Pavarësisht shumë premtimeve të zyrtarëve publikë, shumë fëmijë të komunitetit rom janë ende jashtë ambienteve të shkollave. Faktoje ishte në zonën e Kinostudios ku takoi dy vajza, të cilat nuk kishin shkuar asnjëherë në shkollë, pavarësisht dëshirës. Ndërkohë, aktivistët e komunitetit shprehen se pamundësia ekononomike dhe mungesa e informacionit, po bën që fëmijët rom sot të mos ndjekin shkollën.
Anxhelina Sherifi
“Deri në vitin 2022, çdo fëmijë rom dhe egjiptian, do të regjistrohet në shkollë”, përcaktohet në relacionin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Arsimit.
Screenshot, relacioni i MASR.
Por, si është sot situata me arsimimin e komunitetit rom?
Edhe pse hapa para janë bërë, ende sot në vitin 2022, ka fëmijë nga ky komunitet që nuk frekuentojnë arsimin.
Faktoje ishte në zonën e Kinostudios, ku takoi dhe bisedoi me një familje prej 4 anëtarësh, vajzat e së cilës nuk kishin arritur të shkolloheshin. Prindërit tregojnë se vajzat 13 dhe 16 vjeçe nuk kanë shkuar asnjëherë në shkollë, ndonëse dëshira ka qenë e madhe.
“Nuk kishim me çfarë t’i çonim, donin libra, veshje. Ne jemi me një rrogë, burri mbledh bidona. Nuk kishim lekë të hanim bukë. Nuk më ka ndihmuar njeri që t’i shkolloj vajzat”, thotë e shqetësuar nëna e dy vajzave.
Vajzat e mitura, të cilat kurrë nuk arritën të shkolloheshin tregojnë për Faktoje se ky do jetë një peng i madh në jetën e tyre.
“Edhe ne kishim qejf të shkonim në shkollë si shoqet tona, por nuk kishim mundësi”, shprehen ato.
Vajzat e komunitetit rom, zona e Kinostudios
Prindër të tjerë tregojnë për Faktoje se janë detyruar të sakrfikojnë shumë, për t’u mundësuar fëmijëve të tyre shkollimin, pasi vetë e kanë pasur të pamundur që të ndjkein shkollën.
“Fëmijët kanë shumë të dëshirë të shkojnë në shkollë, edhe pse nuk kemi shumë mundësi. Integrimi për komunitetin tonë ka qenë paksa i vështirë në aspektin arsimor. Ka prindër të komunitetit rom që janë të informuar mbi arsimimin dhe duan që fëmijët e tyre të arsimohen pasi ata nuk e kanë patur këtë mundësi që të ndjekin arsimimin dhe sot ata ia dinë vlerën arsimimit”, thotë një prind, fëmja i së cilës ndjek klasën e 5-të.
Gjithashtu, ata shtojnë se nuk kanë pasur asnjë lloj mbështetje nga institucionet për të bërë të mundur arsimimin e fëmijëve.
“Mbështetje nga institucionet nuk kemi pasur, vetëm nga disa organizata, ku na kanë dhënë mjete shkollore, çanta, veshje. Ne kemi nevojë edhe për njerëz që t’I ndihmojnë fëmijët me detyrat, sepse shmica prej nesh nuk kanë qenë në shkollë dhe nuk dinë, edhe pse duam shumë që t’i ndihmojmë”, thotë një tjetër prind.
Aktivistët e komunitetit rom theksojnë se në zonën e Bregut të Lumit në Tiranë, shumë familje nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë për shkak të pamundësisë ekonomike dhe mungesës së informacionit.
“Por nga ana tjetër një realitet i hidhur janë familjet në zonën e Bregut të Lumit ku për shkak të kushteve te vështira ekonomike, mungesës së informacionit të mirëfilltë mbi arsimimin, prindërit vazhdojnë të mos i cojnë fëmijët e tyre ne shkolla. Prindërit e tyre detyrohen që të mbledhin mbetje të riciklueshme për të pasur disa të ardhura.
Shpesh herë kur fëmijët shohin prindërit e tyre që mundohen për ta fëmijët duan të ndjekin shembullin edhe pse dëshira e tyre për të ndjekur shkollën është e madhe”, thonë aktivistë të komunitetit rom.
Në qershor të një viti më parë, Faktoje raportoi se shumica e fëmijeve të këtij komuniteti nuk e ndiqnin shkollën dhe në rastin më të mirë, ata që e ndiqnin, e braktisnin pas klasës së 5 apo të 9-ë.
Sipas studimeve Shqipëria ka 44 mijë analfabetë dhe shumica i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Kjo shifër mendohet të jetë rritur pas shfaqjes së pandemisë që vështrësoi më së shumti jetesën e këtij komuniteti.
*Shkrimi publikohet në kuadër të projektit #YOUTHRAP, një bashkëpunim i #Faktoje me IREX Albania për të nxitur të rinjtë që të jenë kërkues të së vërtetës dhe verifikues të fakteve.\
*Foto kryesore marrë në web