Pretendimi: Kjo video tregon një incident në pistën e skive në Brezovicë
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon prej 26 nëntorit një video e dy të rinjve që rrëshkasin rrezikshëm me slitë nga maja e një kodre, me pretendimin se ajo është filmuar në Brezovicë, Kosovë. Slita me të rinjtë godet nga pas një vajzë që ndodhej në borë duke e lënë të shtrirë dhe ndoshta edhe me dëmtime të rënda. Postimi që shoqëron videon këshillon të tregohet kujdes nga këta persona në “Brezovicën e bukur”.
Në këto ditë pushimesh dimërore ku shumë qytetarë planifikojnë të udhëtojnë në destinacione skiimi, video është ndarë me shpejtësi dhe ka marrë edhe komente të shumta negative për papërgjeshmërinë e të rinjve, por edhe mungesën e kontrollit dhe rregullit në pistën e Brezovicës. Brenda pak orëve video është ndarë edhe nga përdorues të huaj duke përsëritur këshillën për kujdes të shtuar gjatë përdorimit të pistave të skive.
Megjithatë, pas një analize të videos së mësipërme Faktoje gjeti se video e aksidentit nuk është filmuar në pistën profesionale të Brezovicës, por në Prevallë, rreth 12 km larg Brezovicës.
Nëse vërejmë godinat që duken ne pjesën e parë të videos në fund të kodrës me një foto të Parkut Kombëtar të Sharrit në Prevallë ngarkuar në wikipedia në 2022, vëmë re se ato janë të njejta.
Në foto duket gjithashtu një godinë që mban emrin Prevalla, e cila përkon me biznesin Hotel & Restaurant Prevalla, i cili ndodhet në Prevallë, Kosovë.
Megjithëse edhe Prevalla edhe Brezovica gjenden në Parkun Kombëtar Malet e Sharrit, ato i përkasin dy komunave të ndryshme, Prizren dhe Shtërpcë, përkatësisht.
Ndryshe nga Prevalla, në Brezovicë ekziston një pistë profesionale me nivele të ndryshme vështirësie me një gjatësi totale prej 13 kilometrash si dhe 3 teleferikë që transportojnë skiatorët.