Asnjë armë 1 miliardë dollarëshe nuk është zhdukur në Ukrainë. Një auditim i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes gjeti se zyrtarët amerikanë nuk kishin gjurmuar siç duhet 60% të armëve të dërguara në Ukrainë që nga shkurti 2022, vlera e të cilave arrinte $1 miliardë.

—————————————

Artikulli i portalit Patriotik Media ngre alarm me titullin “Pentagoni e pranon: Arma 1 miliardë dollarëshe e financuara nga taksapaguesit amerikanë është ‘zhdukur’ në Ukrainë…”

Megjithatë, brendia e artikullit, sado e përkthyer keq, tregon se “arma 1 miliardë dollarëshe” jo vetëm që nuk është zhdukur në Ukrainë, por nuk ekziston aspak.

Artikulli duket se i referohet një raporti auditimi të Pentagonit, të botuar më 10 janar 2024. 

Auditimi gjeti se Pentagoni nuk kishte përditësuar siç duhet inventarët e armëve të teknolgjisë së lartë të dërguara në Ukrainë mes shkurtit të 2022 dhe qershorit 2023.

Në këtë periudhë, ShBA ka dërguar në Ukrainë armë, vlera e të cilave kap 1.69 miliardë dollarë. Këto armë, kryesisht raketa, supozohet të gjurmohen rreptësisht me çfarë quhet monitorim i avancuar i përdorimit fundor (EEUM).

Auditi gjeti se 59% e këtyre armëve nuk ishin gjurmuar siç duhet nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Sipas raportit auditues, zyrtarët amerikanë nuk i përditësuan databazat e gjurmimit të armëve në kohë. Kjo, si pasojë e një sërë problemesh, përfshi mungesë stafi, shqetësime sigurie, mungesa e komunikimit mes institucioneve federale, dhe vonesat e nganjëhershme në dhënie informacioni nga Ukraina.

Një zëdhënës nga Pentagoni tha për mediat se “nuk ka prova të besueshme“ se armët e dërguara në Ukrainë nga ShBA janë vjedhur, shitur apo keqpërdorur. Ndërsa inspektori i përgjithshëm që hartoi raportin tha se përcaktimi se ç’kishte ndodhur me armët që nuk ishin gjurmuar siç duhet ishte jashtë fushëveprimit të auditimit të tij.