Pretendimi se pickimi nga bleta mund të kurojë kancerin është i pasaktë dhe mund të rezultojë edhe në një këshillë të rrezikshme. Verifikimi i Faktoje zbulon se përse vetitë pozitive të helmit të bletës mbeten ende në nivel kërkimor.

Vjolanda Peca

Pickimi është një nga anët e vetme negative të bashkëjetesës sonë me bletët. Megjithatë, gjatë viteve të fundit është duke u përhapur në rrjetet sociale pretendimi se lënda kimike që lëshohet gjatë pickimit nga bleta, apo ndryshe helmi i saj, mund të shërbejë si trajtim për sëmundjen e kancerit. Ky pretendim është ndarë në 16 janar nga një përdorues i Facebook , i cili e shoqëron videon për trajtimin e kancerit me pickimin e bletës me pretendimin se “Kjo është një nga gjërat e shumta që Big Pharma (kompanitë farmaceutike) fsheh nga njerëzit për të mos humbur biznesin e tyre miliarda dollarësh”.

Postimi në rrjetin Facebook mbi helmin e bletëve

Postime të ngjashme një rrjetin social Facebook arrijnë deri në këshillat ekstreme: “Nëse ke kancer, shko të të pickojë një bletë”, një këshillë e rrezikshme për ata që kanë alergji nga pickimi i bletëve.

Për të verifikuar një pretendim të tillë iu drejtuam studimeve shkencore në këtë fushë dhe mesa duket, pretendimi për vetitë pozitive të bletës e ka zanafillën nga rezultatet e një studimi të tillë.

Në shtator 2020, Instituti për Kërkime Mjekësore Harry Perkings publikoi gjetjet e një kërkimi laboratorik që tregonte se helmi i bletëve vret qelizat agresive të kancerit të gjirit.

Studiesja Ciara Duffy, arriti në këtë përfundim duke përdorur helmin e 312 bletëve dhe grerëzave në Perth Australinë Perëndimore, Irlandë dhe Angli. Ajo testoi efektin e helmit në nëntipet klinike të kancerit të gjirit, duke përfshirë kancerin e gjirit trefish negativ, i cili është pjesë e 10-15 % të rasteve me këtë sëmundje dhe ka mundësi të kufizuara trajtimi.

Këto rezultatet u publikuan në revistën prestigjioze ndërkombëtare NPJ Nature Precision Oncology. Një nga përbërësit e helmit të bletës, Melitina,  moduloi sinjalizimin në qelizat e kancerit të gjirit duke frenuar aktivizimin e receptorit që zakonisht është i mbishprehur në kancerin e gjirit trefishtë negativ, receptorin e faktorit të rritjes epidermale.

Edhe studime të tjera kërkimore kanë zbuluar përgjigje të mira nga ndërveprimi i helmit të bletës me qelizat e kancerit të gjirit dhe atë të pankreasit.

Megjithatë, Peter Leedman, drejtori i institutit dhe një profesor i mjekësisë në Universitetin e Australisë Perëndimore, tha për kolegët e USA TODAY që kanë verifikuar më parë këtë pretendim, se kërkimi i helmit të bletës është “aktualisht në fazat e eksplorimit laboratorik” dhe, në këtë pikë, nuk duhet të shihet si një miratim i metodës.

“Për sigurinë e tyre, në asnjë rrethanë njerëzit nuk duhet të përpiqen të trajtojnë sëmundjen e tyre të kancerit të gjirit duke u pickuar qëllimisht nga bletët,” tha Leedman.

Dr. John Glaspy, një onkolog në Qendrën kundër Kancerit në UCLA Jonsson, është shprehur se truku për trajtimet e kancerit është gjetja e një agjenti që vret qelizat kancerogjene duke mos dëmtuar ato të shëndetshme. Glaspy thotë se ka shumë për të qenë optimistë kur bëhet fjalë për të ardhmen e trajtimit të kancerit, por helmi i bletës nuk është ndër me prioritarët për shkencëtarët.

Interesit tonë për helmin e bletës, farmacisti i njohur për studimin e bimëve medicinale, Ylli Merja, iu përgjigj me veti të tjera pozitive të apitoksinës si vetitë antibakteriale, anti-inflamatore, rritjen e imunitetin apo qarkullimit të gjakut. Megjithatë, ai nuk konfirmoi një ndërveprim të helmit të blerës ndaj kancerit.