Në Patos disa segmente rrugore, që u cilësuan si prioritet nga kryetarja e bashkisë, Rajmonda Balilaj, edhe pas 6 vitesh janë në gjendje problematike. Faktoje verifikoi në terren se rruga Drenie-Siqec nuk është rregulluar ende, duke u kthyer në një shqetësim serioz për banorët, ndërkohë që vetë institucioni i bashkisë shprehet se për këtë aks është planifikuar fondi në buxhetin e këtij viti, por nuk dihet kur do nisë puna.
……..
Kryebashkiakja Rajmonda Balilaj premtoi investime të mëdha në infrastrukturë në Patos, duke e cilësuar si një prej prioriteteve të saj në krye të këtij institucioni.
“Unë e drejtoj prej 4 vitesh Bashkinë e Patosit dhe pika ku kemi ndërhyrë më shumë ka qenë infrastruktura. Por, sigurisht që mbetet ende punë për të bërë. Ka disa segmente kryesore si rruga Ruzhdie-Gjinoqar, rruga Drenie-Siqec”- kjo ishte deklarata e Balilajt në një intervistë për BIRN në vitin 2015.
Rruga Drenie-Siqec
Por, ndonëse kanë kaluar 6 vite nga premtimi i bërë nga kryebashkiakja, rruga Drenie-Siqec ende vijon të jetë në gjendje të mjerueshme. Faktoje rrugëtoi në këto fshatra të Patosit në shtator dhe e ajo që gjeti ishte, një rrugë e keqe, e pashtuar dhe me gropa, e cila e vëshirëson edhe më shumë kalimin e banorëve në këto fshatra.
Rruga në Drenia, shtator 2021
Ne biseduam me banorë të zonës, të cilët pohuan se në dimër terreni bëhet edhe më i vështrë, pasi gropat në rrugë mbushen me ujë.
“Në dimër nuk kalohet, gropat mbushen me ujë, rruga bëhët gati e pakalueshme. Na u shkatërruan edhe makinat”, tha një banor.
Vetë ata shprehen se nuk nuk janë në dijeni që të ketë ndonjë projekt për shtrimin e rrugës, por do ta mirëprisnin një ndërhyrje të tillë që do t’u lehtësonte lëvizjen.
Rruga në Siqec, shtator 2021
“Komuna ka hedhur një shtresë para një viti, por nuk dimë gjë që do shtrohet. Nuk na kanë thënë gjë”- shprehet për Faktoje Agimi, banor në fshatin Siqec.
Faktoje nëpërmjet një kërkesë për informacion për bashkinë Patos u interesua në lidhje me projektin për të përmirësuar infrasturkturën e këtyre rrugëve rurale. Në përgjigjen e saj, bashkia konfirmoi se për rrugën Drenie-Siqec është planifikuar fondi, po nuk bën të ditur kur nisin punimet për ndërtimin e saj.
“Sa i përket buxhetit të projekteve rrugore, për rrugën Drenicë- Siqecë është planifikuar fondi në buxhetin e këtij viti në vlerën 13,161,222 lekë”, njofton zyrtarisht Bashkia Patos për Faktoje.
Edhe rreth një vit më parë, Faktoje raportoi mbi problematikën e kësaj rruge, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë për shtrimin dhe rregullimin e saj.
Ne kërkuam për buxhetin e vitit 2021 në faqen e Bashkisë Patos, por nuk ishte bërë publik.
Rruga Ruzhdie-Gjinoqar
Ndërtimi i rrugës Ruzhdie-Gjinoqar ka përfunduar që në vitin 2017, sipas informacionit zyrtar të Bashkisë Patos për Faktoje. Nga verifikimi që ne bëmë në terren rezulton se rruga ishte e shtruar dhe lehtësisht e kalueshme.
Rruga në Gjinoqar, shtator 2021
“Ndërtimi i rrugës Ruzhdie-Gjinoqar ka përfunduar realizimin me sukses në vitin 2017 dhe Bashkia Patos punon vazhdimisht për mirëmbajtjen e saj”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Patos, pas kërkesës për informacionit të bërë nga Faktoje.
Përgjigja e Bashkisë Patos për Faktoje
“Rruga është e shtruar nga fshati Rruzhdie deri në qendër të Gjinoqarit. Ndërsa pjesa që të çon në fshat, rreth 800 metër, është pjesërisht e shtruar”, shprehet një banor i njësisë administrative Gjinoqar për Faktoje.
Në artikullin e Faktoje të publikuar me 29 nëntor 2020, Bashkia Patos bënte të ditur se në këtë rrugë është ndërhyrë në vitin 2016 me një fond me vlerë 37 milionë lekë.
Nisur nga premtimi i kryebashkiakes Rajmonda Balilaj, përgjigjet zyrtare të Bashkisë dhe verifikimi në terren, premtimin për rrugën ndërthyrë në segmentet kryesore si rruga Ruzhdie-Gjinoqar, rruga Drenie-Siqec”, do ta kategorizojmë gjysmë të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.