.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëPërfundon 1/3-ta e afatit të punimeve, projekti i përroit të qytetit të Lushnjes ende në fazë fillestare

Përfundon 1/3-ta e afatit të punimeve, projekti i përroit të qytetit të Lushnjes ende në fazë fillestare

Projekti më i madh që Bashkia Lushnje i premtoi qytetarëve të saj në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, ishte rregullimi i përroit të qytetit dhe zonave përreth. Edhe pse mbeten 10 muaj nga përfundimi i afatit të punimeve, Faktoje verifikoi në terren se ato po ecin shumë ngadalë.Përroi i qytetit është i paprekur në pjesën dërrmuese të tij.

Jona Plumbi

Bashkia Lushnjë ishte një nga 6 bashkitë të cilat mbajtën zgjedhje të pjesshme vendore në vitin 2022. Arsye për vakancën e krijuar në Lushnje u bë arrestimi i kryebashkiakut socialist të qytetit, Fatos Tushe, për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pas dhënies së një tenderi me vlerë 24 milionë euro për punime në këtë qytet.

Në Korrik 2022, pak pas arrestimit të kryebashkiakut Tushe, Këshilli Bashkiak i Lushnjes emëroi zëvendëskryetaren Eriselda Sefa si titullare e institucionit. Zgjedhjet e 6 Marsit 2022 e zyrtarizuan Sefën si kryebashkiake e Lushnjes. Gjatë prezantimit të programit për drejtimin e kësaj bashkie, Sefa bëri disa premtime, për të cilat Faktoje është angazhuar të kryejë verifikime në terren.

Rehabilitimi i përroit të qytetit, kërkesë e kahershme 30 vjeçare e banorëve, është projekti më i madh që nis sëshpejtitha Eriselda Sefa dy ditë përpara zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 Marsit.

Pesë muaj më vonë, në 28 Gusht 2022, drejtuesi politik i socialistëve të Lushnjes, Taulant Balla, njoftoi nisjen e punimeve për këtë projekt. “Fjala e dhënë më 4 mars u mbajt dhe nga sot nis puna për zbatimin e këtij projekti, i cili është një nga investimet më të mëdha të qeverisë shqiptare në Lushnjë.” – tha Balla.

Vlera që do të shpenzojë Bashkia Lushnje për këtë projekt është 273,885,424 lekë me TVSH.

Sipas tabelës që njofton punimet, projekti do marrë 14 muaj kohë për t’u zbatuar, pra deri në Tetor 2023. Publikimi tregonte edhe një projekt të ndërtuar në 3D për të kuptuar se si do duket përroi i qytetit në përfundim të punimeve.

Faktoje udhëtoi drejt Lushnjes në Dhjetor 2022 për të vëzhguar vijimin e punimeve, pesë muaj pas këtij njoftimi. Përroi i Lushnjes vijon të jetë i mbuluar nga barishte të shumta, inerte dhe mbetje urbane.

Makinat e tonazhit të rëndë, të vendosura pranë vendeve ku puna duket se ka nisur, ishin të fikura dhe askush nuk po punonte.

Banorët thanë për Faktoje se edhe atje ku duket se ka nisur puna, askush nuk është dukur prej kohësh për të vijuar punën.

Nga përfundimi i afatit të shpallur të punimeve kanë mbetur edhe 10 muaj, ose 1/3-ta e kohëzgjatjes së parashikuar për përfundimin e këtij projekti, i cili sipas vetë kryebashkiakes Sefa, është “projekti më i madh i qytetit të Lushnjës, kërkesë 30 vjeçare e banorëve”.

E nëse projekti i rikualifikimit të përroit pretendohet të zbatohet ashtu si shfaqet në videon e ndarë në rrjetet sociale, rezulton se punimet janë në fazat e hershme të projektit, pasi nuk ka përfunduar ende rregullimi i shtratit të përroit në të gjithë gjatësinë e tij.

Nisur nga verifikimet tona në terren dhe kohës së mbetur për përfundimin e punimeve, premtimin për rikualifikimin e përroit të qytetit dhe zonës përreth, do ta kategorizojmë si gjysmë të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img