Pavarësisht rreziqeve, nuk jemi gjenerata e fundit që sheh xixëllonja

8

Pretendimi: Ne do jemi gjenerata e fundit që do të shohë xixëllonja në natyrë

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Me ardhjen e verës, është rikthyer në mediat sociale shqipfolëse pretendimi se ne do të jemi gjenerata e fundit që do të shohë xixëllonja në netët e nxehta. Këto pretendime janë shpërndarë dhe me parë dhe hedhur poshtë nga Faktoje. Megjithëse shkencëtarët kanë dokumentuar rënie të disa llojeve të xixëllonjave dhe kanë paralajmëruar për kërcënime serioze ndaj habitateve të tyre, pretendimi se brezi i sotëm do të jetë i fundit që do t’i shohë ato nuk mbështetet nga provat shkencore.

Pretendimi duket se buron nga keqinterpretimi i një artikulli të botuar nga National Geographic në prill 2025. Artikulli diskuton shqetësimet e shkencëtarëve për rënien e disa popullatave të xixëllonjave, por nuk thotë askund se ato do të zhduken plotësisht gjatë gjeneratës së ardhshme. Përkundrazi, artikulli nënvizon se shumë pyetje mbeten pa përgjigje dhe se përpjekjet për ruajtjen e tyre vazhdojnë.

Siç e kemi shpjeguar dhe më parë, ekspertët theksojnë se situata është më komplekse. Clyde Sorenson, profesor i entomologjisë në North Carolina State University, ka deklaruar se nuk ka arsye të besohet se njerëzit e sotëm do të jenë brezi i fundit që do të shohë xixëllonja. Sipas tij, ndërsa disa specie përballen me presione të konsiderueshme nga aktiviteti njerëzor dhe ndryshimet klimatike, specie të tjera janë përshtatur me mjediset urbane dhe vazhdojnë të mbijetojnë.

Aktualisht njihen më shumë se dymijë specie xixëllonjash në botë, të shpërndara në të gjitha kontinentet përveç Antarktidës. Ajo që shqetëson studiuesit nuk është zhdukja e menjëhershme e të gjitha xixëllonjave, por humbja graduale e diversitetit të tyre biologjik. Speciet që varen nga habitate të veçanta mund të jenë veçanërisht të rrezikuara nga urbanizimi, pesticidet, ndotja nga drita dhe ndryshimet klimatike.