E manipuluar pamja e kësaj vide që bie në gravitetin zero të NASA

14

Pretendimi: Kjo video tregon një astronaut që duhet të jetë në hapësirë, ku s’ka gravitet, të cilit i bie një vidë nga dora. Kjo provon që udhëtimi në hapësirë është mashtrim.

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjetet konspiracioniste shqiptare pretendohet se tregon një astronaut në hapësirë, ku s’ka gravitet, teksa i bie një vidë nga dora. 

Kjo sillet si provë që udhëtimi i njerëzve në hapësirë është mashtrim.

Në video duket një astronaut që po i tregon shikuesit stacionin hapësinor. Ai hap një panel muri dhe dëgjohet një zhurmë e shkurtër. Pastaj duket sikur ai përkulet për të marrë diçka, që pretendohet se është një vidë.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi i mësipërm është shkëputur nga një video më e gjatë e vitit 2012.

Burri në video është astronauti holandez André Kuipers dhe në video ai është në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS). Kuipers ishte anëtar i ekspeditës së 31-të dhe kaloi disa muaj në stacion.

Në videon origjinale 70-minutëshe nga NOS.nl, pjesë e transmetuesit publik holandez, vërehet se asgjë nuk bie në tokë. 

Klipi i mësipërm është prerë për të keqinformuar. Në videon e plotë, Kuipers hap një cep të panelit të murit, shikon poshtë dhe pastaj hap një tjetër element kyçës në këndin e poshtëm të djathtë të panelit.

Mungesa e gravitetit është e dukshme në disa pjesë të videos së plotë. Kuipers shihet duke fluturuar disa herë nëpër ISS.