Kanalet vaditëse në Myzeqe, fonde të pamjaftueshme për pastrimin në hambarin e vendit

14

Dallandyshe Xhaferri

Dikur i cilësuar si “hambari i vendit”, sot Fusha e Myzeqesë përballet me sfida të shumta, duke nisur nga mungesa e ujit, mosmirëmbajtja e rrjetit vaditës dhe kullues e deri te dalja e tyre tërësisht jashtë funksionit. Sipas raporteve të performancës së Bashkive Divjakë dhe Lushnjë ndër vite rrjeti ujitës dhe ai kullues i është nënshtruar procesit të mirëmbajtjes, megjithatë në terren fermerët deklarojnë pamjaftueshmërinë e këtyre ndërhyrjeve dhe nevojën për të prekur edhe kanalet e nivelit të tretë në tokat e tyre.

Tërbufi, i harruar nga Bashkia Divjakë

Është data 10 maj dhe sapo ka hyrë ora 11 e mëngjesit. Koha është pak e vrenjtur, megjithatë dy fermerët, Ismaili dhe Kastrioti, po shplodhen pasi kanë nisur prej orës 5 të mëngjesit për të punuar tokën dhe për t’u kujdesur për të mbjellat e tyre. Pavarësisht se nuk kultivojnë të njëjtat kultura në zonën e Tërbufit, sfidat me të cilat ata përballen janë të njëjtat.

“Ky kanali që Ismaili ka pastruar sot në mëngjes është kanal kullues”,- thotë Kastrioti, i cili shton se kanë kaluar gati 6 vite nga hera e fundit që kanalet kulluese janë pastruar në zonën e Tërbufit. “Unë i pastroj se ndryshe nuk kam si të hyj në tokën time”- shton Ismaili, dikur banor I Librazhdit që ka marrë toka me qira në Tërbuf për të kultivuar kryesisht shalqi dhe jonxhë për bagëtitë.

Fermeri duke pastruar kanalin kullues, Tërbuf, maj 2026

“Problemi ynë nuk ka të bëjë vetëm me mospastrimin e kanaleve, por dhe me mungesën e ujit. Nëse ky kanal do të kishte ujë ne do të vendosnim vetëm një pompë dhe do të vadisnim tokat”,- thotë Kastrioti ndërkohë që shton se për të vaditur fermerët hapin puse në 35 metra gjatësi, por që shpeshherë janë të pamjaftueshme për të ujitur të gjitha të mbjellat.

“Unë kam 220 rrënjë ullinj dhe duan shumë ujë gjatë verës. Kam vendosur pesë pompa, por ato bllokohen. Për ne janë kosto të shumta. Tërbufi ka 35 vite që i ka kanalet në këtë gjendje. Gjithë barishte dhe pa ujë”- përfundon ai. 

Sipas të dhënave të publikuara në Raportin e Performancës të vitit 2025 për Bashkinë Divjakë, mirëmbajtja e kanaleve vaditëse dhe kulluese nga ana e bashkisë ka shënuar rënie të vazhdueshme që prej vitit 2022.

Konkretisht, të dhënat e pasqyruara në formën e përqindjeve tregojnë se nga 74.81% e sipërfaqes së mirëmbajtur të kanaleve vaditëse në vitin 2022, u shënua një rënie drastike duke zbritur në 2.53% në vitin 2023, duke njohur një rritje të lehtë në vitin 2024 me 3% dhe gjatë vitit 2025 përqindja e mirëmbajtjes së kanaleve vaditëse shkoi në 0%.

Po të njëjtin trend rënieje ka shënuar dhe mirëmbajtja e kanaleve kulluese, 80.28% e të cilave ishin të pastruara në vitin 2022 ranë në 16.2% në vitin 2023. Në 2024, përqindja u zvogëlua më tej në 14.18%.

Megjithatë, Faktoje iu drejtua me anë të një kërkesë për informacion Bashkisë Divjakë, e cila zyrtarisht u shpreh se gjatë vitit të kaluar (2025) janë pastruar 11.9% e kanaleve vaditëse në pronësi të bashkisë, dhe 15.1% e kanaleve kulluese, po në pronësi të bashkisë.

Përgjigja e Bashkisë Divjakë

Megjithë këtë panoramë në shifra, njoftimi i fundit i bërë publik në ëebsite-n e Bashkisë Divjakë për pastrimin e kanaleve kulluese në Njësinë Administrative Tërbuf është publikuar në vitin 2020. Profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Sulejman Sulçe shpjegon gjatë intervistës së tij për “Faktoje” se mungesa e mirëmbajtjes së rrjetit kullues e vaditës shoqërohet me pasoja të shumta në prodhimet bujqësore.

