Parisi ka ndaluar shërbimin e dhënies me qira të skuterëve dhe jo përdorimin e atyre që janë në përdorim privat, siç pretendohet në disa portale. Qytetarët e Parisit votuan së fundi për të ndaluar marrjen me qira të skuterëve, duke i cilësuar si burim rreziku. 

———-

Më 3 prill 2023, portalet kanë shpërndarë një artikull duke pretenduar se Parisi ka ndaluar përdorimin e skuterëve elektrikë, një mënyrë alternative për lëvizjen në qytete, e stimuluar vitet e fundit si një zgjidhje për uljen e trafikut dhe ndotjes.

Skuterët burim aksidenti, Parisi ndalon përdorimin e tyre”, shkruan Dosja.al.

Screenshot, lajmet e publikuara nga portalet

Lajmi është shpërndarë gjerësisht nga mediat duke përdorur edhe tituj të tillë si: “Parisi, kryeqyteti i parë në botë që ndalon përdorimin e skuterëve”. Mirëpo, në disa portalet në tekst përmendet që në fakt bëhet fjalë për një votim kundër rinovimit të licensave të operatorëve të skuterëve elektrikë në qytet.

Por, çfarë do ndodhë me skuterët elektrikë në Paris? Parisi ishte një nga qytetet e para që stimuloi në vitin 2018 automjetet elektrike me qera për qytetarët dhe turistët e shumtë që vizitojnë pikat më të njohura duke krijuar trafik dhe ndotje.

Kryetarja e bashkisë, Anne Hidalgo, e cilësoi si një sukses këtë mënyrë të re të lëvizjes duke publikuar dhe shifra të uljes deri në 30 % të përdorimit të mjeteve të tjera në qytet. Por pas disa vitesh, e njëjta kryetare u detyrua të pranojë organizimi ne një referendum lokal duke u kërkuar qytetarëve të përgjigjeshin pyetjes: A jeni pro ose kunder skuterave me qera (vetëshërbim) ?

Tre kompanitë kryesore të dhënies më qera të skuterave elektrikë Lime, Dott dhe Tier ndodhen nën akuzë nga kritikët për shkak të mënyrës se si po drejtoheshin skuterët  nga persona jo të mësuar me këtë mjet dhe mosrespektimin e kushteve të sigurisë të vendosura. 

Ndërkohë, skuterët e lënë pa rregull në trotuare dhe hedhura apo vandalizuara në mjedise publike ishin bërë gjithashtu një problem shqetësues për imazhin e qytetit më të vizituar në botë.

Pas votës së qytetarëve, bashkia nuk do të rinovojë kontratën për operatorët e dhënies me qera të skuterave në muajin shtator.

Pavarësisht kësaj, skuterat elektrikë në përdorim personal të qytetarëve nuk do të ndalohen të qarkullojnë në qytet.

Artikulli paraprakE keqinterpretuar video e deputetit gjerman që thith “drogë” në parlament 
Artikulli tjetërOBSh nuk ndalon shitjen e papërpunuar të kripës së detit
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.