.

.

BallinaDezinformimi në kohë krizashLufta në UkrainëNjë konflikt i rëndë si ai i Ukrainës në 2023? Portali keqinterpretoi raportin

Një konflikt i rëndë si ai i Ukrainës në 2023? Portali keqinterpretoi raportin

Titulli alarmues që qarkullon në rrjet me njoftimin e nisjes së një konflikti të rëndë botëror në vitin 2023, është keqintepretim i raportit të një organizate të pavarur ndërkombëtare.  “Faktoje” verifikoi në detaje raportin origjinal për të rrëzuar një alarm të panevojshëm.

Jona Plumbi

Nisja e vitit të ri ka prodhuar shumë tituj me temë zhvillimet që priten gjatë 2023-shit, të cilat shpesh përdorin tituj sugjestionues për të mbledhur sa më shumë klikime. I tillë është rasti i lajmit të publikuar nga zgjohushqiptar.info me titull “Pas luftës në Ukrainë, ky do të jetë konflikti më i rëndë në vitin 2023”.

Artikulli është ripublikuar edhe nga faqe të tjera në facebook si “Edi Rama Kryeministër” dhe “Lajmi i Fundit”.

“Faktoje” vërtetoi se artikulli i referohet një analize të International Crisis Group, një organizatë e pavarur që punon për parandalimin e luftërave dhe dhënien formë të politikave që ndërtojnë një botë më paqësore. Artikulli i publikuar nga kjo organizatë në 1 janar 2023 njofton “10 konflikte për t’u vrojtuar në 2023-shin”.

Mund të konfirmohet lehtësisht nga krahasimi i tekstit se artikulli i publikuar nga zgjohushqiptar.net është një përkthim i 1/10-ës së artikullit të CrisisGroup, i cili në fakt, liston 10 konflikte që mund të ndodhin gjatë këtij viti. I pari prej tyre është konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë, i nisur nga sulmi i paprovokuar i Rusisë në shkurt 2022. Konflikti i dytë që ky grup ndërkombëtar studiuesish kanë listuar si të mundshëm është ai mes Armenisë dhe Azerbaxhanit, që është edhe teksti i përkthyer nga zgjohushqiptar.net.

Por ndërsa artikulli origjinal flet për “konflikte të mundshme”, titulli i artikullit në shqip e transformon atë në “konfliktin më të rëndë që do të ndodhë në 2023-shin” duke lënë të kuptohet se ky konflikt është i sigurtë që do të ndodhë.

Gjithashtu, Crisisgroup.org është kujdesur të sqarojë në paragrafin e fundit përpara listës së konflikteve të mundshme të këtij viti, që të theksojë se “skenarët më të këqinj të konflikteve të mundshme janë jo shumë të mundshëm, por se pas viteve të fundit nuk do ishte e udhës të mos llogarisësh të paimagjinueshmen”.

Në fakt, konflikti mes Azerbaxhanit dhe Armenisë është një rrezik vetëm në rast se bisedimet për paqe, të nisura mes dy vendeve me mbështetjen e Perëndimit nga një anë dhe me ndërmjetësimin e Rusisë nga ana tjetër. Konflikti në fjalë ka nisur në vitin 2020 dhe zgjati për 6 javë, gjatë të cilave u vranë më shumë se 7,000 ushtarë. Moska arriti një armëpushim mes vendeve, e cila është në fuqi prej thuajse 3 vitesh.

Pavarësisht kësaj, nëse ky konflikt krahasohet me luftën në Ukrainë, atëherë ajo nuk mund të quhet “e rëndë” për dy arsye.

E para, në aspektin humanitar dy rastet janë të pakrahasueshme, pasi në luftën që po bën thuajse një vit që ka nisur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përllogaritur rreth 200,000 ushtarë që kanë humbur jetën nga të dy palët, shifër kjo e pakrahasueshme me atë të konfliktit mes Azerbaxhanit dhe Armenisë.

Arsyeja e dytë është impakti që këto konflikte kanë në Botë. Ndërsa efektet e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë po i ndjen çdo qytetar i botës në xhepin e tij për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve bazë, në rastin e Armenisë dhe Azerbaxhanit kjo nuk mund të ndodhë pasi këto dy vende nuk kanë monopol ndonjë prodhim nga i cili varen vendet e Europës, siç ishte rasti i naftës me Rusinë apo grurit me Ukrainën.

Ky nuk është rasti i parë që portale të caktuara ngjallin shqetësim të panevojshëm tek lexuesit, duke u ofruar një informacion të selektuar, që në të vërtetë  nuk përputhet aspak me titullin e artikullit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img