BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBalluku nuk u kërkoi deputetëve të lahen 2 herë në javë

Balluku nuk u kërkoi deputetëve të lahen 2 herë në javë

Një artikull që pretendon se ministrja e Energjisë Belinda Balluku ka deklaruar më 5 tetor se deputetët duhet të lahen dy herë në javë, si dhe të fikin televizorët është i pavërtetë. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se lajmi ka një titull abuzues dhe nuk ka lidhje me vendimin e qeverisë që dikton uljen e konsumit të energjisë me 15% për institucionet publike.

Më 5 tetor portali daily-albania.com ka publikuar një lajm mbi masat e kursimit të energjisë të diktuara së fundmi nga qeveria për institucionet publike në kuadër të krizës energjitike.

Screenshot nga lajmi i portalit daily-albania.com

Por, mesa duket, lajmi është sjellë me një titull abuziv që nuk ka lidhje me vendimin e ekzekutivit.

Përmes titullit “Lahuni 2 herë në javë dhe fikni televizorin, ministrja Balluku tani zbardh masat e reja për deputetet! A ju pëlqejnë?”, artikulli ofron një informacion të gabuar për lexuesit në përpjekje për të shtuar klikimet mbi lajmin. Ndërkohë, në brendësi artikulli sqaron deklaratën e bërë nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Kemi vendosur që institucionet shtetërore duhet të reduktojnë 15% të energjisë të konsumuar në krahasim me një vit më parë, një pagesë e barazvlefshme me 3.4 miliardë lekë”, tha Balluku.” – shkruan ndër të tjera portali daily-albania.com.

Sipas verifikimit të bërë nga “Faktoje”, kjo pjesë e artikullit është e vërtetë dhe bazohet në deklaratën publike të bërë më 5 tetor nga ministrja Balluku, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mbi vendimet e marra në kuadër të fushatës së kursimit të energjisë, në kushtet e krizës.

Ministrja e energjisë Belinda Balluku pas mbledhjes së qeverisë, 5 tetor

Në mbledhjen e kësaj jave të Këshillit të Ministrave materializuam vendimin që detyron çdo institucion publik në vend të ulë me 15% konsumin mujor të energjisë. Çdo institucion do të ngarkojë një punonjës me detyrën e administratorit të energjisë për t’u kujdesur për kursimin e energjisë dhe do të ketë ndëshkime për çdo drejtues institucioni që nuk arrijë këtë target.” – deklaroi ndër të tjera Balluku menjëherë pas mbledhjes së qeverisë.

Vendimi i qeverisë u drejtohet të gjitha institucioneve publike ku mund të përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë. Megjithatë, nga verifikimi nuk rezulton që të ketë masa të dedikuara për Kuvendin apo deputetët, ashtu sic prezantohet në titullin e artikullit.

Përsa i përket këshillës për t’u “larë 2 herë në javë”, autorët e titullit abuziv të shkrimit, duhet të jenë “frymëzuar” nga memet që shoqëruan fushatën ndërgjegjësuse të ndërmarrë nga Ministria e Energjisë në kuadër të vendosjes së fashës 800 Kw/h për konsumatorët.

Në një videoprezantim të paketës, u publikua edhe një tabelë ku tregoheshin aktivitetetet familjare, për të cilat një abonent duhet të konsumojë sasinë e përcaktuar. E përkthyer në shifra konkrete, tabela parashikonte që një familje shqiptare duke nisur nga tetori, duhet të vendoste në punë lavatriçen deri 8 herë në muaj për të mos tejkaluar fashën e çmimit të mbrojtur.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img