Në gusht të vitit 2024, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi një plan të ri për ndryshimin e kurrikulave arsimore në Shqipëri. Mësues dhe prindër kanë ngritur shqetësimin lidhur me cilësinë e teksteve shkollore ekzistuese. Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se alterteksti nuk ishte gjë tjetër veçse një biznes që dëmtoi cilësinë e kurrikulës.
Në gusht të vitit 2024, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi se do të ketë ndryshime në kurrikulën arsimore.
“Jemi duke punuar dhe duke analizuar të gjithë tekstet aktuale. Do punojmë deri në muajin dhjetor për programet e reja mësimore në kurrikulat e ndryshme. Jemi duke analizuar përmirësimin në masën 20% të kurrikulave që lidhen kryesisht me shkencat e degët shoqërore. Jemi duke vlerësuar edhe një modernizim të gjuhës shqipe dhe matematikës”, deklaroi Manastirliu.
Zyrtarisht MAS bën të ditur se ka parashikuar një përditësim dhe rishikim të teksteve shkollore. Institucioni thekson se tekstet e përditësuara do të shpërndahen nga shtatori i 2026 dhe do të përfshijnë fillimisht vetëm 3 klasa. Mirëpo, institucioni nuk jep të dhëna sa do të kushtojë përditësimi dhe rishikimi i teksteve shkollore
“Tekstet e përditësuara do të hyjnë në përdorim duke filluar nga shtatori i vitit 2026, me një zbatim gradual që do të shtrihet deri në vitin 2029. Fillimisht, do të përfshihen klasat 1, 6 dhe 10, ndërsa vitet pasardhëse do të vijojnë me klasat e tjera sipas një plani të paracaktuar.
Ky përditësim synon të pasqyrojë nevojat e reja arsimore, duke u fokusuar në zhvillimin e kompetencave kyçe të nxënësve, veçanërisht në gjuhë, matematikë dhe aspekte digjitale. Përveç kësaj, do të sigurohen kushte më të mira për të nxitur të menduarit kritik, krijues dhe zgjidhjen e problemeve, si dhe të rritet mundësia për zgjedhjen e programeve të thelluara STEM në arsimin e mesëm të lartë”, argumenton MAS në përgjigjen zyrtare.
MAS thekson se për të siguruar një zbatim sa më efikas të ndryshimeve, kanë hartuar një plan veprimi që përfshin zhvillimin profesional për mësuesit me trajnime, seminare, workshop.
“Ky plan trajnimi do të jetë i vazhdueshëm dhe i shtrirë në disa vite, duke u siguruar që mësuesit të jenë të përgatitur për të zbatuar programet e reja kurrikulare në mënyrë efektive”, nënvizon Ministria e Arsimit.
Nevoja për ndryshimin e teksteve shkollore
Në një pyetësor të zhvilluar më herët nga Faktoje.al, rezultoi se 63% e prindërve që kanë plotësuar pyetësorin dhe 61% e mësuesve janë të pakënaqur me cilësinë e teksteve shkollore në Shqipëri.
“Shumica e teksteve janë përkthime”, u shpreh Suela, prind i një fëmije në klasën e 3-të. “Kanë probleme pafund, duke filluar që nga gabimet drejtshkrimore, e gabime në përmbajtje,” shtoi ajo, ndërsa bëri thirrje për rishikimin e tyre.
Ekspertja e Arsimit, Majlinda Keta, tha për Faktoje.al se është i domosdoshëm rishikimi i kurrikulave arsimore në vendin tonë, por thekson se duhet të jetë një lëvizje e mirëmenduar.
“Shqipëria është në momentin e duhur për të bërë një ndërhyrje, e cila duhet të jetë shumë cilësore, e mirëmenduar për cilësinë e kurrikulës kombëtare. Kur pranoj që Shqipëria e ka një emergjencë rishikimin, rinovimin e kurrikulës, kam parasysh që në sistem ne duhet të luajmë rrënjësisht konceptin tonë mbi kurrikulën e planifikuar, praktikat tona në kurrikulën e zbatuar, por nga ana tjetër, duhet të vlerësojmë, konsiderojmë dhe atë që quhet kurrikulimi i përjetuar”, argumenton Keta.
Mirëpo, ajo theksoi se Shqipëria nuk ka nevojë që të ketë shumë alternativa të teksteve, por duhet të ketë cilësinë më të mirë të mundshme.
“Me të drejtë shqetësimet tuaja, sikurse edhe studimet tuaja, kanë nxjerrë me të drejtë, problematikat e teksteve. Në këtë politikë të kurrikulës dhe të politikës së teksteve, mbase ka ardhur koha e rishikimit të atij që u quajt si reforma më e madhe e altertekstit. Për mua nuk ka qenë gjë tjetër veçse alter-biznesi i politikës së radhës, e cila degjeneroi cilësinë e asaj që quhet kurrikul e zbatuar, sepse në fund të fundit, mësuesit ndjekin dhe vijojnë të ndjekin librin si materialin e vet kryesor”, theksoi ekspertja e arsimit, Majlinda Keta.