BallinaFaktometerE PavërtetëPërse nuk qëndrojnë justifikimet e qeverisë për shkeljen e afateve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar

Përse nuk qëndrojnë justifikimet e qeverisë për shkeljen e afateve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar

Ina Allkanjari

Kanë kaluar 2 vjet nga shembja me urgjencë e Teatrit Kombëtar, përmes një aksioni ‘blitz’. Ndërtimi i Teatrit duhet të nisë në 2022 dhe të përfundojë në viti 2024, referuar listës së investimeve publike me financim të brendshëm. Por edhe pse ndërtimi i teatrit të ri, ishte prioritet në mandatin 2017-2021, deri më sot nuk rezulton të jenë hapur tenderimet apo të jenë lidhur kontrata. Kryeministri Rama e justifikoi shkeljen e afateve për nisjen e ndërtimit të teatrit, me tërmetin, pandeminë dhe luftën në Ukrainë, por ekspertët rendisin argumentat që rrëzojnë këto pretendime.

————-

“Për fat të keq u bënë tani 3 vjet që bëjmë plane e kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh jashtë nesh si tërmeti, pandemia e lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe çmimeve të ndërtimit në veçanti… Po merremi me këtë çështje dhe besoj që do gjejmë një zgjidhje dhe Teatri Kombëtar do ndërtohet siç është projektuar e siç jemi zotuar. Por jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e parashikuara kur mes teje e afatit futet një ngjarje që as parashikohet e as evitohet.” – deklaroi kryeministri Edi Rama në datë 25 prill në konferencën kushtuar Javëve Ndërkombëtare të Kulturës.

Nisur nga kjo deklatarë, Faktoje vendosi t’i drejtohet me një kërkesë zyrtare Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës ku ndër të tjera kërkuam informacion se pse nuk është buxhetuar ndërtimi i godinës së Teatrit Kombëtar në vitin 2021, a ka filluar aktualisht procesi i prokurimit dhe nëse ka një impakt nga rritja e çmimeve, sa është kosto shtesë e vlerësuar.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë datë 29.04.2022

Deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi një përgjigje nga institucionet e mësipërme.

Në një kontroll në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave figuron lista e Investimeve Publike me Financim të Brendshëm, për vitin 2021-2023. Në këtë listë rezulton i parashikuar buxheti për rijetësimin e Piramidës së Tiranës, por ndonëse shembja e Teatrit Kombëtar ndodhi në maj të vitit 2020, një vit më pas nuk ishte parashikuar buxhet për ndërtimin e godinës së re.

Screenshot, lista e Investimeve Publike me Financim të Brendshëm, për vitin 2021-2023

Për herë të parë, godina e Teatrit Kombëtar shfaqet në listën e Investimeve Publike me Financim të Brendshëm, në buxhetin e vitit 2022-2024.

Screenshot, lista e Investimeve Publike me Financim të Brendshëm, për vitin 2022-2024

Viti i fillimit të ndërtimit të godinës rezulton 2022 dhe viti i përfundimit është 2024, me vlerë totale të investimit 4.8 miliardë lekë (rreth 39 milion euro).

Vlera për vitin e parë të punimeve është 900 milionë lekë (rreth 7.4 milionë euro). Vlera totale e investimeve kapitale në “Art dhe Kulturë” për vitin 2022 ishte sipas listës së investimeve në vlerë totale 2.043 miliardë lekë, ku përfshihet edhe pjesa përkatëse për Teatrin Kombëtar.

Nëse i referohemi ndryshimeve në buxhet për vitin 2022, sipas Aktit Normativ të marsit, kjo vlerë nuk ka ndryshuar, pra qeveria nuk ka shkurtuar projekte në këtë zë si përgjigje ndaj krizës së krijuar muajt e fundit (ndyrshe nga rasti i arsimit). Pra deri më tani mund të themi që Qeveria vazhdon ta ketë të buxhetuar projektin e Teatrit Kombëtar.

Nga një kërkim që realizuam në Open Procurement në datë 11 maj 2022, nuk rezulton të jenë hapur tenderimet për ndërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar dhe nuk figuron asnjë kontratë e lidhur.

Sipas angazhimit të qeverisë, ndërtimi i Teatrit Kombëtar ishte prioritar që në mandatin e kaluar qeverisës. Konkretisht ndërtimi i godinës së re rezulton edhe në programin qeverisës të vitit 2017-2021 ku theksohet:

Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë gjithashtu ndërtimin për Teatrin e Ri Kombëtar.

Kjo u përforcua edhe nga kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili në 5 korrik 2021 pasi Këshilli Kombëtar i Territorit kaloi lejen e ndërtimit për Teatrin e ri Kombëtar, deklaroi:

“Do presim zbardhjen e lejes nga KKT, do respektojmë procedurat dhe besoj në 100 ditë do të nisimin punën për Teatrin e ri Kombëtar… Viti i ri do ta gjejë Tiranën të paktën me një kantier teatri të ri”.

Ekspertë ekonomisë, të pyetur nga Faktoje se pse ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar nuk rezulton i buxhetuar për vitin 2021, u shprehën se përdorimi i tërmetit, pandemisë apo luftës në Ukrainë si argumenta për vonesën e fillimit të punimeve për godinën e re, nuk qëndron.

“Nëse kemi në konsideratë kohën kur ndodhi shembja e teatrit, duhet të kemi parasysh që tërmeti kishte ndodhur, ashtu si edhe ne e dinim shumë mirë që ishin nën efektet e pandemisë. Që do të thotë, përdorimi i tërmetit dhe pandemisë si justifikime për vonesën me dy vite nga shembja e fillimit të punimeve për godinën e re, nuk qëndron.  Gjithashtu po të kemi parasysh kohën e shembjes, qeveria ka pasur të gjithë kohën e nevojshme në vitin 2020 që ta përfshinte atë në buxhetin e hartuar për vitin 2021, gjë që nuk ka ndodhur. Ky fond është buxhetuar në vitin 2022, ndaj mbetet të shikohet nëse do të realizohet. Në një nga kushtet në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, kërkohet që në vitin e parë të alokohen të paktën 20% e vlerës totale të kontratës, që në këtë rast është të paktën 960 milion lekë dhe jo 900 milion lekë sa është përcaktuar në listën e investimeve”- pohojnë ekspertët.

Sa i takon argumentit të ndikimit të luftës, ata japin këtë argument:

“Aspekti i parë konsiston në riprioritizime të buxhetit, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur për rastin e Teatrit Kombëtar referuar buxhetit me ndryshimet e tij. Aspekti i dytë ka lidhje me rritje të mundshme të kostos së ndërtimit përtej parashikimeve për vlerën e godinës së re. Nëse është kjo e dyta, po të marrim një rritje të cmimeve të ndërtimit me 10%, impakti do të ishte diku te 4 milionë euro shtesë, çka nëse është në prioritetet e qeverisë është lehtësisht e përballueshme. Por ky argument do të ishte i vertetë edhe për projekte të tjera kapitale të vitit 2022, çka përsëri na dërgon tek tema e prioritizimit”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img