.

.

BallinaFaktometerPa kategoriPD me dy kryetarë edhe pas gjyqit të Apelit në 3 nëntor

PD me dy kryetarë edhe pas gjyqit të Apelit në 3 nëntor

Drejtimi i Partisë Demokratike nuk do të vendoset në seancën e parashikuar më 3 nëntor nga Gjykata e Apelit të Tiranës. “Faktoje” verifikoi përse kjo seancë e paralajmëruar nga portalet, nuk do t’i japë fundin e shumëpritur përballjes mes grupimeve të Berishës dhe Alibeajt.

Nevila Gjata

Të shumtë janë demokratët që po presin me padurim që grindjen e brendshme në partinë e tyre të gjejnë një zgjidhje ligjore nga gjykatat. Për këtë arësye, lajmi i caktimit të një seance gjyqësore nga gjykata e Apelit Tiranë më 3 nëntor, është ndjekur me mjaft interes nga lexuesit.

Më konkretisht, portali urbanlajme.net publikoi më 5 tetor një lajm mbi këtë proces gjyqësor, me titullin: “Berisha apo Alibeaj në kryre të PD-së? Gjykata e Apelit jep njoftimin e rëndësishëm për opozitën”.

(Screenshot e lajmit te publikuar nga portal urbanlajme.net)

Përtej formatit të titullit që krijon përshtypjen e parë tek lexuesit se vendimi është marrë tashmë, në brendësi të artikullit bëhet me dije se “gjykata e Apelit ka caktuar datën për çështjen e Partisë Demokratike”. Njoftimi I thatë zyrtar i kalendarit të gjykimeve në Gjykatë përmbush shumë pak nga pritshmëritë për t’u informuar të atyre opozitarëve apo lexuesve të tjerë që janë nxitur të klikojnë këtë lajm.

Për të shpjeguar më tej një çështje me kaq shumë interes publik, “Faktoje” vendosi të verifikojë informacionin e publikuar. Duhet të rikujtojmë se në gjykatën e Apelit të Tiranës janë depozituar disa padi që kanë lidhje me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike.

Bazuar në burimet zyrtare të PD-së, grupimi që ka bërë ankimin, mësuam se në 3 nëntor do të shqyrtohet një ankese që konsiston në  dhënien e një vendimi për bashkëngjitjen ose jo të ndryshimeve statutore të miratuara në dy kuvende të ndryshme: kuvendi i 17 korrikut 2021 (ku Basha u rikonfirmua kryetar) dhe Kuvendi i funddhjetorit, thirrur po nga Lulzim Basha.

Duke qenë se gjatë kësaj periudhe ishin zhvilluar dhe punimet e Kuvendit Kombëtar të PD të datës 18.12.2021 i kërkojmë Gjykatës që të pranojë kërkesën tonë për shtimin e objektit të padisë dhe akteve të bashkëlidhura…”, thuhet në padinë e PD, e publikuar edhe në disa media të përditshme. Pra, në këtë kërkesë që do merret në shqyrtim, nuk ka një përballje mes dy palëve (Alibeaj-Basha kundër Berishës), por kërkohet një vendim për dy ndryshime statutore të marra nga i njëjti grupim.

Bazuar edhe në njoftimin zyrtar të Gjykatës, konfirmohet se do të shqyrtohet ankimin nga PD ndaj një vendimi të marrë në datën 18 mars të këtij viti.

Në këtë datë, gjyqtarja Blerina Muça pranoi kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të zhvilluar në 17 korrik 2021. Ky vendim u ankimua më pas nga vetë z.Bardhi që kërkoi prishjen e vendimit dhe shqyrtimin nga e para të padisë ose bashkëngjitjen me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.

Pikërisht këtë proces do të shqyrtojë në nëntor Gjykata e Apelit.

(screenshot e njoftimit të gjykatës së Shkallës së Parë për kërkesën e Gazment Bardhit)

Mbështetur mbi këto prova, mund të faktohet që seanca e 3 nëntorit në Gjykatën e Apelit nuk do të caktojë kush do të vijojë të jetë kryetari legjitim i PD-së.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img