BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookOBSh nuk po flet për pandemi dhe mbyllje në rastin e virusit Marburg

OBSh nuk po flet për pandemi dhe mbyllje në rastin e virusit Marburg

Shfaqja e virusit Marburg në Guinenë Ekuatoriale ka hedhur konspiracionistët në sulm kundër OBSh me pretendimin se organizata po përpiqet të shkaktojë “terrorizëm mediatik”. Verifikimi i “Faktoje” zbulon se deklaratat e OBSh nuk përmbajnë alarmizëm për pandemi apo mbyllje globale, por transparencë mbi një infeksion të ri. 

————————————————-

Një artikull i portalit Patriotik Media, ose, më saktë, një përkthim në shqip i një artikulli të blogut italian “Il Paragone”, pretendon se “OBSh po provon sërish me “terrorizmin mediatik” me virusin Marburg”.

Artikulli pretendon se OBSh dhe mediat po përhapin alarmizëm të ngjashëm me atë të pandemisë së Covid-19 përreth virusit Marburg, duke përdorur fjalë si “pandemi, bllokim dhe mbyllje.”

Në të vërtetë, në një deklaratë për shtyp të 13 shkurtit, dhe në një konferencë për shtyp të 15 shkurtit, OBSh deklaroi se Guinea Ekuatoriale konfirmoi shpërthimin e saj të parë të virusit Marburg. Deri tani jane raportuar 9 vdekje dhe 16 raste të dyshuara me simptoma të këtij virusi që përfshijnë temperaturën, lodhjen dhe të vjella dhe diarre me gjak.

OBSh tha se po dërgon ekspertë mjekësorë për të ndihmuar Guinean Ekuatoriale të ndalë shpërthimin e virusit dhe po dërgon pajisje mbrojtëse për qindra punëtorë shëndeti.

Në asnjërën nga këto deklarata, OBSh nuk ka përmendur fjalët pandemi apo mbyllje. OBSh ka deklaruar se po mbështet qeveritë vendase për zbulimin, izolimin dhe trajtimin e rasteve të dyshuara.

Asnjë paralelizëm i virusit Marburg me Covid-19 nuk është bërë nga OBSh. Kjo sepse megjithëse virusi Marburg është shumë i ngjitshëm, ai nuk transmetohet përmes ajrit si Covid-19. Transmetimi mes njerëzve ndodh me anë të kontaktit të drejtpërdrejt me lëngjet biologjike (gjak, urinë, pështymë, etj.) të personave të infektuar apo me pajisje të kontaminuara.

Virusi Marburg është krahasuar, megjithatë, me virusin Ebola, pasi ata janë pjesë e të njejtës familje virusësh, siç dallohet dhe nga simptomat e ngjashme që shkaktojnë tek njeriu. 

Në një shpërthim virusal të vitit 2004 në Angola, virusi Marburg vrau 90% të 252 personave të infektuar me të.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img