Pretendimi: Papa i ri Leoni i 14-të deklaroi se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Në fund të majit, disa portale shqipfolëse postuan artikuj sipas të cilëve, Papa Leoni i XIV-të ka vendosur të mos e njohë pavarësinë Kosovës. Në titujt që u shpërndanë në mediat sociale, pretendohet se Papa është shprehur me një deklaratë të re ku konfirmon qëndrimin e Vatikanit kundër pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, këtu bëhet fjalë për një manipulim të fakteve, pasi Papa nuk ka dhënë një deklaratë të re mbi Kosovën.

Siç e ka vënë në dukje dhe verifikuesit e Hibrid.info, portalet shqipfolëse kanë keqinterpretuar dhe paraqitur në mënyrë manipuluese një lajm të publikuar nga faqja Vatican News po me datë 20 maj. Vatican News është faqja zyrtare e Vatikanit dhe Kishës Katolike në Vatikan. Në faqe njoftohet se Papa ka emëruar kryepeshkopin Luigi Bianco si Nuncin Apostolik në Slloveni dhe Delegatin Apostolik në Kosovë.

Si Nunci Apostolik për Slloveninë, Bianco do të shërbejë si ambasador i shtetit të Vatikanit në Slloveni, pra do të ketë marrëdhenie me qeverinë e vendit. Përkundrazi, siç e shpjegon edhe Encyclopedia Britannica, roli i Delegatit Apostolik është si “përfaqësues i Vatikanit pa status diplomatik dhe për rrjedhojë pa pushtet për t’u marrë me qeveritë civile.” Pra, Delegati Apostolik fokusohet tek funksionet e kishës, por nuk ka marrëdhenie me qeverinë vendase si ambasador, pasi Vatikani nuk mban marrëdhënie diplomatike me vendin në fjalë.

Në artikullin e Vatican News përmendet fakti se Vatikani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Që prej vitit 2008, Vatikani ka vendosur të mos njohë pavarësinë e Kosovës për të mbajtur marrëdhenie të mira qeveritare me Serbinë, dhe sidomos kishën ortodokose serbe.

Megjithatë, në artikull nuk përmendet asnjë fjalim i ri nga ana e Papës Leoni i XIV-të, dhe nuk ka pasur asnjë deklaratë tjetër nga Papa apo Vatikani mbi çështjen e Kosovës. Në fakt, edhe në artikujt e publikuar në shqip vihet në dukje se këtu bëhet fjalë për vazhdimin e një politike ekzistuese dhe jo ndryshimit të qëndrimit nga ana e Vatikanit. Pra, titulli “Nuk e njohim Kosovën”, nuk vjen nga një deklaratë e Leonit, por është një interpretim i emërimit të Bianco si Delegati Apostolik.