BallinaFaktometerE vërtetëÇadra e vaksinimit zëvendësohet nga “Fshati i Festave”

Çadra e vaksinimit zëvendësohet nga “Fshati i Festave”

Ministria e Shëndetësisë, vendosi të heqë çadrën e vaksinimit nga sheshi “Skënderbej”, me argumentin se procesi do zhvendoset në qendrat shëndetësore dhe në stadiumin “Air Albania”. Nga një verifikim i Faktoje, në sheshin “Skënderbej” konstatuam se ende pa u zhvendosur tërësisht çadra e vaksinimit, kishte nisur puna nga Bashkia e Tiranës për ngritjen e “Fshatit të Festave” dhe vendosja e shtëpizave prej druri.

…………………………………………………

“Duke filluar nga dita e enjte, datë 25 nëntor, ekipi i vaksinatorëve dhe mjekëve do të jetë në shërbim pranë qendrave shëndetësore si dhe në stadiumin ‘Air Albania’, aty ku do të vijojë çdo ditë vaksinimi anti-COVID”- njoftoi Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një postimi në Facebook.

Screenshot nga postimi i Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook

Pak ditë më parë, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë për të mësuar se cilat ishin arsyet e marrjes së një vendimi të tillë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 24 nëntor

Duke qenë se jemi në prag të festave të fundvitit, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës, për të mësuar nëse planifikohej këtë vit ngritja e “Fshatit të Festave” në sheshin “Skënderbej”. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgigje nga institucioni në fjalë.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë, 24 nëntor

Faktoje bëri një verifikim në sheshin “Skënderbej” të mërkurën e 24 nëntorit, një ditë përpara datës së njoftuar për heqjen e saj.

Gjatë vëzhgimit vumë re se çadra ishte ende aty, ndërsa personi përgjegjës për sigurinë bëri të ditur se çmontimi do të niste të mërkurën në mbrëmje (më 24 nëntor).

“Kështu na kanë thënë, në darkë do e heqim. Nuk dimë më shumë për këtë çështje”- tha ai.

Ajo që na ra në sy gjatë verifikimit, ishte fakti se në ditën e fundit të qëndrimit të çadrës në Shesh, kishte njerëz në radhë për t’u vaksinuar.

Qytetarët në radhë për t’u vaksinuar në sheshin “Skënderbej”, 24 nëntor

Shumë prej tyre, pohuan për Faktojen se po prisnin për të bërë dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.

“Po pres të bëj dozën e tretë të vaksinës, do bëj Pfizer. Këtu po ofrohen dy lloje vaksinash, kinezja dhe Pfizer. Jemi të informuar që do hiqet çadra dhe erdhëm ta bënim sa më parë”- u shpreh një e moshuar.

“Nuk e dija që do kishte kaq shumë njerëz për t’u vaksinuar. Jam me sëmundje kronike, do bëj dozën e tretë të vaksinës. Pashë që do e zhvendosnin çadrën dhe erdha ta bëja sot”- tha një tjetër e moshuar që priste në radhë në sheshin “Skënderbej”.

Ende pa u hequr çadra, në sheshin “Skënderbej” kishte nisur puna për vendosjen e Pemës së Festave të fundvitit dhe ngritjen e shtëpizave prej druri, ashtu si çdo vit. Punëtorë të shumtë ndodheshin në shesh duke punuar për të bërë gati qendrën e kryeqytetit për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Punëtorët dukë bërë gati Pemën e Krishtlindjeve në sheshin “Skënderbej”, 24 nëntor

Ngritja e ‘Fshatit të Festave’ në sheshin “Skënderbej”, 24 nëntor

Ngritja e ‘Fshatit të Festave’ në sheshin “Skënderbej”, 24 nëntor

Afati i vendosur nga Ministria e Shëndetësisë për heqjen e çadrës se vaksinimit ishte 25 nëntori, ndaj ne shkuam sërish këtë të enjte për të parë se çfarë po ndodhte në sheshin “Skënderbej”.

Ndryshe nga një ditë më parë, në çadrën e vaksinimit nuk kishte staf mjekësor dhe as njerëz në radhë për t’u vaksinuar, por vetëm disa punëtorë që po merreshin me largimin e pajisjeve të fundit që kishin mbetur aty.

Çadra e vaksinimit në sheshin “Skënderbej”, 25 nëntor

Ndërsa punohej për heqjen e çadrës, nga ana tjetër punonjësit e Bashkisë ishin në shesh për të ngritur “Fshatin e Festave”. Krahasuar me një ditë më parë, ata kishin avancuar në përgatijen e pemës festive dhe vendosjen e shtëpizave prej druri.

Pamje nga sheshi “Skënderbej”, 25 nëntor

Çadra e vaksinimit nisi të funsionojë në Sheshin Skënderbej në 28 mars, dhe sipas  deklaratës së ministres Manastirliu në atë periudhë, do të operonin 10 poste vaksinimi ku parashikohej të kryheshin 800-1000 vaksinime anticovid në ditë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img