Qendra Faktoje po bashkëpunon në një projekt me Rrjetin Evropian të Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN) dhe një koalicion prej 44 organizatash fakt-verifikuese në të gjithë Evropën, për të krijuar një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse  të fokusuara në Zgjedhjet Parlamentare Evropiane 2024, me mbështetje nga Google.

Kjo bazë e hapur të dhënash, e para në llojin e saj, mbledh dhe kategorizon raporte fact-checking politike, dezinformata të verifikuara, artikuj pre-bunking (paraprakisht të verifikuar) dhe raporte narrative mbi tendencat ndërkontinentale të raportuara nga një koalicion prej 44 organizatash që kontrollojnë faktet në të gjithë Evropën në projektin e quajtur Elections24Check.

Ai thekson verifikimet mbi pretendimet në lidhje me Zgjedhjet Evropiane të vitit 2024. Përdoruesit mund të kërkojnë dhe filtrojnë artikuj në gjuhë të ndryshme, që kanë të bëjnë me vende dhe parti politike të ndryshme dhe që kanë të bëjnë me tema të caktuara, si ndryshimi i klimës, siguria dhe mbrojtja. Qëllimi është rritja e bashkëpunimit mes vendeve dhe ofrimi i një burimi për qytetarët evropianë, përpara votimit që mbahet në qershor 2024.

Si pjesë e projektit, informacioni statistikor rreth tendencave të dezinformimit gjatë zgjedhjeve do të bëhet i disponueshëm ndërkohë që organizatat depozitojnë të dhënat e tyre. Studiuesit do të kenë mundësinë të kërkojnë qasje të plotë në këtë bazë të dhënash.

Organizatat pjesëmarrëse të kontrollit të fakteve do të publikojnë gjithashtu raporte që analizojnë këto të dhëna.

Kryetari i EFCSN Carlos Hernández-Echevarría tha: “Elections24Check (Kontrolli i Zgjedhjeve 2024) do të ofrojë një sistem gjurmimi të hershëm të dezinformatave që qarkullojnë online për të gjithë kontinentin. Organizatat pjesëmarrëse të kontrollit të fakteve mbulojnë jo vetëm BE-në, por edhe komunitetin më të gjerë të vendeve fqinje evropiane. Kjo është e rëndësishme, sepse dezinformimi udhëton gjerësisht përtej kufijve”.

Zëvendëspresidentja e Çështjeve Qeveritare dhe Politikave Publike për Evropën në Google, Annette Kroeber-Riel, shtoi: “Ne jemi krenarë që mbështesim punën e organizatave të kontrollit të fakteve në të gjithë Evropën në një kohë vendimtare, pasi dezinformimi në zgjedhje mund të udhëtojë përtej kufijve dhe rrezikon të minojë proceset demokratike. Kjo nismë e udhëhequr nga EFCSN dhe 44 organizatat e saj anëtare do të mbështesë informacion cilësor për votuesit dhe do të hapë rrugën për koalicione zgjedhore në të ardhmen”.

Organizatat që kontribuojnë për verifikimin e fakteve kanë marrë angazhim për transparencë, depolitizim dhe ekselencë në parimet gazetareske, të fokusuara në shërbim dhe interes të publikut, siç përcaktohet në Kodin Evropian të Standardeve për Organizatat e Pavarura të Kontrollit të Fakteve. Hyni në bazën e të dhënave në https://elections24.efcsn.com/