Ish-presidenti Obama nuk është arrestuar nga agjentët e FBI-së

5

Pretendimi: Agjentët e FBI-së kanë arrestuar ish-presidentin Barack Obama 

Verdikti: E pavërtetë, foto Gjeneruar me AI

Barbara Halla

Një postim që po qarkullon në mediat sociale shqiptare pretendon se ish-presidenti amerikan Barack Obama është arrestuar. Ky postim është i shoqëruar nga një imazh ku Obama shfaqet në pranga, i rrethuar nga agjentë të FBI-së. Në fakt, ish-presidenti nuk është arrestuar dhe nuk ka asnjë provë apo njoftim zyrtar nga autoritetet amerikane që të mbështesë këtë pretendim. Dhe për më tepër, imazhi që shoqëron postimin është i gjeneruar përmes inteligjencës artificiale.

Nuk ka asnjë provë që Obama të jetë arrestuar në kohët e fundit, edhe pëse lajme të tilla (po ashtu të shoqëruara nga imazhe të manipuluara ose të gjeneruara me AI) qarkullojnë prej kohësh në mediat sociale. Postimi në Facebook është bërë me datë 14 maj, por në faqen Instagram të ish-Presidentit ka disa postime qe e tregojnë duke udhëtuar apo duke promovuar qëndren e re presidenciale Obama Presidential Center që do të hapet me 19 qershor.  

Verifikime të shumta të publikuara gjatë vitit 2026 kanë arritur në të njëjtin përfundim: nuk ka asnjë provë të besueshme që Barack Obama është arrestuar. Mediat dhe organizatat e verifikimit të fakteve kanë konstatuar se pretendimet bazohen në video dhe fotografi të manipuluara, përfshirë materiale të krijuara me inteligjencë artificiale, dhe jo në ngjarje reale. Raportimet gjithashtu theksojnë se nuk ekziston asnjë dokument gjyqësor, deklaratë e Departamentit amerikan të Drejtësisë apo konfirmim nga forcat e rendit që të mbështesë historinë e arrestimit të tij.

Në fakt, imazhi dhe lajmi i rremë janë marrë dhe përkthyer nga një faqe në anglisht, e cila shpërndan shpesh imazhe dhe postime të krijuar me inteligjencë artificiale kundër atyre që i konsideron si armiq të presidentit Trump. Komentet në këtë faqe tregojnë se shumë prej lexuesve e dinë se Obama nuk është arrestuar, megjithëse disa prej tyre shprehin dëshirën që një gjë e tillë të ndodhë.

Për me tëper, postimi i përkthyer nga anglishtja përdor terma si “Kabalës së Shtetit të Thellë”, “Epoka e re” dhe “elitat globale”, të cilat lidhen ngushtë me teorinë konspirative QAnon. Siç e ka shpjeguar Faktoje më parë, kjo teori konspiracioni pretendon pa prova se një grup i fshehtë politikanësh, figurash publike dhe elitash globale kontrollon në mënyrë sekrete qeveritë dhe institucionet, ndërsa një operacion i madh do të çojë në arrestime masive dhe “zgjimin e madh” të publikut. Studiuesit që kanë analizuar lëvizjen QAnon e përshkruajnë atë si një teori konspirative të bazuar në pretendime të paverifikuara dhe narrativa që janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.