Parkingu publik me kate në Durrës u hap përfundimisht

Pas tri verifikimeve dhe më shumë se dy vite shtyrjesh të afateve zyrtare, parkimi publik me kate në qendër të Durrësit u hap përfundimisht

11

Jona Cenameri Më 20 nëntor 2025, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiakja Emiriana Sako përmes rrjeteve sociale njoftuan hapjen e parkimit publik me kate në Durrës. 

Rama e prezantoi objektin si një strukturë moderne me rreth 400 vende parkimi, energji të vetëprodhuar nga panelet diellore, hapësira për biçikleta, ambiente për zyra dhe hapësira social-kulturore.

Kryebashkiakja Sako e cilësoi objektin si “Qendra Multimodale e Mobilitetit në Durrës”, një investim që, sipas saj, rigjeneron një zonë të tërë dhe shërben si nyje e re mobiliteti, komuniteti dhe sipërmarrjeje.

Premtimi i prezantuar në 2022-2023

Parkimi publik me kate në qendër të Durrësit u prezantua fillimisht në tetor 2022 nga kryebashkiakja Emiriana Sako, e cila konfirmoi se investimi do të financohej nga qeveria përmes FSHZH-së. Projekti u rikthye si premtim elektoral gjatë fushatës së prillit 2023 dhe u paraqit si zgjidhja kryesore për trafikun e rënduar, mungesën e hapësirave të parkimit dhe nevojën për një qendër moderne të mobilitetit urban.

Sipas Bashkisë Durrës, objekti do të shërbente për të lehtësuar qarkullimin në qendër, për të ofruar një infrastrukturë të dedikuar për biçikleta, për të krijuar ambiente të reja publike dhe për të mbështetur transformimin e qytetit drejt një modeli të ri lëvizshmërie.

Tetor 2023

Në tetor 2023, gjatë verifikimit të parë të “Faktoje”, u konstatua se punimet ishin ende në fazë fillestare. 

Në tabelën e kantierit ishte shënuar një afat i ri përfundimi: prill 2024. Banorët e qendrës së Durrësit vijonin të përballeshin me mungesë vendesh parkimi, ndërsa objekti i premtuar mbetej ende larg përfundimit.

Tetor 2024

Në vitin 2024, FSHZH raportoi për “Faktoje” se punimet kishin avancuar deri në rreth 75% dhe njoftoi një afat të tretë për përfundimin e projektit: tetorin 2024. Por verifikimi i dytë tregoi se, pavarësisht progresit në strukturë, godina mbetej e mbyllur, e papërfunduar dhe jo funksionale për publikun.

Tetor 2025

Në tetor 2025, “Faktoje” u rikthye për verifikimin e tretë. Së jashtmi, godina dukej e përfunduar, por mbetej e mbyllur dhe në brendësi kryheshin ende punime teknike, pastrim i ndërtesës dhe testime të rrjeteve të brendshme. FSHZH njoftoi se procesi i kolaudimit ishte në fazën përfundimtare, ndërsa Bashkia Durrës sqaroi se nuk ishte institucioni zbatues i projektit, por vetëm përfitues.

Afatet e zvarritura

Sipas Open Procurement, kontrata për ndërtimin e parkimit publik u lidh më 13 dhjetor 2022, me një kohëzgjatje 12-mujore, duke përcaktuar dhjetorin 2023 si afat të parë përfundimi. Afatet u shtynë disa herë: fillimisht në prill 2024, më pas në tetor 2024, ndërsa objekti u hap realisht vetëm më 20 nëntor 2025.

Kjo vonesë e konsiderueshme u dokumentua gjatë tre verifikimeve të “Faktoje”, që evidentuan jofunksionalitetin e objektit përtej çdo afati të shpallur më herët nga institucionet përgjegjëse.

Përfundimi

Pas tri verifikimeve dhe më shumë se dy vite shtyrjesh të afateve zyrtare, parkimi publik me kate në qendër të Durrësit u hap përfundimisht, duke përmbushur premtimin. “Faktoje” e kategorizon këtë premtim si të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.