.

.

BallinaBurokraciPërgjigje të vonuara dhe jo shteruese nga Ministria e Shëndetësisë për çadrën e vaksinimit

Përgjigje të vonuara dhe jo shteruese nga Ministria e Shëndetësisë për çadrën e vaksinimit

Ministria e Shëndetësisë e cila njoftoi heqjen e çadrës së vaksinimit më 25 nëntor të 2021, duket se nuk ka një plan për ta kthyer sërish atë. Në një përgjigje të paplotë që ironikisht mbërriti në redaksinë e Faktoje, një ditë para afatit për heqjen e fshatit festiv në Sheshin “Skëndërbej”, MSH nuk jep informacion nëse do vendoset çadra e vaksinimi. Ky institucion është mjaftuar me një njoftim se procesi është zhvendosur në qendrat shëndetësore dhe në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’.

…………………………………………………………………………..

Më shumë se një muaj nga heqja e çadrës së vaksinimit nga Sheshi “Skënderbej”, më 24 nëntor dhe zëvendësimn me fshatin festiv nga bashkia Tiranë, po atë ditë, Ministria e Shëndetësisë u kujtua të dërgojë përgjigjen zyrtare pas pyetjeve të adresuara nga Faktoje.

Kërkesa për informacion dërguar MSH, 24 nëntor 2021

Përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë mbërritur në redaksinë e Faktoje më 5 janar 2022

Përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë erdhi vetëm pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit. Ajo mban datën 30 dhjetor 2021 dhe ironikisht mbërriti me postë në zyrat e Faktoje më 5 janar 2022, ose një ditë para afatit për heqjen e fshatit festiv në Sheshin “Skënderbej”.

Foto nga zona festive në Sheshin “Skënderbej”

Në përgjigjen e cunguar MSH sqaron se prej datës 25 nëntor vaksinimi është zhvendosur pranë qendrave shëndetësore dhe në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’ në kryeqytet, ndërkohë që nuk jep asnjë informacion në lidhje me arsyet e heqjes së saj dhe nëse çadra e vaksinimit do të rivendoset në shesh.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar heqjen e çadrës së vaksinimit të vendosur prej muajsh në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Sipas njoftimit që është bërë, duke filluar nga data 25 nëntor çadra e vaksinimit është zhvendosur pranë qendrave shëndetësore, si dhe pikës së vaksinimit të përqendruar në stadiumin ‘Air Albania’. Ekipi i vaksinatorëve dhe mjekëve kanë qenë në shërbim pranë qendrave shëndetësore si dhe në stadiumin ‘Air Albania’, ku ka vijuar çdo ditë vaksinimi anticovid”- thuhet në përgjigjen e MSH.

Faktoje publikoi një artikull në 25 nëntor ku raportonte se çadra e vaksinimit ishte hequr, ashtu siç u njoftua zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë vetëm dy ditë para, më 23 nëntor. Por, ndryshe nga çfarë pritej, më 24 nëntor kishte dyndje të qytetarëve për të bërë dozën e tretë të vaksinës anti-covid, pasi ishin informuar për heqjen e çadrës.

Gjatë verifikimit në terren më 24 nëntor, ende pa u larguar çadra e vaksnimit, në sheshin “Skënderbej” kishte nisur puna nga Bashkia e Tiranës për ngritjen e “Fshatit të Festave” dhe vendosja e shtëpizave prej druri.

Foto nga zona festive në Sheshin “Skënderbej”

Në lidhje me aktivitetin “Festa në Tiranë”, Bashkia e Tiranës bëri të ditur për Faktoje se leja për organizimin e saj kishte afat në Sheshin “Skënderbej” deri në datë 6 janar 2022.

“Në mbështetje të kreut VI, të vendimit nr.130, datë 15.11.2018 të Këshillit Bashkiak ‘Për miratimin e rregullores ‘Për kushtet dhe rregullat e zënies së hapësirave publike në Bashkinë e Tiranës’, Drejtoria e Përgjithshme Juridike e Aseteve dhe Licencimit lëshon leje për zhvillim aktiviteti promovues, artistik, kulturor, manifestim politik etj, në hapësirë publike për subjektet, të cilat plotësojnë dokumentacionin e kërkuar sipas formularit të aplikimit. Në sheshin ‘Skënderbej’ do të zhvillohet aktiviteti ‘Festa në Tiranë’ për periudhën kohore 28 nëntor 2021-6 janar 2022”- njoftoi Bashkia e Tiranës për Faktoje më 13 dhjetor.

Përgjigja e Bashkisë Tiranë për Faktoje

Ngritja e fshatit festiv ku u shënuan grumbullime masive, pikërisht në vendin ku ishte çadra e vaksinimi u argumentua nga kryebashkiaku Veliaj gjatë një interviste në prag të Krishtlindjes:

“Unë besoj, me mënyrën që është menaxhuar, sidomos ne Tiranë me vaksinat, me atmosferën që është krijuar në shesh, me fishekzjarret që kemi porositur, mendoj që Viti i Ri është një lloj terapie kolektive. Në pamundësi për të shkuar te psikologu për t’u rrëfyer, është një lloj çlirimi i energjisë negative, toksinave, që kemi grumbulluar nga historitë e pakendshme dhe unë besoj që është terapia më e madhe kolektive ajo java e fundit e vitit, ku njerëzit puthen, përqafohen ku ka festa, dreka e darka.”

Në lidhje me çështjen e vaksinimit, MSH njoftoi më 17 dhjetor 2021 se vijonte vaksinimin masiv në pikat e përqëndruara tek qendrat shëndetësore, poliklinikat si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet në kuadër të aksionit kombëtar “derë më derë”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img