INVA HASANALIAJ
Prej 1 majit kur shërbimet e gjendjes civile ofrohen vetëm online, shumë qytetarë raportojnë se po kërkojnë ndihmë edhe nga persona të panjohur për të hapur një llogari apo për të aplikuar në e-Albania. Përveçse paguajnë, ata vënë në rrezik edhe sigurinë e të dhënave personale, ndërsa videot tutorial në internet nuk po rezultojnë një zgjidhje, sidomos për moshat e treta. Deri më sot asnjë institucion publik nuk reagon për fenomenin, ndërsa në një përgjigje për Faktoje, AKSHI konfirmon se vetëm në muajin maj u kryen mbi 1.76 milionë aplikime online në e-Albania.
Nga data 1 maj 2022 qytetarët shqiptarë kanë filluar t’i marrin shërbimet e institucioneve përmes platformës e-Albania. Kjo nismë pretendohej se do të shkurtonte kostot në pagesa dhe kohë, por nga një vëzhgim i Faktojes disa ditë më parë po dëshmohet e kundërta. Nëpër pika të ndryshme biznesesh si kancelari, fotokopje apo librari ky shërbim ofrohet me pagesë për ata qytetarë që nuk e kanë të mundur.
Brenton Bënja, gazetar teknologjie, Geek Room shprehet se ky fenomen lidhet me mosqasjen online të shqiptarëve, sidomos moshave të treta te cilët nuk kanë njohuritë e duhura dhe as pajisje (pc apo smartphone) për të kryer veprimet në e-Albania.
“Duke aksesuar llogarinë tënde në e-Albania përmes një qendre interneti, çon në rrezik të lartë të keqpërdorimit të tyre nga persona të tretë. Shpesh’herë ndodh që fjalëkalimi ruhet në kompjuter duke i dhënë mundësinë të tjerëve jo vetëm të lexojnë të dhënat e tua (disa edhe sensitive), por mund edhe të përdorin portalin për të kryer veprime në emrin tënd.”-thotë Bënja.
Më tej ai tërheq vëmendjen:
“E-Albania ofron mjaftueshëm tutoriale se si të merrni shërbimet kryesore, videot publikohen herëpas’here në YouTube dhe kjo është një mënyrë shumë e mirë për të mësuar dhe marrë vetë të gjitha shërbimet. Por numri i personave që nuk kanë një pajisje për të aksesuar internetin është ende shumë i lartë. Në këtë pikë, do i sugjeroja që të mos u drejtohen qendrave të internetit, por do të ishte më mirë të kërkonin ndihmë nga një familjar apo dikush i njohur dhe i besuar. Në këndvështrimin tim, portali e-Albania është lehtësim tëpër i madh në marrjen e shërbimeve nga kudo ndodhesh dhe në çdo kohë. Jetojmë në epokën digjitale dhe digjitalizimi i shërbimeve është një domosdoshmëri. Vetëm kështu mund të përdorim në maksimum kapacitetin e një shërbimi kaq të madh sa është interneti.”
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) duke e vënë në dijeni për fenomenin e ofrimit të shërbimit për hapjen e llogarive në e-Albania nga persona apo biznese të paautorizuar.
Kërkesa dërguar AKSHIT-t nga Faktoje.al
Në përgjigjen e këtij institucioni sqarohet se portali qeveritar e-Albania është ura e vetme, e sigurt dhe transparente e komunikimit mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike të Republikës së Shqipërisë.
Nga shifrat e muajit maj, pra nga data 1 Maj, kur zyrtarisht u mbyllën sportelet fizike deri më 31 maj, u regjistruan 1.760.024 aplikime, të cilat më parë mundësoheshin pranë sporteleve fizike të institucioneve publike.
“Ky zhvillim rrënjësor i ndodhur prej 1 Majit, përmirëson dhe transformon shërbimin e administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit, ndërkohë që shërbimet publike përfitohen nga qytetarët në mënyrë të barabartë, pa vonesa dhe pa pengesa, duke i dhënë fund radhëve dhe fenomenit të korrupsionit.”-shkruan AKSHI.
Për sa i përket pytjes në lidhje me fenomenin e ofrimit të shërbimit kundrejt pagesës, ky institucion e delegoi përgjegjësinë tek QKB (Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve) të cilës i dërguam po të njëjtën kërkesë për informacion dhe jemi ende në pritje të përgjigjes.
Nga ana tjetër, AKSHI na informon se në portalin e-Albania, ky institucion ka vendosur një hapësirë të posaçme për të udhëzuar përdoruesit se si t’i marrin shërbimet, që gjendet në linkun: https://e-albania.al/tutorials
Në momentin që klikohet linku shfaqet kjo pamje:
E-Albania faqja me udhëzues
Në një prej videove të cilat renditen në këtë faqe është edhe ajo e regjistrimit të adresës e cila nis menjëherë me faqen e-Albania dhe rendit të dhënat që duhen plotësuar.
Pamja e video tutorial për regjistrimin në e-Albania
Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion zyrës së Kryeministrisë (ndonëse s’ka marrë ende një përgjigje për mesazhin e dërguar në rrjetin social të kryeministrit) për ta informuar mbi fenomenin dhe për të mësuar se cilat janë masat që do të merren. Kryeministria e shmangu dhënien e një përgjigjeje shteruese duke cituar se ligji rregullon të drejtën e njohjes me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritetet publike, pra nuk sanksionon detyrim të autoritetit publik, për të bërë komente apo analiza.
Përgjigjja e Kryeministrisë për Faktoje.al
Çfarë thonë qytetarët?
Edhe pse u propagandua se do i jepej fund radhëve dhe kostove për qytetarët, marrja e një shërbimi përmes e-Albania është kthyer në një shqetësim për një pjesë të madhe të tyre.
“Vetëm alo di unë, jo online”-shprehet një pensionist në Korçë i cili mban radhën në postë për të kërkuar shërbimin që dikur merrej fizikisht pranë institucioneve të gjendjes civile.
Një qytetar i moshuar në Korçë duke treguar telefonin
Ndërkohë Faktoje komunikoi me një qytetare 55 vjeçare nga Vlora e cila nuk ka një adresë në e-Albania dhe asnjë person që ta ndihmojë për ta aksesuar faqen edhe pse zotëron një telefon smart.
Pjesë nga biseda me H.D 55 vjeçe nga Vlora
Para publikimit të këtij artikulli Faktoje bëri një sondazh në rrjetet sociale në lidhje me vështirësitë në aksesimin e shërbimeve të e-qeverisjes, duke ngritur 3 pyetje:
1) A mund ti aksesoni shërbimet e-Albania online pas mbylljes së gjendjeve civile?
2)A keni mundur të hapni një adresë në e-Albania? Nëse jo a jeni të gatshëm të paguani?
3)A njihni dikë që ka paguar për të hapur një adresë në e-Albania?
Për pyetjen e parë vetëm 44% e qytetarëve kanë mundur të aksesojnë shërbimet pas bylljes së gjendjeve civile ndërsa 56% nuk kanë mundur. Për sa i përket pyetjes së dytë 53% e votuesve janë shprehur se njohin të paktën një person i cili ka paguar për të aksesuar shërbimet e e-Albania-s. Për pyetjen e radhës 69% e votuese janë të gatshëm të paguajnë për ta hapur adresën në këtë platforme.