BallinaPremtimeFatura 500 milionëshe e programit të PD dhe pikëpyetjet për uljen e taksave

Fatura 500 milionëshe e programit të PD dhe pikëpyetjet për uljen e taksave

Kryetari i PD Lulzim Basha garanton se kostoja totale e uljes së taksave dhe investimeve shkon 500 milionë euro,kur argumenton programin elektoral të PD. Të njëjtën shifër jep një nga hartuesit e programit të PD Dorian Teliti si faturë shpenzimesh për realizimet vjetore të programit elektoral, për vitin e katërt të mandatit, por zoti Teliti përjashton impaktin financiar te taksave . Sipas ekspertëve, boshllëku i krijuar në buxhet nga ulja e taksave, mund të rikuperohet nëse kemi një rritje ekonomike me 4.5% në vit, por sa e arritshme është kjo?


Kryetari i Opozitës Lulzim Basha më datë 1 prill ka deklaruar:

“Kosto totale e uljes së taksave dhe investimeve shkon 500 milionë Euro”- tha Basha në emisionin Opinion.

Ndërkohë Dorian Teliti, një ndër hartuesit e programit të Partisë Demokratike është shprehur gjatë një komunikimi me Faktojen: 500 milion euro është vetëm fatura e angazhimeve, ku nuk përfshihet impakti financiar nga paketa e taksave. 

“Sipas vlerësimeve që kemi bërë, bashkarisht me ekspertët, angazhimet në shpenzime fillojnë me rreth 400 milionë vitin e parë duke shkuar në rreth 500 mln vitin e katërt.”

 

Ku qëndron diferenca mes faturës 500 milionëshe të Bashës dhe Telitit?

Sipas ekspertit Zef Preçi mungesa e një programi të detajuar sjell vështërsinë për të llogaritur shifrat e dhëna.

“Në mungesë të një programi të detajuar elektoral (gjë që nuk është karakteristikë e politikës shqiptare) e kam të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të komentoj një deklaratë elektorale.”-shprehet eksperti Preçi për Faktojen.

Ndërsa eksperti Pano Soko komenton:

“Teliti ka të drejtë. Ideja është që kur ti ul taksat, natyrisht bën llogaritjen aritmetike që vjen nga ulja e taksës dhe sa lekë do t’i mungojnë buxhetit të shtetit, sepse po ulen taksat. Kjo quhet “fatura e reformës” dhe është aritmetikë e thjeshtë. Nga krahu tjetër, ulja e taksave reflektohet në rritje të ekonomisë.

Por, një problematikë që sjell financimi me 500 milion euro çdo vit për plotësimin e programit sipas ekspertit është:

“Në qoftëse shifra është kaq e madhe rritja ekonomike duhet të jetë 4.5%, pa rritjen natyrale të ekonomisë. Ne nuk e dimë sa do jetë rritja ekonomike dhe se sa do jenë investimet. Si rrjedhojë ne nuk mund të dimë në qoftëse jemi të aftë për ta mbuluar këtë shumë me rritjen ekonomike.”-përfundon eksperti.

Faktoje edhe më parë ka shkruar disa artikuj për faturën e programit elektoral të Partisë Demokratike, nga ku rezulton se hartuesit e tij japin shifra të ndryshme.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img