Kanali kullues në zonën e Tërbufit, maj 2026

“Mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese dhe ujitëse redukton ndjeshëm prodhimin bujqësor dhe efektivitetin e masave agroteknike”- thotë profesor Sulçe, i cili më pas shton se mungesa e kullimit dhe e ujit për vaditje mund të çojë jo vetëm në reduktimin e prodhimit, por edhe në tharjen totale të bimëve, ndërkohë që teprica e ujit në tokë mund të sjellë degradimin e cilësive fizike të bimëve, humbjen e lëndëve ushqyese, si dhe mund të shkaktojë mungesën e oksigjenit në sistemin rrënjësor.

Zhvillimi i Bujqësisë në Bashkinë Lushnjë

Fusha e Myzeqesë ka një shtrirje të gjerë gjeografike me një sipërfaqe deri në 1350 km2. Ajo shtrihet nga lumi Shkumbin në Veri, deri pranë Vlorës në jug. Si rrjedhojë sipërfaqja e saj shtrihet në bashki të ndryshme të vendit, ndër të cilat edhe në Lushnjë.

Sipas të dhënave të Raportit të Performancës së vitit 2025, si dhe në bazë të të dhënave që Bashkia Lushnjë ka vendosur në dispozicion të “Faktoje” situata e mirëmbajtjes së rrjetit ujitës dhe kullues pasqyrohet më mirë.

Dy përgjigjet e kërkesës për informacion të dërguar nga “Faktoje” në adresë të Bashkisë Lushnjë

Sipas raportit, mirëmbajtja e kanaleve kulluese, e shprehur me përqindje, ka njohur ulje-ngritje gjatë periudhës 2022-2025.

Në vitin 2022 në Bashkinë Lushnjë raportohet si e mirëmbajtur dhe e pastruar 50.25% e totalit të rrjetit kullues, ndërkohë që në vitin 2023 kjo përqindje pësoi rënie të konsiderueshme duke shkuar në 30.02%.

Në 2024 u mundësua mirëmbajtja e 34.76% të sipërfaqes totale të rrjetit kullues dhe kjo vlerë u rrit me gati 5% në vitin e kaluar, 2025.

E njëjta situatë pasqyrohet edhe në kanalin vaditës, sipërfaqja e mirëmbajtur të së cilit kaloi nga 542 km në vitin 2022, në 528 km në vitin 2023 dhe filloi të zvogëlohej gradualisht në vitet në vijim.

“Për vitin 2024, është regjistruar një rënie më e dukshme, me rrjet ujitës të mirëmbajtur në 432 km. Në 2025, vlera e rrjetit u rrit sërish duke arritur në 475 km”,-  thuhet në raport.

Sipas përgjigjes zyrtare që Bashkia Lushnjë vendosi në dispozicion të “Faktoje”, ky institucion është përgjegjës për pastrimin e kanaleve të dyta dhe kanë mundur të realizojnë pastrimin në disa njësi administrative dhe të vazhdojnë punën në disa të tjera.

“Si fillim kemi ndërhyrë në zonat më prioritare ku kanë qenë edhe zonat më problematike me qëllim përmirësimin e kullimit dhe funksionimin normal të rrjetit ujitës dhe kullues”,- thuhet në përgjigjen e Bashkisë, e cila në një listë të vendosur në dispozicion të “Faktoje” ka të listuar si zonë ku janë zhvilluar pastrimet dhe Njësinë Administrative Dushk.

Por pavarësisht raportimeve dhe shkresave zyrtare, situata në terren pasqyrohet ndryshe. Në kushtet e anonimatit një fermer deklaroi se kanalet nuk janë pastruar prej muajsh dhe se edhe në këtë zonë mjaft problematike mbetet furnizimi me ujë.

Rrjeti Ujitës Dushk, maj 2026

Bruno Vrapi, administrator i Njësisë Administrative Dushk sqaron për “Faktoje” se ndryshe nga kanalet e dyta, të cilat i ka në përgjegjësi bashkia, kanalet e treta janë në pronësi të fermerëve dhe këta të fundit duhet të kujdesen për ta, ndërsa kanalet e parat administrohen nga Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit, Fier. 

