Pretendimi: Kjo video tregon se miliarderi Bill Gates planifikoi pjesërisht Covid-19 dhe po planifikon pandeminë e ardhshme
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se dëshmon që miliarderi amerikan i kompjuterave Bill Gates “planifikoi pjesërisht Covid-in dhe tani po planifikon pandeminë e ardhshme.” Video mban një mbishkrim në gjuhën angleze që pëkthehet në: “me sa duket Gates po planifikon pandeminë e”tij të radhës. Quhet SEERS dhe nëse është e saktë është planifikuar për një kohë më vonë këtë vit.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video që po qarkullon në rrjet është një videoprezantim i botuar më 27 janar 2021, ku Gates argumenton se nevojiten përgjigje më të shpejta ndërkombëtare ndaj pandemive të ardhshme.
Në video Gates flet për një sistem të ri global alarmi, sisteme testimi masiv dhe një forcë ndërkombëtare për sëmundjet infektive me reagim të shpejtë, e zhvilluar për t’iu përgjigjur shpejt pandemive të ardhshme pas COVID-19.
“Ne duhet t’i dallojmë këto shpërthime sapo të ndodhin kudo në botë. Dhe kjo kërkon një sistem global alarmi”, tha Gates.
Gates tha se ka mësime që duhen nxjerrë nga pandemia Covid-19.
Gates gjithashtu përmendi antitrupat monoklonalë, vaksinat mRNA si mënyra për të luftuar Covid-19 dhe viruset e sëmundjet e ardhshme. Ai tha se vaksinat MRNA do të jenë më të shpejta për t’u zhvilluar dhe më të lehta për t’u ruajtur sesa vaksinat tradicionale.
Në asnjë pjesë të videos 1-minutëshe nuk përmendet ndonjë plan pandemie.
Sa i përket “SEERS”, ai është një virus imagjinar i krijuar si pjesë e një ushtrimi të simuluar për gatishmërinë dhe përgatitjen për përballimin e pandemive për shëndetin publik dhe zyrtarët qeveritarë. Ai u mbajt në tetor 2022 në Bruksel.
Stërvitja, e quajtur Infektimi Katastrofik, simuloi një seri takimesh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), në të cilat pjesëmarrësit diskutuan se si t’i përgjigjeshin sa më mirë sëmundjes së shpikur, e cila në një përmbledhje të ngjarjes përshkruhet si me “një shkallë vdekshmërie më të lartë se COVID-19 dhe që prek në mënyrë disproporcionale fëmijët dhe të rinjtë.”
Qendra për Sigurinë Shëndetësore i tha Associated Press në një deklaratë se ngjarjet e detajuara në stërvitje janë fiktive dhe në asnjë mënyrë nuk përshkruajnë atë që mund të ndodhë në të ardhmen.
“Qëllimi i ushtrimit fiktiv ishte të nxirrte në pah boshllëqet në përgatitjen për pandemi dhe të gjeneronte ide për iniciativa që vendet mund të ndërmerrnin tani për të përmirësuar aftësinë kolektive të botës për të shpëtuar jetë dhe mjete jetese gjatë pandemive të ardhshme”, thuhet në deklaratë. “Infektimi fiktiv i përshkruar në skenar nuk ishte në asnjë mënyrë parashikues; përkundrazi, patogjeni në ushtrim u imagjinua thjesht si një teknikë edukative për të ndihmuar pjesëmarrësit të përballen me llojet e dilemave të politikave që janë të parashikueshme gjatë emergjencave të shëndetit publik në shkallë të gjerë.”