Pamjet e ambulancave në kufirin me Gazën janë të dy viteve më parë

541

Përdoruesit në rrjete sociale kanë shpërndarë një video duke pretenduar se si Izraeli ka ndaluar një kolonë të madhe automjetesh me ndihma humanitare për palestinezët pranë kufirit me Gazën. Verifikimet tregojnë se video i përket vitit 2021 kur Egjipti dërgonte ndihma humanitare për palestinezët në Gaza.

Një video e shpërndarë në Facebook më 15 tetor 2023 tregon një varg të gjatë kamionësh rimorkio dhe ambulancash të ndaluara në një rrugë. Pamjet shoqërohen me këtë tekst nga autori i postimit: 

 “Një kolonë e madhe automjetesh që transportonin ndihma humanitare për palestinezët është mbledhur në vendkalimin Rafah në anën egjiptiane të kufirit me Gazën. Ata presin lejen për të kaluar”. 

E njëjta video është postuar edhe nga një përdorues i Facebook në Shqipëri me këtë tekst: 

“Mjetet me ndihma presin përpara pikës kufitare Rafah, pranë Rripit të Gazës.”

Pas sulmit masiv të Hamasit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, vendi u përgjigj me bombardime ajrore në Gaza dhe me bllokimin e mallrave bazë si uji, ushqimi, energjia elektrike dhe benzina. Situata e popullsisë së Rripit të Gazës pas bllokadës së vendosur nga Izraeli është cilësuar si dramatike nga Kombet e Bashkuara. Ndaj dhe njerëzit në rrjete sociale i referohen lajmit të kamionëve me ndihma humanitare për popullatën palestineze të ndaluara për disa ditë në Rafah, në kufi me Rripin e Gazës, në pritje të dritës jeshile nga Izraeli.

Por verifikimet tregojnë se video që është shpërndarë është e vjetër dhe po riciklohet qëllimisht. 

Kolegët tanë nga Facta.News kanë verifikuar videon, e cila nuk është regjistruar në tetor 2023 dhe nuk tregon ndihmën humanitare për popullatën palestineze që aktualisht është e pranishme në vendkalimin Rafah. 

Pamjet në fakt janë publikuar fillimisht më 31 maj 2021 në Facebook nga Al Nahar dhe siç raportohet nga kanali televiziv egjiptian, skena tregonte ndihma humanitare të dërguara nga Egjipti për palestinezët në Gaza. Siç u komunikua në atë kohë nga Shërbimi Informativ Shtetëror Egjiptian, një organ qeveritar i lidhur me Presidencën e Republikës së vendit afrikan, atë ditë Egjipti, me urdhër të Presidentit al Sisi, kishte dërguar një kolonë prej 52 kamionësh me ndihma humanitare si një dhuratë për banorët e Rripit të Gazës.