KLEVIS PALOKA
Një nga çështjet me të debatuara në publik dhe në emisionet televizive muajt e parë të këtij vitit ka qënë edhe tema e shitblerjes së votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Shumë përfaqësues të opozitës i janë referuar raportit të OSBE/ODIHR-it duke u shprehur se në të shkruhet e bardha mbi të zezë se janë vjedhur 20 për qind e votave.
Ndër të parët që u shpreh lidhur me këtë çështje ishte sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata i cili në emsionin “Natë me Xhaxhiun” u shpreh: “Vetë raporti i OSBE-së thekson se 25 për qind e votave është blerë/ deformuar, thënë ndryshe, vjedhur”.
Më pas këtë deklaratë e trumbetuan edhe përfaqësues të tjerë të opozitës.
“20 përqind e votave janë të vjedhura, theksohet nga raporti i OSBE-ODIHR-it”, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit”, deputeti i dorëhequr i PD-së Enkelejd Alibeaj disa kohë më pas.
“E thotë raporti i OSBE-ODIHR-it, me 20 përqind të mandateve që janë të blera…”, theksonte në emisionin “Përballë” Gert Bogdani, sekretar për marrëdhëniet ndërkombëtare në PD.
Megjithatë një deklaratë e tillë u perifrazua në vijim jo vetëm nga përfaqësues të Partisë Demokratike por edhe nga ata përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj në emisionin “Dritare me Rudinën” deklaroi: “Raporti nga OSBE/ODIHR-i thotë se 20 përqind e votave në Shqipëri janë të blera”.
Duke nisur nga kjo përsëritje e shpeshtë e kësaj deklarate nga radhët e opozitës, “Faktoje” vendosi ta verifikonte atë duke u përqëndruar së pari tek raporti i OSBE/ODIHR-i i publikuar në Varshavë në 28 shtator 2017.
“Faktoje” lexoi me vëmendje dhe në detaje të gjithë raportin dhe në asnjë faqe të tij, nuk përmendet apo shkruhet qartazi se në Shqipëri janë vjedhur 20 për qind e votave.
Megjithatë për të qënë edhe me të sigurtë dhe për të mos mbetur vetëm në kuadrin e leximit apo interpretimit të raportit, “Faktoje” kontaktoi me Zyrën për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në Varshavë, për t’i kërkuar nëse një deklaratë e tillë është përpiluar prej tyre. Ky institucion i cili është në varësi të OSBE/ODIHR-it, është organizmi i cili ka hartuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri.
Në përgjigjen e kësaj zyre thuhet qartë se raporti nuk përmban informacione të tilla mbi blerjen e votave në përqindje.
“Raporti final i ODHIR-it mbi zgjedhjet parlamentare të 2017 në Shqipëri në të vërtetë, citon një sërë akuzash mbi blerjen e votave gjatë fushatës si dhe përmban gjithashtu rekomandime drejtuar autoriteteve që të bëjnë përpjekje të përbashkëta për ta trajtuar si duhet këtë fenomen. Megjithatë, nuk ka shifra që të tregojnë se deri në ç’përmasa kjo praktikë të jetë ushtruar, pasi do të ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të mund të përcaktohej se sa do të ishte përqindja. Përsa i përket deklaratave për të cilat raporti thotë se një përqindje e caktuar e votave janë blerë, këto nuk janë qartësisht të sakta, pasi raporti nuk përmban të tillë informacion”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut për “Faktoje”.
Nisur edhe nga përgjigja e institucionit përgjegjës pranë OSBE/ODIHR-it për hartimin e raportit përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, sipas së cilës thuhet se në raport nuk ka asnjë informacion në lidhje më përqindjen e blerjes se votave, deklaratat e përfaqësuesve të opozitës do t’i kategorizojmë TË PAVËRTETA
.