INVA HASANALIAJ
Në mesin e muajit shkurt, në Lezhë duhej të kishte nisur rindërtimi i banesave, sipas deklaratës së kryetarit të bashkisë Pjerin Ndreu. “Faktoje” bëri verifikime në terren, por konstatoi se rindërtimi jo vetëm që nuk ka nisur, por ka ende pallate të cilat nuk janë verifikuar nga inxhinierët edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Gjatë një deklarate në një prej emisioneve televizive , në fund të muajit janar, kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu u shpreh se brenda dy javëve bashkia e Lezhës do të niste rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti me një pjesë të buxhetit të saj.
Tre javë pas kësaj deklarate, “Faktoje” më datë 19.02.2020 dërgoi në bashkinë e Lezhës një kërkesë për informacion nëse ka nisur procesi i rindërtimit të banesave dhe sa është fondi i bashkisë Lezhë për këtë proces.
Ende nuk kemi një përgjigje nga kjo bashki, por ndërkohë komunikuam me kryebashkiakun Pjerin Ndreu, për të mësuar nëse ka nisur procesi i rindërtimit siç u premtua.
Pas kësaj përgjigjeje ne shkuam në Lezhë për të verifikuar situatën në terren. U interesuam fillimisht në zyrën e informacionit në Bashkinë e Lezhës se kur do kthenin përgjigje për kërkesën e dërguar më 19 shkurt.
Na u komunikua se strukturat në bashkinë Lezhë janë duke u përditësuar dhe askush nuk mund të jepte një përgjigje se çfarë ishte bërë me kërkesën e “Faktoje”.
Shkuam në “Zyrën e Rindërtimit”, ku qytetarët të cilëve u është dëmtuar banesa nga tërmeti dorëzonin dokumentacionin për të përfituar dëmshpërblim apo rindërtimin e banesës.
Sipas kësaj zyre, procesi nuk ka përfunduar pasi ka ende banorë që presin të regjistrohen e për pasojë, rindërtimi nuk ka nisur.
Të dhënat zyrtare të regjistrimit (ende në proces) të banorëve deri në datën 24.02.2020:
Pas këtij institucioni shkuam për verifikim në zonën më të goditur nga dëmet në Lezhë, lagjen “Skënderbeg” me rreth 6 mijë banorë e cila ndodhej 10 minuta larg bashkisë.
Banorët e pallatit i thanë “Faktoje” se deri më sot, asnjë inxhinier nuk ka shkuar për verifikim ndërsa ata vazhdojnë të jetojnë aty bashkë me rrezikun që u kanoset nga shembja.
Pranë këtij pallati ndodhet një tjetër ndërtesë me dëme të dukshme në mure, por ekspertët e kanë konsideruar të banueshme.
Fatjon Baçova, i vetmi banor që pranoi të flasë, jeton me frikën se një tërmet tjetër do t’i gjente nën rrënoja atë, bashkëshorten, fëmijët dhe nënën e tij të moshuar.
“E shikojmë çdo ditë këtë dhe nuk kemi çfarë të bëjmë, ekspertët erdhën vetëm një herë dhe e shpallën të banueshme”-shprehet Fatjoni.
Ai tha se nuk ka mundësi as ta rregullojë së paku nga jashtë dëmtimin pasi i vetmi burim të ardhurash për familjen është pensioni prej 10 200 lekësh i nënës së tij.
Banesa e Fatjon Baçovës.
Nisur nga deklarata e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu dhe verifikimit të “Faktojes” për nisjen e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti, këtë deklaratë do ta kategorizojmë si të pavërtetë.