ANXHELA RUÇI & MERXHAN DACI
Këshilli Europian i refuzoi rishtazi Shqipërisë çeljen e negociatave me BE. “Faktoje” iu rikthye deklaratës së qershorit të vitit të kaluar kur kryeministri Rama tha se Shqipëria kishte marrë një datë.
As këtë vjeshtë Shqipërisë nuk iu çelën negociatat me Bashkimin Europian. Tre vendet skeptike, Franca, Holanda dhe Danimarka ia dolën të lënë Shqipërinë, por edhe Maqedoninë e Veriut jashtë derës edhe pse disa arritje nga dy vendet respektive u vlerësuan nga vendimmarrësit europianë.
Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn njoftoi sot me një cicërimë elektronike nga Brukseli se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin dot negociatat me Bashkimin Europian.
“Liderët europianë dështuan të përmbushnin angazhimin e tyre për të hapur negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë me BE. Kjo është çështje e një zhgënjimi ekstrem”, tha ndër të tjera në Twitter Johannes Hahn.
Kjo është realisht çështje e një zhgënjimi ekstrem sidomos po t’i rikthehesh një deklarate të kryeministrit Edi Rama në 26 qershor të vitit të shkuar. Kryeministri ndau në Twitter entuziazmin se “Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar”.
Ky postim në Twitter “u shit” si një datë konkrete për qershorin e këtij viti por BE e shtyu procesin për vjeshtën e këtij viti. Ajo që mund të themi me siguri pas vendimit të Këshillit Europian është se deklarata e Kryeministrit Rama në qershor të vitit 2018 është e pavërtetë.
Kush ishin skeptikët
Franca
Qëndrimi i Francës është lidhur ngushtësisht me idenë e Presidentit Emmanuel Macron për mënyrën sesi duhen qasur aplikimet e reja për në Bashkimin Europian pas Brexit. Gjithashtu, shqetësim i autoriteteve franceze ka qenë edhe numri i azilkërkuesve shqiptarë vitet e fundit.
Hollanda
Kryeministri holandez Mark Rute është shprehur më herët se nuk janë të sigurtë për progresin e arritur në Shqipëri. Pak kohë më parë, Holanda ishte gati të ndërpriste liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
Danimarka
Danimarka nuk e ka artikuluar qartë qëndrimin e saj skeptik, por është mbështetur te grupi i vogël bashkë me Francën dhe Hollandën që shohin si shqetësim mungesën e stabilitetit politik, krimin e organizuar dhe ngecjen e disa reformave.
Grupi tjetër
Gjermania
Edhe vendimi i Bundestagut gjerman nuk ishte i sigurt. Vendimi pozitiv për Shqipërinë këtë fillim-vjeshte nga Gjermania u pa si arritje, thënë ndryshe “gjysma e punës”. Shteti gjerman vendosi 9 kushte që kishin të bënin kryesisht me reformën zgjedhore, përparimin në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsonit dhe krimit të organizuar.
Greqia
Fqinji ynë jugor kishte si shqetësim respektimin e të drejtave të pakicave duke iu referuar kryesisht të drejtave pronësore të tyre. Megjithatë vendimmarrësit helenë artikuluan qartë qëndrimin “pro” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Faktoje” pyeti audiencën e saj në Facebook nëse mendonte se Bashkimi Europian do të hapte negociatat me Bashkimin Europian dhe nga afro 140 vota, 85% e tyre votuan “JO”.
Në Faktometrin e “Faktoje” deklarata e Kryeministrit Rama në qershor të vitit 2018 për marrjen e një date do të marrë një gomar me veshë të varur.
Foto: Skicë e Inva Hasanaliaj