.

.

BallinaProjekteYOUTH RAPNxënësit e gjimnazit në Kamzë nuk kanë palestër për të zhvilluar aktivitetin fizik

Nxënësit e gjimnazit në Kamzë nuk kanë palestër për të zhvilluar aktivitetin fizik

Nxënësit e gjjimnazit “Elez Isuf Ndreu” në Kamzë nuk kanë një palestër ku të zhvillojnë aktivitetin fizik. Ky shqetësim ngrihet nga mësuesit, gjimnazistët, por pranohet edhe zyrtarisht nga Bashkia Kamzë. Nxënësit dhe mësuesit tregojnë për Faktoje se kur kushtet atmosferike janë të papërshtashme, nuk e zhvillojnë fare orën e edukimit fizik.

Melisa Peca

“Për herë të parë qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 5 milionë euro për masivizimin e sportit në shkolla dhe universitete, krijimin e ekipeve sportive dhe organizimin e kampionateve sportive në nivel shkolle, universitetesh dhe deri në nivel kombëtar”, deklaroi ministrja Evis Kushi në prezantimin e programit të ri kombëtar të sportit në shkolla e universitete.

Ndërkohë në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit përcaktohen qartë detyrimet që kanë institucionet për të siguruar kryerjen e aktivitetit fizik për nxënësit dhe jo vetëm.

“Të gjitha institucionet arsimore parauniversitare dhe universitare, publike ose jopublike, zbatojnë standardet në fuqi për zhvillimin e orës mësimore të edukimit fizik dhe sporteve për nxënësit dhe studentët”, pëcaktohet në Nenin 6 (Ligji 79/2017 “Për Sportin”).

Mirëpo, duket se ky ligji nuk ka gjetur zbatim në të gjitha institucionet arsimore. Faktoje konstatoi se në gjimnazin “Elez Isuf Ndreu”, nxënësit nuk kanë terrene sportive për të zhvilluar aktivitetin fizk. Kjo konfirmohet nga mësuesit e lëndës së edukimit fizik, por edhe nxënësit.

Gjimnazi “Elez Isuf Ndreu” në Kamzë

Përgjegjësi i departamentit të lëndës së edukimit fizik në këtë gjimnaz, zoti Lutfi Lami tregon për Faktoje përse mungojnë terrenet sportive në shkollën “Elez Isuf Ndreu”.

“Blerja e truallit, e cila nuk mund të zgjidhet nga organizatat, sepse është pjesë e qeverisjes vendore. Organizatat kanë qenë gjithmonë gati të japin 200 milionë lekë për të ndërtuar palestrën, por shkolla ose bashkia duhet të ketë pjesën e truallit. Duhet të ketë njerëz përkatës në shkolla të komunikojnë me Bashkinë nëpërmjet zyrës arsimore që të mundësojë blerjen e truallit”, bën të ditur ai.

Më tej, zoti Lami shton se kur kushtet atmosferike janë të papërshtatshme, nuk zhvillohen orët e edukimit fizik.

“Në kushte atmosferike të papërshtatshme nuk realizojmë, por kalojmë në orë edukative në mjediset e brendshme të shkollës, kështu që ky është një problem shumë i madh,”- thotë ai.

Fusha ku bënin aktivitetin fizik nxënësit

Madje, përgjegjësi i departamentit të lëndës së edukimit fizik bën të ditur se e kanë adresuar disa herë problemin pranë Bashkisë së Kamzës, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.

“Shkolla, po e ka drejtuar si problem me 28 shkresa. Po nuk u vu në lëvizje Ministria, po nuk u vu në lëvizje Bashkia, nuk kam besim që ka për t’u bërë”, shton zoti Lami.

Nxënësit tregojnë për Faktoje se më parë e bënin aktivitetin fizik në një fushë të marrë me qira pranë gjimnazit, por tashmë ajo përdoret për të kullotur bagëtitë.

“Më parë e bënin aktivitetin fizik te fusha afër shkollës. E kishim me qira, por pronari i saj tani ia ka dhënë dikujt tjetër me qira, i cili e përdor për të kullotur bagëtitë”, thonë nxënësit.

Fusha ku bënin aktivitetin fizik nxënësit

Në lidhje me këtë shqetësim të nxënësve dhe mësuesve, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kamzës.

Ky institucion bën të ditur se janë në dijeni të problemit, duke shtuar se çështja e palestrës së gjimnazit “Elez Isuf Ndreu” do të ndiqet me prioritet nga ana e Bashkisë Kamzë.

“Jemi në dijeni të problemit. Ky problem është i mbartur ndër vite, pasi palestra duhej planifikuar, kur është bërë objekti. Bashkia Kamëz ka menduar për zgjidhjen e problemit, por procedura do kohën e saj, pasi e vetmja zgjidhje është marrja e një siperfaqe toke nga privatët, nëpërmjet procesit të shpronësimit.

Në dy vite i kemi dhënë zgjidhje problemeve të infrastrukturës shkollore në Bashkinë Kamëz me objekte të reja e të rikonstruktuara, të gjitha këto me palestra dhe terrene të jashtme sportive.

Çështja e palestres së gjimnazit ‘Elez Isuf Ndreu’ do të ndiqet në mënyrë prioritare nga ana e Bashkisë Kamëz”, sqaron zyrtarisht Bashkia.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img