“Pastrimi i kanaleve të 3-ta kulluese që janë pronë e fermerëve, por që kërkojnë ndihmën e bashkisë sepse vetë e kanë të pamundur t’i pastrojnë”,-thotë ai teksa shton se në disa fshatra të kësaj njësie administrative kanalet ujitëse janë jashtë funksionit.

“Në fshatrat si Konjat, Gramsh, Zhamë Fshat, Zhamë Sektor dhe Thanasaj nuk i vadisin tokat e tyre bujqësore që nga viti 1997, pasi kanali V4 që përshkon këto fshatra është jashtë funksionit si dhe rrjeti i kanaleve vaditëse (kanali i parë, kanali i dytë dhe kanali i tretë janë totalisht jashtë funksionit)”,- thotë Vrapi, ndërkohë sipas listës së Bashkisë Lushnjë, në Njësinë Administrative numër 2 dhe në Bubullimë nuk është parashikuar asnjë fushatë pastrimi të kanaleve deri në vitin 2026.

Për të realizuar pastrimin e të gjithë rrjetit kullues dhe ujitës bashkia Lushnjë ka në dispozicion 4 mjete, prej të cilëve 3 eskavatorë dhe 1 fadromë, megjithatë ndarja e përgjegjësisë së pastrimit të kanaleve ndikon drejpërdrejt në veprimtarinë e fermerëve, të cilët për shkak të parashikimeve të ndryshme të planit të punës nga institucionet, nuk mund të marrin shërbimin e pastrimit të kanaleve vaditëse dhe ujitëse njëkohësisht. 

Ndërkohë, pavarësisht se kanalet e treta janë vendosur në përgjegjësinë e tyre, pastrimi i tyre bëhet gati i pamundur kur vetë fermerët përballen me mbetje të shumta urbane të hedhura në kanal, të cilat ndër vite kanë ndikuar dhe në përmbytjen e tokave bujqësore.

Sipas fermerëve, të intervistuar nga “Faktoje” gjatë realizimit të këtij shkrimi pastrimi i kanaleve minimalisht një herë në vit, vendosja e koshave të shumtë edhe në fshatrat e vendit do të ndikonin në përmirësimin e kësaj situate. Por, në buxhetin e bashkive menaxhimi i Infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit zë një vend të vogël në buxhet.

Sipas auditit financiar të ushtruar në bashkinë Divjakë, në vitin 2023 vetëm 5.4% e totalit të buxhetit të bashkisë shkonte për infrastrukturën ujitëse dhe kulluese. Thënë ndryshe 33,768 lekë. Ndërkohë, shifra e mirëmbajtjes u rrit me gati 2 mijë lekë në vitin pasardhës, apo 5.6% e buxhetit, i cili në vitin 2025 shënoi ulje duke shkuar në 5.1%. Pra, në total bashkia Divjakë shpenzoi vitin e kaluar për mirëmbajtjen e kanaleve vaditëse dhe kulluese 32,407 lekë.

Në buxhetet e bashkive kryesisht përbëjnë një zë të rëndësishëm fushat si arsimi parashkollor dhe shërbimet publike vendore, duke bërë që bujqësia, pavarësisht rëndësisë ekonomike të zonave, të mos përkthehet në një zë më të fuqishëm për investim në buxhet. 

Nëse pushteti lokal do të investojë më shumë në mirëmbajtjen e kanaleve ujitëse dhe kulluese, fermerët do ta kenë më të lehtë ushtrimin e veprimtarisë së tyre duke rritur sasinë dhe cilësinë e prodhimeve vendase.

Në Myzeqe, ku dikur prodhimi bujqësor e justifikonte epitetin “hambari i vendit”, sot fermerët përballen me një realitet të vështirë: kanale të bllokuara, ujë të pakët dhe fonde të pamjaftueshme për mirëmbajtje. Shifrat e raporteve zyrtare dhe dëshmitë e fermerëve tregojnë një panoramë të qartë – rrjeti vaditës e kullues po shkon drejt degradimit, duke rrezikuar jo vetëm prodhimin bujqësor, por edhe jetesën e qindra familjeve që mbështeten tek toka. Investimi në këtë infrastrukturë nuk është thjesht një çështje teknike, por një domosdoshmëri për të siguruar të ardhmen e bujqësisë dhe për të ruajtur rolin e Myzeqesë si zemra e prodhimit ushqimor në vend. Pa një vëmendje të shtuar nga pushteti lokal dhe qendror, “hambari i vendit” rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i së shkuarës.