Plazhi falas pas orës 19:00 është montazh i postimit të Kumbaros

1100

Në mesin e muajit korrik, në rrjete sociale u përhap me shpejtësi një postim i ministres së turizmit Mirela Kumbaro, ku njoftohej se çadrat dhe shezlongët në plazhet publike do të ofrohen falas pas orës 19:00. Portalet pretendonin se nisma ishte kopjuar nga Mali i Zi, tre ditë pasi fqinjët tanë e kishin vënë rregullin e ri. Por verifikimet e Faktoje tregojnë se edhe ky pretendim është i pavërtetë.

Në 15 korrik rrjetet sociale u mbushën me një postim nga profili i ministres së Turizimit Mirela Kumbaro në Instagram, ku lajmërohej nisma për çadra dhe shezlongë falas në plazhe publike pas orës 19:00.

 “Mirëmëngjes nga Himara, ku modeli i plazhit publik me çadra dhe shezllone të reja pa pagesë pas orës 19, bëhet realitet për pushuesit,”- shkruante postimi që nxiti reagime të shumta në rrjete sociale dhe media të ndryshme.  

Verifikimet treguan se postimi nuk ishte bërë nga profili i ministres së Turizmit Mirela Kumbaro, por ishte produkt fotomontazhi.

“Postimi në fjalë nuk ekziston, po ashtu siç nuk ekziston as vendimi i pretenduar. Kemi të bëjmë me një fotomontazh. Fotografia është marrë nga një postim i ministres Kumbaro në llogarinë e saj në Instagram, ku promovohej plazhi publik i Sarandës, dhe është manipuluar teksti. Kjo është fare lehtë e verifikueshme në llogarinë e Mirela Kumbaros. Megjithëse mjaftonte vetëm një kontroll i thjeshtë për të verifikuar vërtetësinë, ky fotomontazh i shpërndarë në rrjete sociale, fatkeqësisht, u përhap si lajm edhe në disa media online duke keqinformuar publikun.”, sqaroi në një koment për Faktoje, ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Ndërkaq edhe vetë ministrja Kumbaro, gjatë një interviste televizive për emisionin Wake Up ka ndarë të njëjtin sqarim.

Është thjesht një montazh i rremë që nuk ka ekzistuar kurrë. Fotografia që shohim është marrë nga faqja ime e Instagramit, nuk është fare e Himarës. Është plazh publik në Sarandë, Bashkia e Sarandës gjej mundësinë ta falënderoj dhe një herë, ishte e para që nisi modelin e një plazhi publik, të organizuar nga bashkia me çadra e shezlonge të vendosura nga bashkia, pa pagesë për pushuesit të cilët duan të rinë në një plazh publik dhe jo në një plazh të menaxhuar.”, tha Kumbaro për Wake Up.

Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Postimi i rremë i ministres Kumbaro u përcoll edhe në media të ndryshme si i vërtetë, madje në këto të fundit kishte detaje po kaq të pavërteta sa dhe vetë postimi.

Në artikullin e portalit ntv.al pretendohet se nisma është kopjuar nga Mali i Zi.

“E duhet theksuar se kjo nismë është tashmë e njohur për ne, pasi më parë është miratuar nga Mali i Zi, më saktësisht 3 ditë më parë, por me një ndryshim. Në Mal të Zi, shezlongët dhe çadrat do të jenë falas pas orës 17:00, ku pushuesit do të kenë mundësinë të kapin dhe rrezet e diellit të pasdites.”, shkruan portali ntv.al në brendësi të artikullit, teksa hedh akuza për kopjim nga fqinjët e Malit të Zi.

Verifikimet e Faktoje tregojnë se Mali i Zi e ka miratuar fillimisht rregullin në verën e vitit 2019.

Shënim:

Data 20 korrik 2023 website ntv.al dhe faqja në Facebook e Ntv Television  e kanë korrigjuar tekstin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.