.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPapë Françesku nuk kërkoi dorëzimin e Ukrainës, por negociimin me Rusinë

Papë Françesku nuk kërkoi dorëzimin e Ukrainës, por negociimin me Rusinë

Pretendimi: Papa Françesku i kërkoi Ukrainës të dorëzohet dhe të pranojë negociata me Rusinë për të shpëtuar viktima të mëtejshme

Rate: Missing context

Papa Françesku nuk ka kërkuar që Ukraina të dorëzohet në luftën e saj me Rusinë, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë në portale. Faktoje verifikoi se Ati i Shenjtë foli për një negociim për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Një intervistë e Papë Françeskut mbi konfliktin në Ukrainë dhe Gaza, ku ai bën thirrje për bisedime dhe negociata, ka tërhequr vëmendjen e mediave në mbarë botën. Çështja që ka shkaktuar më shumë “tronditje” dhe interpretime është një deklaratë e kreut të kishës katolike për ngritjen e flamurit të bardhë nga Ukraina dhe uljen e saj në bisedime me Rusinë.

Kjo pjesë e intervistës është interpretuar nga disa media si një thirrje e Papës për t’u dorëzuar pas humbjes së luftës.

Portali “TeSheshi” e ka publikuar në 10 mars artikullin mbi intervistën me titullin: “Papa, kërkesë Ukrainës ‘të dorëzohet”.

Artikujt e shpërndarë në portale

Në brendësi të tekstit mund të dallohet më shumë se bëhet fjalë për negociim më shumë sesa për dorëzim.

Për këtë artikull, portali i referohet intervistës që Papa ka dhënë për televizionin zviceran RSI. Ne vendosëm të bëjmë një verifikim të mëtejshëm, duke kërkuar intervistën e plotë që Ati i Shenjtë ka dhënë për mediat.

Në intervistën e plotë të zbardhur në shqip nga “Vatican News” thuhet se Papa ka kërkuar që të negociohet nga ana e Ukrainës pavarësisht se nuk është shkaku i luftës.

“Papë Françesku është i ftuar në Cliché, revistë kulturore e Lorenzo Buccella-s që transmetohet në Radio Televizionin Zviceran (RSI), në një episod kushtuar të bardhës, ngjyrës të së mirës, ​​të dritës, por në të cilën bien më shumë gabimet dhe njollat. Mes shumë ndyrësive është lufta, konflikti në Ukrainë dhe ai në Palestinë”-raporton “Vatican News”.

Më tej në këtë intervistë Papë i përgjigjet pyetjes së gazetarit: Në Ukrainë ka nga ata që kërkojnë guximin e dorëzimit, të flamurit të bardhë. Por të tjerë thonë se kjo do të legjitimonte më të fortët. Çfarë mendoni ju?

“Është një interpretim. Por besoj se ata që e shohin situatën, ata që mendojnë për njerëzit, ata që kanë guximin të ngrenë flamurin e bardhë dhe të bisedojnë, janë më të fortë. Dhe sot mund të negociohet me ndihmën e fuqive ndërkombëtare. Fjala negocim është fjalë e guximshme. Kur sheh se je i mundur, se gjërat nuk po shkojnë mirë, duhet të kesh guxim për të biseduar. Të vjen turp, por me sa vdekje do të përfundojë? Negocioni në kohë, kërkoni ndonjë vend që të veprojë si ndërmjetës”, – u përgjigj Papë.  

Pas keqinterpritimit të kësaj pjese të intervistës, Vatikani është detyruar të bëjë një deklaratë për mediat. Drejtori i Zyrës së Medias të Vatikanit, Matteo Bruni, deklaroi se Papë Françesku, nuk i kërkoi Ukrainës të dorëzohej, siç raportohet nga disa media, por synonte të bënte thirrje për një armëpushim dhe për të treguar për “guximin e negociatave”.

“Papë përdori metaforën e “flamurit të bardhë” të sugjeruar nga një gazetar për të theksuar rëndësinë e një ndërprerjeje të armiqësive, një armëpushim i arritur përmes guximit të negociatave. Diku tjetër në intervistë, duke folur në përgjithësi për luftën, Papë e bëri të qartë: “Negociatat nuk janë dorëzim”, tha Bruni, sipas Vatican News.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img