Pamjet e shpërndara në mediat sociale kohët e fundit, ku thuhet se tregojnë ministrin e Financave të Nigerisë duke qarë, nuk janë të vërteta. Faktoje verifikoi se pretendimi është i rreme, pasi video i përket vitit 2021 dhe nuk ka lidhje me grushtin e shtetit në Nigeri.
Grushti i shtetit në Nigeri po nxit dezinformimin edhe në vendin tonë, nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.
Përdorues në Facebook kanë publikuar një video, ku pretendojnë se ministri i Financave në Nigeri ka shpërthyer në lot para kamerave, pas ultimatumit të dhënë nga ushtria që do të pushkatohej nëse nuk jepte llogari për vjedhjet që kishte kryer.
“Drejtuesit e grushtit të shtetit në Nigeri iu drejtuan ish-ministrit të Financave: ‘Ministër sill mallrat e vjedhura ose do të ekzekutohesh – ke 48 orë kohë.’ Ministri shpërthen në lot para kamerës!”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Postimi përmban një video ku shihet një burrë duke qarë pas një mikrofoni, teksa në dorë mban një shami për të fshirë lotët. Në postimin e shpërndarë nuk tregohet burimi I informacionit të pamjeve të marra, duke e shitur për lexuesit si një zhvillim i ndodhur në Nigeri.
Fillimisht, një kërkim i thjeshtë në Google për ministrin e Financave të Nigeri, Ahmat Jidoud tregon se ai duket tërësisht ndryshe nga personi që shfaqet në video.
Gjithashtu, ne vendosëm të bëjmë një verifikim të pamjeve, duke përdorur mjetet e verifikimit të videove. Nga kërkimi rezulton se pamjet i përkasin dhjetorit të vitit 2021 dhe nuk kanë lidhje me zhvillimet aktuale në Nigeri, pas grushtit të shtetit të ndodhur në muajin korrik.
Në këtë video tregohet ish-ministri i Drejtësisë së Nigerisë, Marou Amadou, duke falënderuar mes lotësh ish-presidentin e vendit, Issoufou Mahamadou, që i dha atij gjithçka. Amadou shërbeu si ministër i drejtësisë për 10 vite, nga prilli 2011 deri në prill të 2021.
Më 26 korrik 2023, një grup ushtarësh arrestuan dhe rrëzuan presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Nigerisë, Mohamed Bazoum.
Pamjet e shpërndara janë verifikuar edhe nga kolegët e mediave të ndryshme fakt-verifikuese në botë.