtar të Ekspertëve.
Këtij vendimi i parapriu një deklaratë e kryeministrit Rama në 26 Gusht, ndërsa inspektonte rezidencën studentore numër dy në Qytetin Studenti.
“… mund të vijë momenti, duke pasur parasysh edhe çfarë po ndodh nëpër botë dhe rritjen e numrave, rreziqet që paraqet variant i ri Delta që vaksinimi për studentët që hyjnë në auditore të jetë i detyrueshëm dhe do të duhet që t’u komunikohet kjo vijimësisht, që nëse vjen momenti, të mos thonë pse s’na thatë. Këtu s’ka “dua, s’dua”..- u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama.
Me vendimin e 30 gushtit, Komiteti i Ekspertëve la të kuptohet se individë të dy kategorive të rrezikuara, mjekë dhe mësues nuk janë vaksinuar ose kanë refuzuar, ndonëse ky proces për stafin e mësuesve ka nisur që në muajin mars. Më herët Faktoje ka raportuar se jo i gjithë stafi mjekësor i ishte nënshtruar vaksinimit.
Sa i përket stafit pedagogjik, sipas një deklarate të ministres së Shëndetësisë Manastirliu, në 10 qershor, ishin vaksinuar 40 mijë individë të kësaj kategorie, na të cilët 11 mijë i kanë marrë të dy dozat. Në 19 gusht Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë, se sa është numri i të vaksinuarve nga stafi mësimor, por deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk kemi marrë një përgjigje.
Kërkesa dërguar Ministrisë së Shëndetësisë
Pse i druhen ekspertët vaksinimit të detyrueshëm?
“Unë jam kundër vaksinimit të detyruar për të gjithë kategoritë e qytetarëve dhe profesionet. Shteti e ka për detyrë të ofrojë alternativa të vaksinimit për personat që nuk dëshirojnë të vaksinohen. Përshembull në Gjermani një person që nuk dëshiron të vaksinohet, ka për detyrim të paraqesë çerifikatë testimi periodikisht.”- shprehet eksperti Erion Dasho.
Ai paralajmëron problematikat që mund të shfaqen nga aplikimi I vaksinimit të detyruar.
“Nëse një qeveri nuk u mbush dot mendjen mjekëve, mësuesve dhe studentëve për të bërë vaksinën, kujt do t’ia mbushë?! Pra qeveria, ministria dhe komiteti kanë krijuar një hendek aq të thellë me publikun sa mosbesimi i shtyn në ndërmarrje si kjo e sotmja, që shkel të drejtat dhe liritë e individit”- përfundon eksperti Dasho.
Edhe epidemiologu Ilir Alihmehemeti shpreh rezerva ndaj kësaj qasjeje.
“Nuk jam dakord. Dyshoj se do ketë efektivitet të madh. Se u vendos me detyrim vaksinimi për këto kategori nuk shkon nga 27% në 77%.”-thotë Alimehmeti, i cili i trembet një devijimi të këtij procesi drejt abuzimit.
“Rritet numri i pasaportave fiktive, domethënë ai ka një çertifikatë që tregon që është vaksinuar, ndërkohë që nuk është. E unë mund t’i qëndroj afër pa u mbrojtur për shkak se më tregon çertifikatën që është vaksinuar. Vlen të theksohet se meqë ministria jonë merr shembull nga Italia, ato e kanë marrë në konsideratë imunizimin natyror që shkon deri në 12 muaj. Po vendi ynë e ka marrë në konsideratë si do e verifikojë nëqoftëse e ka kaluar një qytetar? Detyrimi nuk ka zgjidhur asgjë në shëndetin publik.”
“Leksioni” që marrim nga Italia për vaksinimin e detyrueshëm
Italia, shteti europian që u godit më rëndë nga pasojat e pandemisë së covid-19, ka bërë të detyruar pajisjen me çertifikatën e vaksinimit anticovid, e njohur si green pass, për një numër shërbimesh publike, që nisin nga mjetet e transportit publik (trena, tragete, avionë) e deri tek baret restorantet dhe prej 1 shtatorit edhe për shkollat, siç njoftohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Itali. Por bërja e vaksinës, edhe pse jo në formë zyrtare, po kërkohet nga të gjitha strukturat në shtetin italian, siç mësuam dhe nga biseda me shumë qytetetarë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali.
Faktoje arriti të komunikojë me Ledina A. 50 vjeçe, e cila jeton prej tri dekadash në Itali dhe ndodhej në Shqipëri për të kaluar pushimet verore. Ledina u jep mësime baleti në Torino disa grupeve me fëmijë. Ajo tregon për Faktoje se një ditë më parë, i mbërriti, përmes platformës whatsapp një mesazh nga drejtuesit e qendrës ku punon, se ishte e nevojshme të bënte vaksinën anticovid.
“Bërja e vaksinës nuk është e detyruar, por për shkak të kontaktit me personat dhe rrezikut të përhapjes së covid dhe varianteve të tij, jemi të detyruar t’ju pezullojmë nëse nuk i nënshtroheni vaksinës”- citohej në mesazh sipas Ledinës, e cila pas dy ditësh do t’i rikthehet punës në Itali.
“Jam e detyruar ta bëj vaksinën sapo të kthehem, nuk kam rrugë tjetër, edhe pse jam skeptike për vaksinën.”-tha Ledina për Faktoje.
Lexo edhe:
Çfarë e kërcënon vaksinimin e plotë të popullsisë brenda afatit të premtuar nga qeveria
Qeveria bën transparencë për pagesat e vaksinave Coronavac e Sputnik, por ‘harron’ Pfizer