.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëNisma e Beqajt në 2020 për paketat e duhanit, ishte në ligj prej 2013-s

Nisma e Beqajt në 2020 për paketat e duhanit, ishte në ligj prej 2013-s

ANXHELA RUÇI

Vendosjen e fotove ilustruese mbi paketën e duhanit që tregojnë dëmet e rënda në shëndet, ish-ministri Ilir Beqaj e propozoi në shkurt të këtij viti në Kuvend, së bashku me disa detaje shtesë. Amendamenti u rrëzua me 77 vota kundër edhe nga vetë kolegët e tij brenda grupit të PS. Kur “Faktoje” bëri një verifikim, konstatoi se vendosja e fotove mbi paketat e duhanit ka qenë detyrim ligjor që prej 2013-s, kur Beqaj ishte ministër.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Në Seancën Plenare të 17 shkurtit në Kuvend, u diskutua për disa ndryshime në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, me propozimin e deputetit socialist Ilir Beqaj, por amendamenti nuk mori mbështetjen e mjaftueshme as nga kolegët e tij brenda grupit kuvendor të Partisë Socialiste.

“Propozimi ka dy elementë që lidhen me paketimin, vendosjen e figurës me pjesët e trupit të dëmtuara nga duhanpirja si dhe kalimin e asaj që quhet *‘paketim i thjeshtë’-”, u shpreh Beqaj në seancën plenare të 17 shkurtit.

Pavarësisht debateve që ky projektligj solli në Parlament, kjo nuk ishte hera e parë që Beqaj fliste për ndryshimin e ligjit lidhur me elementët e paketimit të cigareve.

Në maj të 2016-s, kur ishte ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se nga data 1 janar 2018, çdo paketë cigareje do të kishte të afishuar pamje që ilustronin dëmet e rënda që sjell duhanpirja për shëndetin.

“Duke filluar nga data 1 janar 2018, çdo paketë cigare në Shqipëri, do të ketë të vendosur në pamje të dukshme, një figurë që tregon një pamje me pasojat që ka pasur në të sëmurë të caktuar duhanpirja”, deklaroi Beqaj në maj të 2016-ës.

Fakt është se 4 vite nga deklarata e ish-ministrit dhe 2 vite nga koha kur paketat duhet të ndryshonin sipas këtij premtimi, kjo praktikë e paketimit të cigares nuk është zbatuar në vendin tonë.

Paketimi aktual i paketave të cigares në Shqipëri

Eksperti i kontrollit të duhanit, Roland Shuperka tha për “Faktoje” se ligji për vendosjen e figurës në paketë ka 8 vite që ekziston, por nuk zbatohet pavarësisht ndryshimeve që pësoi ligji në vitin 2013, vit kur Beqaj mori detyrën e Ministrit të Shëndetësisë:

“Në 2013-n Kuvendi i Shqipërisë bëri disa ndryshime në ligjin 9636, dt. 6.11.2006, ‘”Për mbrojtjen e shëndetit publik nga produktet e duhanit”. Mes tyre parashikohej dhe përditësimi i përmbajtjes së paralajmërimeve shëndetësore tekstuale edhe me fotografi që tregojnë dëmet e shkaktuara nga duhanpirja në shëndet. Ky ligj u dekretua nga Presidenti i Republikës në datën 01.3.2013 dhe është në fuqi që prej 8 vitesh. Parlamenti voton ligje, Ministria nuk i zbaton.”

Shuperka ngarkon me përgjegjësi për moszbatimin e ligjit ish-ministrin Ilir Beqaj dhe ministren aktuale Ogerta Manastirliu.

“Faktoje” pyeti ish ministrin Ilir Beqaj përse paketimi i cigareve nuk ndryshoi të paktën në vitin 2018, ashtu siç kishte deklaruar ai vetë që në 2016-n në Ditën Botërore kundër duhanpirjes.

“Nuk e kam ndjekur çfarë ka ndodhur në 2017-n, por besoj se periudha zgjedhore dhe qeveria teknike ngadalësuan disa projekte. Më tej rezultuan vështirësi në sigurimin e fotove, prandaj duhet të jenë vonuar,”- tha ish ministri Beqaj.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, përjashtoi mundësinë se ndryshimi në paketimi nuk ka ndodhur si rrjedhojë e neglizhencës së ministrisë.

“Ka pasur një vonesë e cila nuk ka ardhur për shkak të punës të ministrisë, po për shkak se vendet e BE-së nuk ua japin vendeve jo antare të drejtën e autorësisë për përdorimin e këtyre fotove.”, tha Manastirliu gjatë senacës plenare.

Pas 8 vitesh që ligji është në fuqi, Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit miratoi në shkurt të këtij viti fotografitë që do të vihen mbi paketat e cigareve.

Nëse ligji ekzistues do të ishte zbatuar, paketat e cigareve do të kishin pamjet që “Faktoje” sjell nga shteti fqinj, Greqia.

Eksperti për kontrollin e duhanit Roland Shuperka vlerëson se paralajmërimet me figura ilustruese në produktet e duhanit, për dëmet në shëndet, kanë ndikim të lartë tek duhanpirësit dhe rrisin njohuritë  e tyre ne lidhje me pasojat e duhanpirjes. Njëkohësisht shërben për ndërgjegjësimin dhe edukimin e grup-moshave të reja për të mos e nisur duhanin.

Sipas një raporti të vitit 2017, publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, duhanpirja rezulton të jetë faktori i tretë më i rrezikshëm që shkakton vdekjen në Shqipëri.

*“Paketim i thjeshtë” është kur paketa e cigares mbulohet me foto ilustruese nga sëmundjet që shkakton duhanpirja dhe marka e cigares nuk është e dukshme.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img