Një video që po qarkullon në rrjete sociale pretendon se OBSh nuk lejon të prodhohet dhe të shitet kripë deti e papërpunuar. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se OBSh nuk ka vendosur këto kufizime dhe një pjesë e kripës që shitet në treg është, në fakt, kripë e pastër deti.
————————————————
Një video në spanjisht që po qarkullon edhe në rrjetet sociale shqipfolëse shoqërohet me përshkrimin:
“A e dinit që OBSH nuk lejon të prodhohet dhe të shitet KRIPË origjinale deti, e pa-rafinuar?
Kjo me pretekstin se “Është e dëmshme për njeriun nëse nuk përpunohet mirë e mirë..”
Kështu kripën e detit e “çveshin”, e “qërojnë” nga të gjitha, potasio, magnezi, jodi, kromi, në mënyrë që këto sublemente dhe minerale,.. t’i blejmë veçan tek Big-Farma”.
Për të verifikuar këtë pretendim të çuditshëm, “Faktoje” fillimisht identifikoi personin në video. Ai është Josep Pamies, një fermer dhe doktor popullor katalanas. Në 2018, ai u gjobit nga Departamenti i Shëndetit katalanas për shitjen e produkteve bimore që reklamoheshin si kura për kancerin, leuçeminë, dhe autizmin.
Paçka pretendimit të Pamies se kripa e nxjerrë nga uji i detit nuk lejohet të shitet, në të vërtetë standardi nga varet nëse kripa mund të shitet apo jo varet nga përqindja e klorurit të natriumit (NaCl) që ajo përmban. Në kripën e detit, kjo përqindje është zakonisht më e ulët.
Siç shpjegojnë kolegët e Maldita, kjo përqindje përkufizohet nga Codex Alimentarius, një grup standartesh të njohura ndërkombëtarisht të cilat, megjithëse nuk janë të detyrueshme, shërbejnë si referencë.
Codex e përkufizon përqindjen e klorurit të natriumit tek kripa që mund të shitet si 94%. Kjo garanton për konsumatorin që kripa që ai po blen është vërtet kripë, dhe mund të përdoret si kripë, pra për të dhënë shijen e kripur.
Në fakt kripa e etiketuar si kripë deti shitet gjerësisht në treg, dhe ajo nuk i nënshtrohet ndonjë procesi rafinimi, siç pretendohet në video, dhe përmban ende minerale si magnezi, kaliumi, dhe kalciumi.
Sipas Fondacionit Amerikan të Zemrës, konsumimi i kripës së detit nuk ofronë ndonjë avantazh shëndetësor të dukshëm sepse sasitë minimale të mineraleve që gjenden në kripën e detit mund të merren lehtësisht nga ushqime të tjera.
Ndërkohë, OBSh ka nisur një fushatë masive ndërgjegjësimi për të reduktuar konsumin e kripës në ushqime, me qëllim uljen e dëmeve të ndryshme që shkakton në shëndetin publik konsumi i ushqimeve dhe pijeve me kripë. Konsumi i tepërt i natriumit, pjesë përbërëse e kripës, rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe vdekjes së parakohshme.