Prej 2017-s, pensionistët duhej të merrnin një shpërblim prej 7-10 mijë lekë çdo fundvit, sipas platformës elektorale të PS të shpallur katër vite më parë. Nga verifikimi që Faktoje bëri, duke iu referuar burimeve të Ministrisë së Financave, kjo paketë nuk e ka kaluar asnjëherë pragun 5 mijë lekë, madje në 2017-n dhe 2019-n shpërblimi ka qenë 3 mijë lekë për pensionist, ose tre herë më pak nga ajo që u premtua.
Qeveria Rama në platformën elektorale të vitit 2017, premtoi që paketa e solidaritetit për pensionistët në çdo fundvit do të ishte nga 7 deri ne 10 mijë lek. Ky premtim do të niste të zbatohej që prej vitit 2017. Fondi total për rreth 650 mijë pensionstë në 4 vite do të ishte 24 miliard lekë.
A u mbajt ky premtim?
Në fund të 2017-s, paketa e solidaritetit për fundvitin ishte 3 mijë lekë për pensionistët dhe jo 7 deri ne 10 mijë lekë siç u parashikua në platformën elektorale të PS. Fondi total i akorduar për bonusin e pensionisteve sipas të dhënave zyrtare ishte 2 miliardë lekë.
Në fund te vitit 2018, paketa e solidaritetit ose fondi për shpërbimin e fundivitit ishte 5 mijë lekë, fondi total i shpenzuar sipas burimeve zyrtare është 3.3 mld lekë.
Edhe në vitin 2019 sipas të dhënave zyrtare në Ministrinë e Financave janë dhënë 3 mijë lekë për pensionistë dhe fondi total i shpenzuar është 2 miliardë lekë.
Në vitin 2020 shpërblimi i fundvitit është 5 mijë lek, dhe fondi i shpenzuar është 3.3 miliardë lekë.
Premtimi për shpërblimin e rreth 650 mijë pensionistëve nuk është mbajtur as në dy vitet e para 2017-2018 dhe as në dy vitet e fundit, kur vendi u godit nga tërmeti dhe pandemia. Fondi i premtuar ishte 24 miliardë lekë, ndërsa fondi total i shpenzuar në 4 vite është 10.6 miliardë lekë.
Nga verifikimi i kryer bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, vendosëm që premtimin e PS lidhur me shpërblimin e fundvitit, që përfshihej në platformën elektorale 2017-2021, ta konsiderojmë Të Pambajtur.
*Foto e parë marrë nga Gazeta Mapo