Gjatë muajit janar, Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shtetit për Rindërtim me kërkesë për informacion mbi diferencën mes faturës 1 miliardë euro të deklaruar tek donatorët dhe buxhetit prej 65 mld lekë (527 mln euro) që qeveria vendosi për të gjithë procesin e rindërtimit. Pas ankimimeve të përsëritura tek Komisioneri për Të Drejtën e Informimit, përgjigjja që kjo ministri sjell, rreth 4 muaj nga kërkesa fillestare, ende nuk shteron shumë prej pyetjeve që i kemi drejtuar.
Prej 4 muajsh Faktoje është ende në pritje që Ministria e Rindërtimit të bëjë transparencë mbi faturën e rindërtimit, pas tërmetit të 26 nënorit 2019. Ashtu siç kemi shkruar, Faktoje i është drejtuar me një listë pyetjesh këtij institucioni që më 22 janar 2021.
Kërkesa për informacion e dërguar nga Faktoje, 22 janar 2021
Pas ankimimit tek Komisioneri për Të Drejtën e Informimit ne morëm një e-mail nga Ministria e Shtetit për Rindërtim, më 23 shkurt 2021.
Përgjigjja e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, 23 shkurt 2021
Informacioni i dërguar nga Ministria e Rindërtimit, jo vetëm nuk i kthente përgjigje asnjërës prej pyetjeve tona, por paraqiste edhe informacion të vjetëruar, siç kemi raportuar në muajin shkurt.
Në vijim ne e ankimuam sërish këtë rast tek Komisioneri, në kërkim të një përgjigjeje shteruese nga Ministria e Rindërtimit.
Kërkesa dërguar Komisionerit pas e-mailit të Ministrisë së Rindërtimit, 23 shkurt 2021
Pas një periudhe më shumë se 1-mujore, pa përgjigje nga institucionet dhe në shkelje të afateve ligjore, ne iu drejtuam sërish Komisionerit, më 7 prill 2021.
Ankimimi drejtuar Komisionerit, 7 prill 2021
Pas kësaj kërkese dhe komunikimeve të përsëritura në telefon me zyrën e Komisionerit për Të Drejtën e Informimit, kemi marrë përgjigje ekzaktësisht 1 muaj pas ankimimit të radhës, më 7 maj 2021.
Përgjigjja e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, 7 maj 2021
Informacioni i dërguar në rrugë elektronike nga Ministria e Rindërtimit nuk jep asnjë të dhënë për detajimin e faturës së rindërtimit dhe nuk i përgjigjet asnjërës prej pyetjeve që kemi bërë në kërkesën tonë për informacion, të datës 22 janar 2021.
Raporti i PDNA (Vlerësimi i Nevojave Pas Fatkeqësisë), të cilit i referohet ky institucion është përfshirë në artikullin e mëparshëm të Faktoje që kemi shkruar për këtë çështje.
Gjithçka Ministria e Rindërtimit ka bërë është përditësimi i ndarjes së fondit prej 65 miliardë lekësh në vitet përkatëse (2020,2021,2020), gjë të cilën ne e kemi pasqyruar që në muajin shkurt.
Për sa i përket 3 pikave që kemi parashtruar në kërkesën tonë për informacion:
1. Ministria e Rindërtimit nuk na ka vënë në asnjë moment në dispozicion një listë të detajuar në nivel projekti, objekti dhe zone të dëmtuar që është pjesë e procesit të rindërtimit, pavarësisht se është institucioni koordinator për këtë projekt dhe sipas ligjit duhet t’i disponojë të gjitha këto të dhëna.
2. Ministria e Rindërtimit na informon për herë të parë për diferencën e fondeve të rindërtimit të vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare (527 mln euro) dhe faturës prej mbi 1 miliardë eurosh, një diferencë që është pothuajse sa gjysma e faturës së rindërtimit.
Ajo çfarë ministria në thotë në këtë pikë, siç reflektohet dhe në e-mailin e mësipërm, është se ‘duhet të marrim në konsideratë që procesi i rindërtimit nuk është financuar vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga donatorët’.
