BallinaFaktometerE PavërtetëA përfunduan punimet për aksin Sinanaj-Dukaj, që lidh Tepelenën me Vlorën?

A përfunduan punimet për aksin Sinanaj-Dukaj, që lidh Tepelenën me Vlorën?

Propagandimi nga drejtues të qeverisë, i përfundimit të projekteve të infrastrukturës, është kthyer në traditë, por Faktoje ka zbuluar në disa raste elementë të disinformimit. I tillë është edhe publikimi i një postimi në rrjetet sociale nga kryeministri Rama për përfundimin e aksit 14.5 kilometra që lidh Tepelenën me Vlorën. Verifikimi në terren, por edhe një deklaratë e ministres Balluku në komision kuvendor, pak ditë pas postimit të Ramës, treguan se projekti ende nuk ka përfunduar.

Në 5 nëntor të këtij viti, kryeministri Rama, përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, njoftoi përfundimin e punimeve të rrugës Dukaj-Sinanaj, aksi që lidh Tepelenën me Vlorën dhe që kalon përmes fshatrave të këtyre dy bashkive.

*Postimi i kryeministrit Rama në datën 05/11/2021

Faktoje bëri disa kërkime mbi këtë projekt dhe ndër të tjera gjeti se Kryeministri dhe Ministrja e Infrastrukturës, gjatë inspektimit të këtij aksi në korrik të këtij viti, jepnin si afat të përfundimit fundin e shtatorit.

*Lajmi për zotimin e kryeministrit publikuar nga ATSH

Faktoje bëri disa kërkime në lidhje me projektin e rrugës Dukaj-Sinanaj, me gjatësi rreth 14.5 kilometra, e cila sipas të dhënave nga Open Data rezulton të ketë një vlerë totale prej 393.325.857,46 lekë pa tvsh ose rreth 3.7 milionë euro. Ndër të tjera, sipas dokumentave të tenderit për këtë rrugë, punimet kanë nisur në dhjetor 2020 me afat realizimi 6 muaj, pra duhej të përfundonte në shtator.

*Njoftimi I tenderit për rrugën që lidh Tepelenën me Vlorën

 

Në mesin e muajit nëntor, Faktoje vendosi të verifikojë situatën dhe përshkoi me makinë aksin Dukaj-Sinanaj, i cili sipas postimit të 5 nëntorit, nga kryeminisitri Rama, kishte përfunduar. Gjatë këtij udhëtimi, pamë se aksi kishte përfunduar pjesërisht.

*Aksi i asfaltuar që nga fshati Lekdush

Rruga e asfaltuar niste nga fashti Lekdush dhe përfundonte në hyrje të fshatit Progonat.

*Hyrja për në fshatin Progonat, rruga e paasfaltuar

*Hyrja për në fshatin Gusmar

*Rruga në fshatin Gusmar

 

E njëjta pamje të shoqëronte edhe pwrgjatw rrugws drejt fshatit Gusmar. Gjatë vëzhgimit ne takuam një banore e cila na tregoi se prej të paktën një dekade, nuk ishte bërë ndonjë ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Rruga vetëm në një pjesë është riparuar, unë e bëj çdo ditë sepse shoqëroj vajzën në shkollë. Si çdo gjë që bëhet këtu edhe kjo është bërë ‘gjysmake’ po më mirë se hiç”-tha për Faktoje M.T banore e fshatit Lekdush.

Gjatë udhëtimit drejt Kuçit, fshati i fundit në aksin që që lidh Tepelenën me Vlorën, konstatuam se rruga ishte e shtruar, por nga një projekt i mëparshëm i zbatuar nga FSHZH (Fondi Shqiptar i Zhvillimit).

*Tabela e projektit

 

Nga të dhënat e tabelës vërejmë se ky projekt i financuar nga Banka Botërore dhe me zbatues FSHZH-në, është për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatin Gusmar me Kuçin e më tej me Vlorën.

*Rruga që lidh Gusmarin me Kuçin

*Rruga që përfundonte në hyrje të fshatit Kuç

Pas verifikimit në terren, Faktoje iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion Autoritetit Rrugor, ku ndër të tjera e pyeti nëse ka përfunduar ndërtimi i rrugës Dukaj-Telepenë.

*Përgjigja nga Autoriteti Rrugor shqiptar

 

Pavarësisht se Autoriteti Rrugor e konsideron të përfunduar këtë aks, Ministria e Transporteve e ka përfhsirë këtë aks në listën e projekteve, të cilat pritet të përfundojnë ose për të cilat parashikohet fond edhe për vitin e ardhshëm. Kjo u konfirmua nga vetë minstrja Balluku, gjatë prezantimit  të projektbuxhetit për vitin 2022 që u mbajt në datën 9 nëntor 2021.

*Pjesë nga fjala e ministres në komision datën 09/11/2021, publikuar në faqen zyrtare të MIE

 

Ndryshe nga zotimi fillestar i kryeministrit në muajin korrik dhe njoftimit që ai publikoi në fillim të nëntorit, aksi Dukaj-Sinanaj që lidh Tepelenën me Vlorën, nuk ka përfunduar. Nisur nga ky verifikim, vendosëm që deklaratat e kryeministrit lidhur me përfundimin e këtij aksi, ta kategorizojmë të Pavërtetë.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img