Pretendimi: Përmbytjet në Dubai u shkaktuan nga shiu artificial i krijuar me “teknologjinë HAARP”

Verdikti: E pavërtetë


———————————————————-

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Së fundmi, atij po i vishet përgjegjësia për përmbytjet në Dubai, të cilat pretendohet në rrjet se janë pasojë e shiut artificial. Video e shpërndarë në Facebook nga faqja TV Apollon ka marrë mbi 150 mijë shikime. Në fakt video prezanton mbërritjen e stuhisë dhe nisjen e shirave të rrëmbyeshëm dhe jo pamje të ndonjë efekti apo teknologjie të caktuar.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. 

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Veprimtaria e HAARP nuk ka lidhje me “shiun artificial”, quajtur gjithashtu edhe mbjellja e reve. Teknika e ‘mbjelljes së reve’ (cloud seeding) është një lloj modifikimi i motit që ka për qëllim ndryshimin e sasisë ose llojit të reshjeve që bien nga retë duke shpërndarë në ajër substanca kimike që shërbejnë si kondensim për retë, duke modifikuar porceset mikrofizike në brendi të resë.

Megjithëse programe të mbjelljes së reve janë zbatuar nga qeveri të ndryshme të botës që në vitet 1950, efektiviteti i kësaj teknike në nxitjen e reshjeve mbetet i debatuar. “Deri më tani,” thotë ekologu Rob Jackson nga Universiteti i Stanford, “të bësh që të bjerë shi është ende më shumë art sesa shkencë.”

Sa i përket përmbytjeve në Dubai në Prill 2024, Qendra Kombëtare Meterologjike (NCM) e Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila është përgjegjëse për operacionet e mbjelljes së reve në vend, tha se agjencia “nuk kreu ndonjë operacion mbjelljeje përgjatë kësaj ndodhie.”

Agjencia tha se kishte gjurmuar reshjet e rënda që priteshin të binin, por nuk shënjestroi ndonjë re për mbjellje përgjatë asaj periudhe, duke ia atribuar stuhinë reshjeve natyrale. “Ne e marrim sigurinë e njerëzve, pilotëve dhe avionëve tanë shumë seriozisht,” tha zv. drejtori i agjencisë. “NCM nuk kryen operacione mbjellje resh përgjatë ndodhive ekstreme klimaterike.”

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përjetuar një rritje në reshje vitet e fundit, dhe precipitimi pritet të rritet me 15-30% gjatë viteve në vijim sipas një raporti të revistës shkencore Nature.