Pretendimi: Kjo video tregon një raketë të rebelëve Houthi që godet anijen amerikane Laboon.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon një video e cila pretendohet se tregon raketat balistike të rebelëve Houthi në Jemen duke sulmuar një luftanije amerikane në patrullimin e saj në Detin e Kuq. Në video dallohet silueta e një anijeje ushtarake që shpërthen në flakë pas disa goditjeve me raketa. 

Në fakt, luftanija amerikane Laboon u sulmua nga raketat e rebelëve Houthi në Detin e Kuq, më 14 janar 2024. Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha në atë kohë se nuk raportoheshin të plagosur apo dëmtime.

Megjithatë, video e sipërme nuk tregon momentin e sulmit.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se ajo është shkëputur nga një video më e gjatë e ngarkuar në YouTube më 14 janar 2024.

Në përshkrimin e videos së mësipërme sqarohet se ajo nuk përmban filmime të vërteta, por pamje nga loja kompjuterike Arma 3. Po aty, deklarohet se “kjo video është krijuar duke përdorur përmbajtje të Bohemia Interactive a.s.” Bohemia Interactive është një studio videolojërash e cila ka prodhuar, ndër të tjera, lojën Arma 3.

Faktoje ka verifikuar edhe më parë klipe nga videolojëra, të cilat shiten si video reale luftarake.