Sipas Ministrisë së Rindërtimit do të financohen projekte rindërtimi në vlerë 450 milionë euro (300 milionë me grande dhe 150 milionë me kredi) nga donatorët përtej financimit me burime të brendshme. Ndonëse kjo argumenton diferencën, kjo vlerë financimi nuk është e reflektuar në buxhetin e shtetit, ku duhet të raportohen të gjitha grantet dhe kreditë.
Për më të tepër, pavarësisht burimit të financimit, projektet për rindërtimin duhet të dalin në vlerën e plotë në zërin Shpenzime Kapitale. Aktualisht në Buxhetin e Shtetit nuk është buxhetuar as vlera e financimit me burime nga donatorë dhe as vlera e projekteve në kahun e shpenzimeve. Po ashtu nuk është raportuar për ecurinë e tyre. Fondi i rindërtimit në zërin Shpenzime Kapitale për vitin 2021, pa mbartjet e vitit 2020, edhe me Aktin Normativ të Buxhetit në 12 prill 2021, vazhdon të jetë 28 miliardë lekë.
Fondi i Rindërtimit në zërin Shpenzime Kapitale
Pavarësisht se institucioni në fjalë nuk na bën me dije për shifrat e financimit të donatorëve, ne kemi nxjerrë të dhënat nga konferenca e fundit për shtyp e realizuar nga kryeministri Rama dhe ministri Ahmetaj për procesin e rindërtimit, mbajtur më 2 shkurt 2021.
Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 2 shkurt 2021
Në këtë konferencë ministri Ahmetaj informoi se deri në dhjetor të vitit 2020, qeveria ka nënshkruar marrëveshje me donatorët për projekte me vlerë 285 milionë euro.
Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 2 shkurt 2021
Ministri detajoi më pas që këto para vinin si pjesë grantesh, ndërsa qeveria kishte në proces dhe 150 milionë euro hua. Shuma totale shkon në rreth 440 milionë euro, ndërsa nuk e përmbyll ende diferencën materiale mes faturës së rindërtimit dhe buxhetit të shtetit, deri në ato momente.
Ndonëse sipas Ministrisë së Rindërtimit donacionet janë përthithur në vlerën e angazhuar, kreditë nga donatorët janë vetëm 150 milionë euro edhe sipas përgjigjes së Ministrisë së Rindërtimit. Pjesa tjetër e faturës është financuar nga burime të brendshme, sipas kësaj ministrie. Mbetet ende t’u qartësuar arsyeja pse deri në këtë datë kemi një diferencë kaq të madhe në përthithjen e kredive nga donatorët, kundrejt angazhimeve të tyre, çka do kontribuonte në procesin e rindërtimit. Faktoje më datë 18 maj 2021, ka dërguar kërkesë për informacion të detajuar se sa kredi të buta dhe donacione janë përfituar nga vendi ynë deri më tani nga konferenca e donatorëve. Kërkesë për përgjigjen e së cilës jemi ende në pritje.
Duke iu rikthyer pikës së tretë të kërkesës sonë:
3. Ministria e Rindërtimit nuk na informon në asnjë paragraf për përfundimin e procesit të rindërtimit në bazë të parashikimeve buxhetore.
Sipas deklaratave zyrtare gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, i gjithë procesi i rindërtimit pritet të përfundojë brenda prillit 2022.
Nëse marrim në konsideratë faturën e konfirmuar nga Ministria e Rindërtimit për rreth 1 miliardë euro për rindërtimin, rezulton se deri në fund të prillit 2020 janë reflektuar si të buxhetuara për tre vite vetëm 62 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro ose rreth 57% e totalit). Për realizimin e fondit të rindërtimit, deri në mars 2020 është shpenzuar sipas Ministrisë së Financave vetëm rreth 160 milionë euro ose 17% e faturës totale (3 miliardë në tremujorin e parë 2021 dhe 16.6 miliardë lekë në 2020).
Katër muaj pas kërkesës për informacion dërguar Ministrisë së Rindërtimit, ankimimeve të përsëritura tek Komisioneri dhe dy e-maileve të dërguara në rrugë elektronikë nga kjo ministri, ende nuk kemi përgjigje ezauruese për pyetjet që kemi ngritur që në janar të vitit 2021.
*Foto e parë është marrë nga iStock