Pretendimi se OKB udhëzon se fëmijët duhet të kenë partnerë seksual është i rremë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se dokumenti që citohet si provë është keqinterpretuar qëllimisht dhe nuk e përmban këtë citim, ndërsa vetë OKB e mohon këtë pretendim.

———————————

Në rrathët konspiracionistë po qarkullon së fundmi një pretendim se udhëzimet e lëshuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dekretojnë se “çdo fëmijë duhet të ketë një partner seksual.”

Postimi i mësipërm denoncon “axhendën mbarëbotërore për normalizimin e pedofilise nëpër kopshte dhe shkolla fillore” dhe citon udhëzime të pretenduara të OBSH dhe OKB që pretendohet se deklarojnë që “fëmijët e vegjël janë qenie seksuale” dhe që “seksi është një e drejtë njerëzore pavarësisht moshës”. Postimi nuk e referon lexuesin tek ndonjë udhëzues konkret ku ky i fundit mund ta shohë vetë këtë deklaratë të pretenduar të OKB dhe OBSH.

Postimi gjithashtu, me një retorikë të përhapur në rrjetet konspiracioniste, lidh përpjekjen për të drejta dhe pranim social të personave LGBT me një fushatë të pretenduar për të normalizuar pedofilinë dhe marrëdhëniet mes fëmijëve dhe të rriturve.

Postimi i referohet faqes së internetit stopworldcontrol.com, e cila vetëpërshkruhet si një faqe që “paralajmëron njerëzimin për axhendën për dominimin e botës”

Kjo faqe citon një dokument të OKB mbi edukimin seksual. Por, në asnjë pjesë të këtij dokumenti nuk thuhet se “çdo fëmijë duhet të ketë një partner seksual.”

Udhëzimi teknik ndërkombëtar mbi edukimin seksual flet për një “edukim seksual gjithëpërfshirës” “ka për qëllim të pajisë fëmijët dhe të rinjtë me dijet, aftësitë, qëndrimet dhe vlerat që do t’i fuqizojnë ata për: të kuptuar shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e tyre; të formuar lidhje të respektueshme shoqërore dhe seksuale; të marrë parasysh se si zgjedhjet e tyre ndikojnë në mirëqenien e vetë atyre dhe të tjerëve që i rrethojnë; dhe, për të kuptuar dhe siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre përgjatë jetës.”

Farhan Haq, zv. zëdhënësi Kombeve të Bashkuara, tha për Associated Press se “asgjë e ngjashme me atë citim nuk është thënë”.

Gjithashtu, nga konsultimi i një sërë dokumentacionesh të cituara në këtë faqe interneti, vihet re qëllimi për të keqinterpretuar rekomandimet se si mund të zhvillohet kurrikulat aktuale të edukimit seksual në shkolla si një praktikë që nxit pedofilinë apo marrëdhëniet e të miturve. 

“Faktoje” ka përgënjeshtruar dhe më herët një pretendim se OKB kishte bërë thirrje për dekriminalizimin e seksit midis të rriturve dhe fëmijëve.