Një incident i vitit 1945, kur një avion B-25 Mitchell u përplas me kullën Empire State Building në New York, po përdoret nga konspiracionistët për të aluduar se shembja e Kullave Binjake në 11 shtator 2001 ishte një mashtrim. Verifikimi i “Faktoje” krahason faktet e dy ngjarjeve.
——————————————
Përplasja e një avioni me godinën e Empire State Building në 1945 po përdoret në rrjetet konspiracioniste shqipfolëse për të pretenduar se shembja e Kullave Binjake në 2001 ishte një konspiracion.
Postimi i mësipërm gabon, si fillim, në detajet bazë të ngjarjes, duke pretenduar se incidenti kur një avion B-25 Mitchell u përplas me Empire State Building ndodhi më 16 gusht 1945. Në të vërtetë, data ishte 28 korrik 1945. Më tej, si pasojë e këtij aksidenti vdiqën 14 njerëz, jo 13 siç thotë postimi.
Le të krahasojmë dy përplasjet.
Në 28 korrik 1945, një avion bombardues B-25 Mitchell u përplas në 3 kate të Empire State Building, si pasojë e mjegullës së dendur. Përplasja shkaktoi një zjarr dhe një vrimë në trupin e kullës me përmasa 5.5 metra gjerësi dhe 6 metra gjatësi.
Në 11 shtator 2001, një avion nën drejtimin e rrëmbyesve u përplas në 7 kate (93-99) të Kullës Veriore në orën 08:46. Rreth 17 minuta më vonë, në 09:03, një avion i dytë, gjithashtu i drejtuar nga rrëmbyesit, u përplas në 10 kate (75-85) të Kullës Jugore. Brenda një ore, në 09:59, Kulla Jugore u shemb. Pas gjysëm ore, në 10:28, u shemb edhe Kulla Veriore.
Sipas faqes kushtuar avionëve Aerospaceweb, ka disa arsye pse aksidenti i vitit 1945 shkaktoi dëme relativisht të vogla, krahasuar me sulmin e 11 shtatorit.
Si fillim, energjia e përplasjes ndryshonte.
Avioni B-25 peshonte afërsisht 9,760 kg dhe po udhëtonte me shpejtësi 320 km/h. Energjia e prodhuar nga përplasja e tij ishte rreth 40 milionë J (xhaulë).
Ndërkohë, Kullat Binjake u goditën nga dy avionë Boeing 767 që po udhëtonin me dyfishin e shpejtësisë dhe peshonin 15 herë sa avioni B-25. Energjia e prodhuar nga përplasja e tyre varion nga 2.6 – 4.1 miliardë J (xhaulë), pra 60-100 herë më e madhe se ajo e prodhuar nga përplasja e B-25. Kjo shifër ishte, me gjasa, më e madhe në realitet, sepse në llogaritje nuk merret parasysh energjia e çliruar nga shpërthimi i karburantit që mbante avioni Boeing 767, e cila do ta tejkalonte ndjeshëm energjinë e çliruar nga karburanti që mbante avioni shume më i vogël B-25.
Një krahasim i madhësive të avionënve B-25 dhe Boeing 767
Energjia shumë më e lartë kinetike bëri që Boeing 767 të penetronte më thellë në gjerësinë e godinave të Kullave Binjake seç bëri B-25 në Empire State Building. Shumica e forcës së përplasjes së B-25 u përthith nga muri i jashtëm i godinës, duke shkaktuar pak dëme në strukturën e brendshme. Ndërkohë, dëmet e shkaktuara në Kullat Binjake nga Boieng 767 ishin dëme strukturore që çuan edhe në shembjen e tyre.
Shpërthimi i karburantit të avioneve luajti gjithashtu një rol domethënës në dëmin e shkaktuar nga të dy aksidentet. Boeing 767 ka kapacitet për të mbajtur 35 herë më shumë karburant se sa B-25. Në kohën e përplasjes, B-25 gati i kishte mbaruar karburanti ndërsa Boeing 767 e kishin serbatorin të mbushur gati në gjysmë.
B-25 përdorte një karburant të quajtur avgas, një version benzine, ndërsa Boeing 767 përdor karburant Jet-A, një derivat të vajgurit, që përdoret nga të gjithë avionët e pasagjerëve. Karburanti me bazë vajguri arrin temperatura më të larta në djegie se benzina, çka bëri që zjarri në Kullat Binjake të ishte më i fortë se sa ai i Empire State Building.
Arkitektura e godinave gjithashtu luajti një rol. Trarët që mbajnë strukturën e Empire State Building mbrohen nga një mbështjellje 20 cm e trashë prej betoni ose guri gëlqeror. Kjo masë e rëndë prej guri shërben si izolant kundër nxehtësisë së lartë.
Ndërkohë, materiali kryesor i ndërtimit në Kullat Binjake ishte çeliku. Në këto godina moderne, betoni ishte eleminuar, për t’u zëvendësuar me një izolant më të lehtë, i cili u dëmtua lehtësisht nga përplasja.
Nxehtësia e lëshuar nga djegia e karburantit të avioneve (600-800 gradë celsius) dobësoi trarët e çelikut që mbanin strukturën e godinave. Dëmi nga goditja nga aeroplanët, pasuar nga zjarret e mëdha që u shpërndanë nëpër godina, çuan në ‘varjen’ e strukturave të kateve si pasojë e nxehtësisë, dhe në përkuljen e kolonave të jashtme që çoi në rënien e tyre. Si pasojë e dështimit të këtyre kolonave mbajtëse, pjesa e poshtme e strukturës nuk arriti ta mbante pjesën e godinës mbi pikën e impaktit (20-30 kate).