Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja, premtoi në fushatë ndërtimin e pikave të grumbullimit të prodhimit bujqësor në fshatrat Shushicë, Bradashesh, dhe Gjergjan. Një vit më pas, Bashkia Elbasan nuk jep një përgjigje konkrete se kur dhe si do të krijohen pikat e grumbullimit. Në mungesë të tyre, banorët e tre fshatrave detyrohen t’i dërgojnë prodhimet për t’i shitur në Elbasan, me shpenzimet e tyre.


Ndërsa kandidonte për mandatin e dytë gjatë fushatës zgjedhore në Maj 2023, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja shpalosi në faqen e tij në Facebook planin e tij për të zhvilluar bujqësinë. Pjesë e këtij plani ishte ndërtimi i pikave të grumbullimit të prodhimit bujqësor në fshatrat Shushicë, Bradashesh, dhe Gjergjan.

Megjithatë, në fund të vitit 2024, për të dytin vit radhazi premtimi i kryebashkiakut mbetet i pambajtur.

përgjigjen ndaj kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje në fund të Gushtit 2024, Bashkia Elbasan na vuri në dispozicion të dhëna mbi “gjendjen aktuale të agropërpunimit” duke radhitur numrin e pikave të grumbullimit dhe punishteve dhe duke pohuar se “ky sektor duhet të zgjerohet dhe të fuqizohet sepse tërheq prodhimet bujqësore e blegtorale.”

Megjithatë, Bashkia zgjodhi të mos i përgjigjet pyetjeve që kishin të bënin direkt me fuqizimin e këtij sektori të rëndësishëm, konkretisht kur dhe si do të krijohen pikat e grumbullimit në Bradashesh, Gjergjan dhe Shushicë, siç premtoi Llatja një vit më parë.

Në një përgjigje të mëparshme ndaj ndaj kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje, Bashkia Elbasan tha se “është menduar që të ngrihet një pikë grumbullimi për frutat në njësinë administrative Shushicë në vendin e quajtur ish-qendra e rezervave të Shtetit.”

Gjatë verifikimit në terren në fund të Shtatorit 2024, Faktoje vëzhgoi në Shushicë, Bradashesh dhe Gjergjan nuk ekzistonin pika grumbullimi. Në Qendrën e Rezervave të Shtetit në Shushicë, ashtu si një vit më parë, nuk dukej se kishte filluar puna për ta transformuar atë në një pikë grumbullimi.

Qendra e Rezervave të Shtetit, Shushicë, Elbasan, 18 shtator 2024

Duket se Bashkia Elbasan e ka harruar premtimin që Llatja dha gjatë fushatës.

Banorët e tre fshatrave pohuan për Faktoje se ndërtimi i pikave të grumbullimit do të ishte i volitshëm për ta. Në mungesë të këtyre pikave, ata detyrohen t’i dërgojnë prodhimet për t’i shitur në Elbasan, me shpenzimet e tyre. Disa prej tyre pranuan se i tregtojnë prodhimet me humbje, vetëm që të mos përfundojnë duke i hedhur poshtë. 

Në këto rrethana, premtimi i kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, për ndërtimin e pikave në Bradashesh, Shushicë dhe Gjergjan mbetet i pambajtur.

*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.